E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Për të luftuar krimin e organizuar duhet bashkëpunim polici-Prokurori”

02/12/2011  Deklarata nga kreu i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth kur dhuroi pajisje për policinë

TIRANË- “Krimi i organizuar përbën kërcënim për shoqërinë dhe lufta ndaj tij nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk ka një bashkëpunim të fortë polici-Prokurori”. Kështu u shpreh dje kreu i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, gjatë ceremonisë së dorëzimit të disa pajisjeve teknike për Policinë e Shtetit në luftë kundër krimit. “Krimi i organizuar përbën kërcënim për shoqërinë shqiptare, por në aspekt më të gjerë ai ka pasoja serioze edhe për vendet e tjera të Evropës dhe më tej dhe për këtë arsye hapat e marra në këtë fushë janë një shërbim i rëndësishëm partneriteti në Evropën vazhdimisht në rritje”,- tha ai. Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia për dhurimin e disa pajisjeve teknike për Policinë e Shtetit të mundësuara nga Zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Këto pajisje do t’i shërbejnë strukturave të Departamentit kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, duke ndikuar në përforcimin e mëtejshëm të luftës kundër krimit dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të këtyre strukturave në hetimin, identifikimin dhe parandalimin e krimeve. Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, falënderoi Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Tiranë për mbështetjen e vazhdueshme si në drejtim të trajnimit të punonjësve të policisë, ashtu edhe për kontributin me pajisje të ndryshme teknike. “Unë e garantoj ambasadorin Wollfarth se kjo mbështetje që OSBE jep për Policinë e Shtetit, do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe përmirësimin e performancës së Policisë së Shtetit për të qenë sa më pranë dhe në shërbim të komunitetit”, theksoi Burgaj. Ndërkohë, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, u shpreh se “Profesionalizmi aktual i Policisë së Shtetit ka bërë progres të dukshëm bazuar në përkushtimin e palodhshëm të oficerëve të policisë në të gjitha nivelet. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dëshiron t’i dhurojë disa pajisje teknike për përdorim gjatë zhvillimit dhe menaxhimit të operacioneve të infiltruara të policisë. Këto pajisje do të kenë për qëllim t’i ndihmojnë oficerët e policisë që të sigurojnë prova që mund të përdoren në gjykatë. Për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri është gjithmonë kënaqësi dhe detyrë fisnike të mbështesë Policinë e Shtetit, ndërsa ajo vazhdon të forcojë edhe më shumë kapacitetet e saj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›