E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vrasja e shqiptarit dhe therja e fëmijës për shkaqe ekonomike”

02/12/2011  Konfirmim i policisë greke që po heton masakrën në Kallamata

GREQI- Problemet e shumta ekonomike dhe mosmarrëveshjet personale dyshohen si shkaqet kryesore të masakrës-horror në Greqi, kur disa persona ekzekutuan me armë gjahu një 35-vjeçar dhe i therën djalin 3 vjeç. Policia greke gjatë gjithë kohës ka vazhduar hetimet për zbardhjen e vrasjes makabre të emigrantit shqiptar dhe djalit të tij 3-vjeçar, mbrëmjen e së martës, në fshatin Plati të Kallamatës dhe ka në duar disa materiale që mund të çojnë shumë shpejt në arrestimin e autorëve të krimit makabër. Kur kanë kaluar 24 orë pas dhënies së këtij lajmi makabër, mund të thuhet se policia, me aq sa ka deklaruar për mediet greke, e di shkakun e krimit, i cili mund të jetë një mosmarrëveshje personale dhe çështje të problemeve ekonomike. Gjithnjë duke iu referuar policisë greke thuhet se ekspertët që po hetojnë këtë rast tashmë i kanë identifikuar autorët dhe shumë shpejt do t’i vënë në pranga për t’i nxjerrë para drejtësisë. Policia dyshon që krimineli mund të ketë pasur frikë se fëmija e ka njohur dhe nuk ka ngurruar ta vrasë edhe atë. Eksperti mjeko-ligjor që bëri ekspertizën e 35-vjeçarit shqiptar dhe djalit të tij 3 vjeç, tha se “vdekja e Filip Mezanit është shkaktuar nga një plumb arme gjahu, ndërsa fëmija kishte vdekur i qëlluar me thikë në fyt”. Mbrëmjen e së mërkurës trupat e pajetë të 35-vjeçarit dhe vogëlushit të tij 3-vjeçar, iu dorëzuan të afërmve dhe dje u sollën në Shqipëri, ku do t’iu jepet lamtumira e do të përcillen për në banesën e fundit. Në fshatin Plati, ku jetonte emigranti shqiptar vitet e fundit, ende mbizotëron panik dhe tronditje e papërshkruar, ndërkohë që banorët shprehen se viktima Filip Mezani ishte një njeri që nuk kishte pasur asnjëherë konflikt, për të mos folur për pafajësinë e vogëlushit 3-vjeçar. Vrasja e fëmijës është ajo që e bën krimin më makabër dhe shkakton tronditje të thellë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›