TIA: Të realizohen reforma për luftën antikorrupsion
02/12/2011 Shqipëria e parafundit në rajon
Angazhimet politike duhet të përkthehen në reforma serioze, pasi korrupsioni në Shqipëri edhe gjatë këtij viti ka qenë në nivele të larta. Ky është përfundimi i degës shqiptare të organizatës “Transparency International”, e cila publikoi dje indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2011 për vendet e rajonit. Sipas TIA-s, vendi ynë ka bërë hapa mbrapa në luftën antikorrupsion, pasi këtë vit Shqipëria renditet 8 vende më poshtë sesa një vit më parë. Pra, nëse vitin e shkuar mes 183 shteteve Shqipëria zinte vendin e 87 me një notë 3.3, sivjet është në vendin e 95, me notën 3.1, duke u renditur e parafundit në vendet e rajonit. Për luftimin e këtij fenomeni ekspertët e TIA-s theksuan dje se ka ardhur koha që “angazhimet politike duhet të përkthehen në reforma serioze. Heqja e imuniteteve për zyrtarët e lartë, deputetët, ministrat, prokurorët dhe gjyqtarët do ti bënte të gjithë këta të barabartë përpara ligjit”. Përpara nesh në progresin për luftën kundër korrupsionit është renditur Bosnja në vendin e 91, Serbia në të 86, Greqia në të 80, Rumania në të 75, ndërsa Maqedonia në të 69. Për të publikuar këtë listë, “Trasparency International” ka monitoruar progresin e 183 shteteve për reformat në sistemin e drejtësisë, si dhe angazhimin e qeverive për të luftuar korrupsionin. Vendin e parë në dokumentin e publikuar dje e mban Zelanda e Re. Në rajon Shqipëria qëndron përpara Kosovës dhe Moldavisë, që janë të dyja në vendin e fundit. Megjithatë, Shqipëria nuk është i vetmi vend në Ballkanin perëndimor ku vërehet një përkeqësim i dukshëm. Me përjashtim të Malit të Zi, që ka pasur një rritje në pikë (nga 3.7 në 4), që e kanë ngjitur 3 vende më lart, duke arritur rezultat të njëjtë me Kroacinë, e cila ka pësuar një rënie të lehtë. Për kuriozitet, vendin e parë këtë vit e mban Zelanda e Re me 9.5 pikë, e ndjekur nga Danimarka dhe Finlanda me 9.4, dhe më pas nga Suedia, Singapori dhe Norvegjia. Në përfundim të raportit të saj, “Transparency International” vlerëson se korrupsioni vazhdon të jetë shkatërrues për shumë vende në botë. Organizata e vlerëson vitin 2011 si vitin e krizës në qeverisje, duke theksuar se protestat në mbarë botën ishin tregues i zemëratës me korrupsionin në politikë dhe në sektorin publik, të nxitura nga mungesa e stabilitetit ekonomik dhe perceptimet e dukshme të qytetarëve mbi mungesën e transparencës së liderëve dhe institucioneve të tyre publike.
Reagimi i Ramës
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka komentuar raportin e djeshëm të publikuar nga “Transparency International” duke shprehur shqetësimin e opozitës rreth fakteve të publikuara në këtë raport. Në komentin e tij në rrjetin social Twitter, Rama shkruan: “Shqipëria, pikiatë në renditjen e Transparency International. Vendi më i korruptuar i Europës”. Daljen nga kjo situatë e krijuar Rama e shikon si një çështje emergjence, duke propozuar si zgjidhje alternativën e socialistëve të bërë publike në kongresin e fundit të PS-së nën moton “Për një rilindje shqiptare”.