Për ujin në Kukës, jemi bërë për tu qarë me gra Reçi
Është e tmerrshme që pas një udhëtimi të gjatë dhe madje bën të pamundurën duke shkurtuar në maksimum ndalesat e rrugës, për të arritur në kohë të zësh orarin e ujit. Por, është e tmerrshme kur të gjithë presin në radhë pas këtij udhëtimi se kush e kush takohet i pari me ujin, por pa menduar që ky i fundit as që e ka ndërmend të vijë. Po, po, qyteti ynë me të vërtetë furnizohet me ujë të pijshëm vetëm 30-40 minuta në darkë dhe 80 minuta në mëngjes dhe nga kjo mund ta merrni me mend se sa punë mund të bëjë njeriu, ose më saktë, sa probleme që nuk janë të pakta në numër, mund të zgjidhen me kaq pak ujë. Me thënë të drejtën më vjen shumë mirë që qyteti ynë ka një “popull të mrekullueshëm”, që i shkreti nuk trazon as mizën dhe që vetëm bukë kërkon të hajë, por nuk e di se nëse e merr etja për ujë ndonjëherë, që kurrë nuk u dëgjohet zëri, madje as edhe të diskutojnë një gjë të tillë.
Po mirë, mirë është kur ke një popull kaq “zemërgjerë”, të ngjajnë tamam me ata “devetë” e shkretëtirave që mesa duket u është “shtrembëruar kurrizi” duke mbajtur dhe duruar pa ujë. Një ditë më bëri përshtypje një diskutim i një banori të fshatrave përreth qytetit, që u kalojnë tubat e ujësjellësit afër shtëpive dhe tokave ku ata banojnë, ku i cili tregon se kishin shkuar disa punonjës të Ujësjellësit për “t’u mbyllur” tubat e ujit që ata i kanë çarë për të vaditur tokat e tyre, ku dhe ky banor u ka thënë këtyre punonjësve se: “Ju i mbyllni tubat, por unë do i hapi sapo të largoheni ju”.
Kukësi nuk ka shumë nevojë për shtesa në fonde apo dhe ndërtime koti, Kukësi ka nevojë për njerëz që dinë të menaxhojnë, sepse Kukësi ka ujë mjaft. Por nga një furnizim me ujë kohë më parë, meqë arrinte deri në 5 orë në ditë, kemi arritur “sukseset” e furnizimit me 2 orë në ditë me ujë. Siç themi ne nga Veriu, “jemi bërë për t’u qarë me gra Reçi”.