Fjala përshëndetëse e Kryeministri Berisha në ceremoninë e përurimit të kompleksit të ri të universitetit “Kristal”
“Ju falënderoj përzemërsisht për nderin e madh që më bëtë për të ndarë me ju një gëzim të veçantë e të madh, përurimin e këtij kompleksi të ri dhe modern, me të gjitha pajisjet, një kompleks universitar që për vlerat që mbart ka një rëndësi të madhe për vendin. Ta gëzoni kompleksin e bukur universitar.
Investimi që kompani “Kristal” ka bërë në këtë kompleks është një kontribut i madh në zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Qeveria ka përcaktuar këtë vit buxhetin më të madh në historinë e vendit për arsimin e lartë. Ky buxhet arrin në vitin 2009 rreth 100 milion dollarë. Ne jemi të vendosur të rrisim progresivisht buxhetin për arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë. Qeveria shqiptare dhe aktualisht çdo qeveri tjetër e ka të pamundur të përballojë me buxhetin publik kërkesat e mëdha të sistemit arsimor dhe ka si rrugë të vetme inkurajimin dhe mbështetjen e pjesëmarrjes së sektorit privat që është dhjetëra e qindra herë më i fuqishëm se qeveria.
Kur ndalesh dhe vështron Shqipërinë, vendi ka një trashëgimi të vështirë, të prapambetur, një Shqipëri rurale që në disa aspekte, po të heqësh elektricitetin, është jo dekada, por shumë më tepër se dekada larg. Ndaj nuk ka alternativë tjetër, veçse të bësh çdo përpjekje dhe të investosh për një zhvillim të qëndrueshëm.
Por Shqipëria nuk ka vetëm disavantazhe. Ajo ka një avantazh të jashtëzakonshëm, ka moshën e popullatës, është kombi më i ri në Europë. Ky është avantazhi i të gjitha avantazheve që një komb i lirë mund të ketë. Ndaj dhe ne jemi të vendosur që të shumëfishojmë përpjekjet tona, në mënyrë që kjo energji dhe mendje, këto kapacitete të zhvillohen me shpejtësinë më të madhe, në interesin më të mirë të kombit dhe të vendit. Kjo është një nga arsyet më kryesore pse ne i qëndrojmë arsimit si përparësi e të gjitha përparësive për zhvillimin e vendit.
Ka një fushë, në të cilën ne detyrimisht duhet të guxojmë e të përpiqemi për të arritur standardet më të mira dhe kjo është arsimi. Historia e zhvillimit të vendeve ka dëshmuar se edhe vende të vogla, me një vëmendje të veçantë në këtë fushë, kanë arritur nivelet më të larta dhe më të mira të arsimimit. Unë jam i bindur se ne po shtrojmë një bazë të fuqishme për një progres të shpejtë dhe për konsolidimin e një sistemi arsimor që do të bëhet promotori më i fuqishëm i ndërtimit të së ardhmes së vendit. Sektori privat po i përgjigjet mrekullisht kësaj kërkese. Sot po inaugurojmë një investim që në total, pasi të përfundojë edhe kompleksi tjetër, arrin në 12 milion euro. Vetëm një muaj më parë kam marrë pjesë në inaugurimin e një kompleksi tjetër universitar, me një investim prej 14 milion euro dhe më parë në investimet tjera. Në rast se ne po investojmë këtë vit 100 milion dollarë në arsimin e lartë, sektori privat po rrit me shpejtësi investimet e tij. Edhe një herë e theksoj se ne duhet të synojmë standardet më të mirë dhe këtë mund të realizojmë vetëm me pjesëmarrjen e gjerë të sektorit privat.
Në botë ka shumë shkolla, por dy janë kryesore. Një prej të cilave është shkolla amerikane, absolutisht më e mira. Në të gjitha rating-et, në 10 shkollat e para 8 i përkasin Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për këtë, një nga shkaqet kryesore është se për arsimin e lartë ky vend investon dyfishin e vendeve më të zhvilluara të planetit, investon 3.2 për qind të prodhimit të brendshëm në arsimin e lartë dhe nga këto 3.2 për qind 2/3 janë investim i sektorit privat. Ndaj duke ju përgëzuar për këtë investim të mrekullueshëm, ju garantoj se qeveria, në kursin e reformave që ka ndërmarrë, do të vendosë kuadrin e merituar lehtësues për të gjitha investimet që bëhen në arsim dhe shëndetësi. Në rast se nuk është bërë deri tani, kjo për faktin e reformat kanë ecur në tërësi, por përjashtimet e para do të fillojnë me arsimin dhe shëndetësinë. Për ne, pjesëmarrja e sektorit privat në zhvillimin e arsimit është jetike.
Vendi ynë duhet të kapë vendet e tjera të zhvilluara, por dhe të ndjekë garën me to. Një botë e hapur është botë e garës. Ky është rregulli. Standardet tona kanë qenë shumë larg vendeve të tjera për sa i përket numrit të studentëve. Ne kemi pasur 14 studentë për një mijë banorë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 40-42 studentë për një mijë banorë. Dhe më pas problemet e tjera të cilësisë. Tani është mbidyfishuar numri i studentëve, por ky numër duhet të trefishohet dhe atëherë do të marrim frymë lirisht. Ne duhet të dalim mbi mesataren europiane, sepse jemi kombi më i ri i Europës dhe detyrimisht duhet të kapim nivelin që na takon.
Universitetet janë shtretërit e mendimit intelektual. Unë e shoh me admirim të madh rolin e tyre, sepse ato shfrytëzojnë në mënyrë të shkëlqyer kapacitet e vendit dhe i zgjerojnë ato. Këtu takova pedagogë të rinj të graduar në Oksford dhe universitete të tjera dhe kjo është thirrja ime edhe për sektorin publik. Për këtë qëllim, ne i dhatë atij 950 vende të reja. Ne duhet të negociojmë edhe me ju e të krijojmë vende të reja pune për qindra e qindra të rinj e të reja të shkëlqyera që gradohen në universitetet perëndimore, të cilët po të vijnë këtu - dhe duhet të vijnë – të japin një kontribut të madh. Njëlloj si universiteteve publike, ne ju kemi ofruar dhe do t’u ofrojmë universiteteve private fondin e ekselencës, çka do të thotë që të gjithë pedagogët tuaj mund të përfitojnë nga ky fond për të përfunduar doktoratën në universitetet perëndimore. Po këtë fond ne ua ofrojmë edhe studentëve tuaj. Çdo student i këtij universiteti dhe të universiteteve të tjera, që aplikon dhe fiton të drejtën për të ndjekur studimet në 10 universitetet e para të botës, do të ketë bursën e qeverisë shqiptare.
Edhe një herë zoti rektor ju përgëzoj ju, të gjithë ekipin e shkëlqyer, stafin e profesorëve, pedagogëve dhe asistentëve të këtij universiteti, presidentin e kompanisë “Kristal”, të gjithë studentët dhe studentet e universitetit dhe shpreh bindjen se universiteti “Kristal” dhe universitetet e tjera private janë një mbështetje jashtëzakonisht e rëndësishme për arsimin e kombit tonë dhe se do të punojmë me përkushtim të madh për konsolidimin e standardeve më të mira të mësimdhënies, të diplomës dhe të përgjigjes ndaj tregut.”
19/11/2008