E Diel, 1 Nëntor 2026

Përballë Kilin, Spanja synon te mbajë lartnderin e Evropës

JOHANESBURG-Spanja synon të mbajë lart nderin e Evropës në ndeshjen e sotme përballë Kilit. Pas eliminimit të Francës dhe Italisë, Botërori i Afrikës së Jugut po tregon një dominim të kontinenteve të tjera. Trajneri Del Boske u shpreh optimist se futbollistët e tij do t’ia dalin ta kalojnë fazën në grupe.

Futbolli europian i ka sytë te Spanja për të shpresuar në një performancë të mirë në Kupën e Botës. Dominimi amerikano-jugor, por edhe kalimi i turit nga dy skuadra aziatike, kanë treguar se Evropa nuk është më aq dominuese në futboll. Italia është skuadra e fundit e madhe e kontinentit të vjetër që i dha lamtumirën turneut, ndërsa shpresat për një sukses janë varur tek ekipe si Gjermania, Anglia, Spanja apo Portugalia. Spanjollët janë skuadra kampione e Evropës në fuqi, por e kanë nisur këtë Kupë Bote në mënyrën më të keqe të mundshme, me një humbje 1-0 kundër Zvicrës. Sot në mbrëmje përballë do të jetë Kili, një ekip që ka treguar një futboll mjaft të bukur në takimet e mëparshme. Por, me lojtarë si Ksavi, Iniesta, David Vija apo Ksabi Alonso, do të jetë e vështirë që amerikano-jugorët të dalin me pikë. Spanjollët ndodhen në presion të madh, pasi u duhet të fitojnë dhe të shmangin Brazilin. “Shpresoj të mos jetë kjo ndeshja ime më e rëndësishme, - deklaroi trajneri Vicente del Boske. – Ndeshjet e rëndësishme zakonisht vijnë pas fazës në grupe dhe shpresoj të ndodhë kështu”, shtoi tekniku spanjoll. De Boske ka vlerësuar në maksimum Kilin, një skuadër që sipas tij ka dy armë thelbësore, presingun dhe kundërsulmin. “Megjithatë, deklaroi Del Boske, futbollistët e mi janë mësuar me presionin dhe do t’ia dalin.
Kemi ardhur për të konkurruar me të tjerët për fitimin e turneut, por nuk kemi thënë kurrë se jemi favoritë”, shtoi ai. Në krahun tjetër, trajneri i Kilit Marselo Bielsa është shprehur se skuadra e tij do të luajë me stilin e saj të zakonshëm edhe pse përballa kanë një formacion të frikshëm. “Ka vite që luajmë në të njëjtën mënyrë dhe nuk do të ndryshojmë ndaj Spanjës. Do të mbajmë topin dhe do të sulmojmë, sepse të bësh llogari me Spanjën është më e komplikuar sesa të fitosh”, tha argjentinasi. Pavarësisht kësaj, në fushë pritet të jetë një Kili më mbrojtës, pasi edhe sulmuesit janë këshilluar që të kthehen në mbrojtje në çdo moment.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›