Përballë ëndrrës

Pas Milanit, të mërkurën (sot) në Shqipëri do të zbarkojë klubi më i madh në botë, Real Madrid, i cili do ta zhvillojë një ndeshje miqësore me Gramozin e Ersekës, në kuadër të trofeut “Taçi Oil Cup”.
Kundër gjigantit spanjoll pritet të luajnë edhe tre futbollistë kosovarë. Bëhet fjalë për Shpëtim Babajn, Liridon Kukajn dhe përforcimin e Gramozit nga Besa e Kavajës për këtë ndeshje, Alban Dragushën.
Këta futbollistë, as që e kishin pritur që një ditë do të luanin me yjet botërore si Cristiano Ronaldo, Leite Kaka, Raul Gonzalez, Iker Casillas, Sergio Ramos apo Karim Benzema.
Për mbrojtësin Alban Dragusha, kjo ishte një ëndërr e cila po realizohet. “Sigurisht, mendoj se për çdo futbollist është ëndërr të luajë kundër Realit të Madridit dhe yjeve të tij. Edhe për mua do të jetë një ndjenjë e veçantë. Ta them të drejtën, nuk kam menduar aq larg, që të luaj kundër gjigantit spanjoll, por ja që futbollit nuk i dihet dhe kjo tash pritet të ndodhë”, theksoi për Express, Dragusha.
Të ardhurat nga biletat e kësaj ndeshjeje pritet të ndahen për familjet e mbetura pa strehë, në përmbytjet e fundit në Shqipëri. Për Dragushën, rezultati nga kjo ndeshje nuk është edhe aq i rëndësishëm, por shqiptarët do të mundohen t’i tregojnë vlerat e tyre.
“Mendoj se Reali vjen pa motiv, ngase kjo është një ndeshje humanitare. Po të dëshirojë, Reali mund të fitojë ndaj nesh. Këtu s’ka rëndësi rezultati, do ta bëjmë një ndeshje për ta kënaqur publikun. As ne nuk do të mundohemi shumë, ngase nuk dëshirojmë ta dëmtojmë ndonjërin prej kundërshtarët, kur dihet se sa shpenzon Reali për ta. Do të mundohemi ta japim më të mirën, të luajmë siç dimë”, vazhdoi ish-futbollisti i 2 Korrikut.
Për mesfushorin Shpëtim Babaj, përballja me yjet e Realit të Madridit do të jetë një kënaqësi e madhe. “Kur flas për veten, është kënaqësi të luaj me Realin e Madridit. Ëndërr e imja ka qenë të luaja me legjendat si Maradona, Zidane dhe Ronaldo (sulmuesi brazilian), ose të paktën t’i takoj. Ndërsa, me lojtarët aktualë të klubit spanjoll, është kënaqësi e veçantë të luaj ndaj tyre”, theksoi Babaj.
As për futbollistin kosovar, rezultati i ndeshjes me klubin madrilen nuk ka fort rëndësi, ngase sipas tij, futbollistët e Realit nuk do të kenë motiv të madh në këtë ndeshje. “Ne do të mundohemi t’u tregojmë atyre se edhe në Shqipëri dimë të luajmë futboll. Çdo gjë është e mundur, sa i përket rezultatit”, shtoi ai.
Skuadra e Realit të Madridit do të mbërrijë në Tiranë rreth orës 10 të paradites, ndërkohë që besohet se do të pritet me entuziazëm në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Sipas medieve shqiptare, nga kjo miqësore, gjiganti spanjoll do t’i përfitojë 2.5 milionë euro nga petrolieri shqiptar Rezart Taçi, organizator i kësaj ndeshjeje dhe pronar i klubit shqiptar.
Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë, në ora 18:00.
Reali, me yje në Tiranë
Trajneri Manuele Pellegrini, e ka bërë publike listën prej 18 futbollistësh, që do të marrin pjesë në ndeshjen miqësore me Gramozin e Ersekës.
Në Tiranë do të jenë pjesëmarrës yjet e këtij ekipi, ndërsa për shkak të lëndimit, mungojnë holandezët Van Nistelrooy, Van der Vaart, argjentinasi Higuaín e portugezi Pepe. Po ashtu, klubi spanjoll njofton se nisja e kontingjentit madrilen do të bëhet në ora 8:15, nga aeroporti Barajas.
Lista e të ftuarve të Pellegrinit: Casillas, Arbeloa, Sergio Ramos, Gago, Raúl, Kaka, Cristiano Ronaldo, Lass Diarra, Benzema, Marcelo, Dudek, Guti, Drenthe, Albiol, Garay, Metzelder, Xabi Alonso e Granero.