E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk i plotësoi raportin e kempit për të shoqen, qëllon dy herë me thikë mjekun

Nga Bledar Lumani

Krimi ndaj bluzave të bardha ka goditur sërish, teksa një mjek endokrinolog është qëlluar dy herë më thikë brenda në klinikën e vet, duke mbetur i plagosur. Mjeku që ka rënë pre e dhunës është Agron Ylli, ndërsa oficerët e policisë kanë mundur që të arrestojnë agresorin e tij, Bujar Valiasin. Ky i fundit ka deklaruar në polici se e ka kryer krimin, pasi mjeku nuk i kishte plotësuar një raport kempi për të shoqen, e cila kurohej pikërisht në klinikën e Yllit. Sulmi i djeshëm ndaj mjekut Ylli është i disati që ndodh brenda disa muajve ndaj bluzave të bardha.

Plagosja e mjekut

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Shallvareve, ku mjeku Agron Ylli ishte duke punuar në klinikën e tij private. Sipas burimeve të policisë, rreth paradites, në klinikën e Yllit ka shkuar i dyshuari Bujar Valiasi. Këto burime thanë se mes mjekut dhe të dyshuarit ka pasur një debat të ashpër, që përfundoi me plagosjen e Ylli. “I arrestuari dhe mjeku janë përfshirë në një debat me fjalë, por më pas 35-vjeçari ka nxjerrë një thikë dhe e ka qëlluar mjekun dy herë në zonën e hijes”, - deklaroi policia e kryeqytetit në një komunikatë për shtyp. Kjo e fundit i është referuar dëshmive të mbledhura në vendin e ngjarjes. Pas kësaj, mjeku 50-vjeçar ka rënë përtokë i gjakosur e më pas është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit, për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore. Sipas burimeve nga spitali, gjendja e mjekut endokrinolog është jashtë rrezikut për jetën, ndonëse ai duhet të qëndrojë nën trajtim mjekësor. Mjeku Agron Ylli ka qenë më parë për disa vite shef i repartit të Endokrinologjisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet. Sakaq, e njoftuar për ngjarjen, policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar, 35-vjeçarin Bujar Valiasi. Ky i fundit është prangosur vetëm pak orë pas krimit të kryer, në një prej lokaleve të kryeqytetit. Pasi është marrë në pyetje nga ana e oficerëve të policisë, mësohet se 35-vjeçari e ka pranuar sulmin ndaj mjekut Agron Ylli. Në dëshminë e tij të dhënë në rajonin e policisë, Valiasi është shprehur se kishte shkuar në klinikën private të mjekut Ylli, për të marrë një raport kempi për të shoqen, që kurohej prej disa kohësh në klinikën e mjekut. Duke qenë se mjeku ka refuzuar që t’i japë raportin, Valiasi ka debatuar ashpër me të, teksa nuk është mjaftuar vetëm me fjalë, por ka nxjerrë nga brezi edhe një thikë, me të cilën ka qëlluar dy herë mjekun 50-vjeçar. Tashmë ai do të procedohet penalisht për “Tentativë vrasjeje”.

Precedentët

Sulmi i djeshëm ndaj mjekut Agron Ylli nuk është rasti i parë, pasi gjatë muajve të fundit janë sulmuar dhe plagosur edhe dy mjekë të tjerë. Kështu, vetëm pak muaj më parë u qëllua me thikë mjeku Ali Refatllari, shef i pavijonit të kardiokirurgjisë në spitalin civil në kryeqytet. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth gjashtë muaj më parë, në ambientet e brendshme të spitalit “Nënë Tereza” në kryeqytet. Për këtë ngjarje u arrestua Arben Strazimiri, banues në rrugën “Haxhi Sina”. Sipas hetimeve, Strazimiri, 35 vjeç, është afruar pranë shefit të kardiokirurgjisë, Ali Refatllari dhe më pas e ka qëlluar tri herë me thikë. Dy goditjet e para i shkaktuan mjekut plagë në shpinë, ndërsa e treta goditi dorën e djathtë, duke prerë një prej gishtave të doktorit. Policia deklaroi se shkak për ngjarjen ka qenë një ndërhyrje kirurgjikale që kardiologu Ali Refatllari kishte kryer rreth dhjetë ditë para plagosjes së tij nga Strazimiri. Pacienti kishte vdekur, ndërsa nipi i tij, Arben Strazimiri, person me probleme mendore, akuzohet se është hakmarrë ndaj mjekut, të cilin dyshohet se ka dashur ta vrasë me një thikë. Ka qenë ndërhyrja e një agjenti të policisë, i veshur civil, ajo që ka shpëtuar mjekun. Strazimiri ishte proceduar penalisht edhe më parë, pasi dy vjet më parë kishte tentuar të vriste kunatën e tij, po me thikë. Pak pas kësaj ngjarjeje, në qytetin e Vlorës është qëlluar me thikë mjeku neurolog Kosta Koçi, i cili prej disa vitesh kishte dalë në pension. Mjeku neurolog u plagos në afërsi të godinës së poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku ai kishte klinikën e tij private. Pavarësisht se ky i fundit ka mbi tre muaj që u sulmua barbarisht, ku për pak humbi jetën, policia nuk ka mundur dot që të identifikojë dhe vërë në pranga agresorin e mjekut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›