Investimet, mosrealizim me 200 milionë dollarë
Deri në fillim të këtij muaji qeveria shqiptare kishte mundur të realizonte rreth 75 për qind të totalit të investimeve, të parashikuara për të gjithë vitin. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë me dije se vlera që mbetet për t’u investuar në muajin e fundit, në dhjetor, është shumë e lartë dhe thuajse e pamundur, megjithatë qeveria ka urdhëruar të gjitha drejtoritë e rrugëve që të zhvillojnë tendera deri më 31 dhjetor. Qeveria shqiptare për të tretin vit radhazi nuk arrin të investojë të gjitha paratë që buxheti i shtetit ka përcaktuar për investime, pavarësisht se qeveria asnjëherë nuk e ka përcjellë saktësisht këtë fakt. Vetëm në verë të këtij viti, Ministria e Financave tha se investimet vitin e shkuar nuk u realizuan, ndërkohë që vjet ajo tha se ato u realizuan plotësisht. Është e qartë se në këtë muaj qeveria shqiptare e ka të pamundur të investojë rreth 200 milionë dollarë, pasi për shumë punë publike nuk janë mbyllur volume punimesh të parashikuar të mbylleshin në fillim të vjeshtës. Gjithashtu, një pjesë tjetër e parave janë të parashikuara për punime që nuk kanë nisur fare dhe ato thjesht janë tenderuar. Paratë nuk mund të jepen pa u kryer punimet, pavarësisht se për një pjesë të caktuar janë zhvilluar tenderat. Në këtë kategori futen rrugët Levan- Tepelenë, rruga që shkon nga Bulqiza në doganën e Bllacës, rruga e Vlorës etj. Për disa objekte të tjera, të cilat janë në punë, nuk mund të jepen më pará, pasi ato nuk kanë pasur ritmin e parashikuar dhe nuk kanë respektuar afatet. Në këto punë publike, mosrespektimi i afateve do të thotë mosrealizim investimesh. Krahasuar me zëra të tjerë të investimeve, si shëndetësia apo arsimi, infrastruktura megjithatë është më mirë. Mosrealizimet e investimeve në arsim janë shumë më të mëdha dhe po ashtu edhe në shëndetësi. Respektivisht ato janë me 35 dhe 32 për qind mosrealizime dhe është e pamundur t’ia dalin deri në fund të këtij viti. Ajo që duhet thënë është se në infrastrukturë një pjesë e përgjegjësisë për mosrealizimin i takon paaftësisë së pushtetit vendor dhe paaftësisë së kompanive të ndërtimit për të përballuar volume të mëdha punimesh. Ndërkohë, në lidhje me mosrealizimet në arsim dhe në shëndetësi përgjegjësia është thuajse plotësisht e ministrive përkatëse dhe sidomos e dy ish-ministrave, të cilët e kanë bërë të pamundur realizmin e investimeve, pasi deri në verë investimet në këta dy sektorë ishin rreth 20 për qind e totalit vjetor. Në një kohë kur vendi vuan mungesa të mëdha në shkolla, spitale, ilaçe, infrastrukturë dhe nevoja për pará në këta sektorë është shumë e madhe, qeveria nuk arrin të investojë edhe ato pará që ajo ka.