Përballja me antiopozitarizmin
Së shpejti, në treg libri “Përballja me antiopozitarizmin” i publicistit Mero Baze. Libri është një analizë politike e modelit opozitar të krijuar nga viti 1997 deri më 2002, kur u zgjodh presidenti konsensual dhe u arrit marrëveshja Nano-Berisha. Libri përmban detaje dhe fakte interesante nga zhvillimet në opozitën e asaj kohe dhe sjell dëshmi tronditëse për ngjarje të tilla si vrasja e Azem Hajdarit, arrestimi i Sali Berishës, vjedhja e zgjedhjeve të vitit 2000 dhe 2001, përfshirja e Berishës në krizën e Kosovës në vitin 1999, si dhe përpjekjet për të shmangur delegjitimimin e opozitës prej frymës antiopozitare që krijoi qeveria përmes partive politike antiopozitare, medias antiopozitare dhe OJQ antiopozitare
Gazeta “TemA” do të botojë çdo të diel nga një kapitull prej këtij libri, i cili brenda muajit do të jetë në duart e lexuesit. Libri është pjesa e dytë e një triptiku për zhvillimet politike nga viti 1996 deri në vitin 2005. Pjesa e parë, “Kriza pas perdes”, që flet për krizën e vitit 1996-1997, është botuar me tirazh të kufizuar në vitin 2002, ndërsa pjesa e tretë është një përmbledhje e analizave politike të autorit nga viti 2002-2005.
Hyrje
Bashkë me një qeveri të re që po niste rrugën pas zgjedhjeve të 29 qershorit 1997, shoqëria shqiptare kishte para vetes një sprovë të madhe, rrugën dhe modelin që do të prodhonte një opozitë e re. Ky institucion, i cili i kishte munguar Shqipërisë deri në vitin 1991, për 7 vitet e para të lirisë nuk e kishte gjetur dot profilin e vet. Opozita afatshkurtër e Partisë Demokratike në vitin 1990-1992, ishte një opozitë thuajse revolucionare dhe pa tiparet e një opozite të strukturuar për shkak të ideve apo programit. Ajo ishte opozitë e komunizmit shqiptar dhe u votëbesua si e tillë. Opozita e dytë e Shqipërisë, ajo e vitit 1992-1997, ishte po aq e deformuar. Ajo e nisi rrugën si opozitë e demokracisë, u ndryshua gjatë rrugës nën presion ndërkombëtar dhe nga nevoja për të pasur realisht një opozitë ndaj gabimeve të PD, por nuk prodhoi dot kurrë alternativë politike. Deri në vitin 1995, ajo ishte një opozitë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në vitin 1996, ishte një opozitë përjashtuese, jokonkurruese dhe në vitin 1997 një opozitë revolucionare. Ajo nuk arriti të çonte dot në një triumf demokratik në vend dhe u rikthye në pushtet përmes një përmbysjeje. Pra, që nga viti 1990 në Shqipëri nuk kishte ndodhur ndërrim normal pushteti dhe kësisoj nuk kishim vetëm pushtet të deformuar, por dhe opozitë të deformuar. Mungonte modeli i saj. Ky problem i madh lindte tani dhe me opozitën e re të Sali Berishës. Natyrisht, ajo nuk kishte asgjë nga shkëlqimi dhe admirimi, me të cilën shqiptarët shihnin opozitën e vitit 1991, por nuk kishte as inferioritetin e opozitës së mundur me zgjedhje. Një ide konspirative që qarkullonte në fjalorin politik të saj, i bënte militantët më shumë të ndjeshëm ndaj idesë se ndaj tyre ishte bërë një padrejtësi e re historike. E vërteta në fakt nuk ishte krejt ashtu, por politikisht Partia Demokratike e ktheu këtë në një arsye madhore pse ishte në opozitë.
Në Kuvendin e parë të Partisë Demokratike, në tetor të vitit 1997, Sali Berisha rreshtoi si arsye të parë të daljes në opozitë atë që ai e cilësoi rebelim i armatosur komunist, i inspiruar nga forca antishqiptare. Ishte një kolazh ideologjiko-patriotik që mbante në këmbë korin e ri të opozitës. Kundërshtarët e Sali Berishës në opozitë ishin të pafuqishëm ta çarmatosnin atë nga kjo energji e re politike, e cila nuk dihej se çfarë do të prodhonte. Të dobët politikisht para Sali Berishës dhe me idenë e vjetër se ishte rast për ta hequr qafe, ata iu bashkuan zërave të pushtetit për nevojën e largimit të Sali Berishës nga skena politike. Kjo thirrje për linçim, e cila pritej me qetësi dhe pse jo me qejf nga Sali Berisha, ishte në të vërtetë shpëtimi i tij politik. Ajo ngjante si zë i dytë i korit të komiteteve dhe bandave të armatosura në Jug të Shqipërisë dhe i rriste dhe më shumë autoritetin atij te militantët e Partisë Demokratike. Njerëzit e pushtetit të PD në tërësi, ministrat dhe zyrtarët e spikatur, u larguan prej tij dhe ky ishte një rast i mirë për Berishën t`iu faturonte dhe pakënaqësitë që kishin prodhuar brenda PD me qeverisjen e tyre. Mbaj mend në një bisedë me një gazetar të ‘Zërit të Amerikës’ në fillim të vitit 1998, i cili po punonte për një libër rreth ngjareve të vitit 1997, se Berisha ndjehej shumë i kënaqur nga largimi i tyre. Një fjalë e urtë e jona thotë se “njerëz si këta, me i pas miq, të prishin punë”, - kështu i përkufizoi Berisha, duke e ilustruar me faktin se 15 ditë më parë ata e kishin votuar fshehtas për president dhe pas 20 ditësh i ishin larguar, duke e cilësuar Berishën antiamerikan. Nga ana tjetër, Berisha ishte shumë i qartë dhe për detajet e sulmeve kundër tij nga çdo vend që vinin. Ai kishte mundur të zhbironte përmes këshilltarit të tij Pollo edhe se kush ishte angazhuar për shembull për ta shpallur atë armik të shtypit në vitin 1997 në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve. “Ata që në Shqipëri kishin konsideruar komunizmin si fenomenin më të lartë të demokracisë dhe Berishën si diktator, gjetën edhe disa miq në SHBA, por që kësaj here nuk quheshin Shulman (ky i fundit, M-L, qe nga SHBA që deklaronte në mitingjet e Hoxhës se SHBA duhet të marrë shembullin e Shqipërisë), pas kushërinjve të tij që tani drejtojnë komitete për mbrojtjen e gazetarëve apo të tjerë që i instruktuan ish-komunistët në selinë e tyre, të çirren “Berisha – Pinoçet!”, siç bëri Bianka Xhenger apo ndonjë tjetër si ajo.” Ndërsa zbardhja për kolegun tim këtë fjali, pata ndjesinë se Sali Berisha ishte realisht i qartë se çfarë i kishte ndodhur dhe realisht i interesuar që kjo gjë të mos merrej vesh shumë publikisht. Për të viktimizimi ishte më i rëndësishëm se “klarifikimi” i asaj që kishte ndodhur.
Ndjehej shumë i sigurt në spiralen që kishin marrë ngjarjet politike pas ikjes nga pushteti dhe PD filloi të funksiononte si një qendër që mobilizonte energji të reja me idenë se pushteti i marrë me armë nuk mund të gëzohet. I vetëviktimizuar më shumë se sa e viktimizonin ish-bashkëpunëtorët e vet, me mitin e njeriut që nuk ishte personalisht i korruptuar, Sali Berisha nisi të projektojë një opozitë të pashembullt më parë në historinë e këtij vendi, një opozitë të ashpër, që provokonte skena mbijetese përballë pushtetit dhe që mbështetej te virtyti dhe viktimizimi. Të qenurit opozitar filloi të kthehej në një lloj feje, në një lloj misioni shoqëror dhe mbi të gjitha, në një lloj sprove karakteri. Ishte një opozitë që operonte pa pará, përballë milionave që qarkullonte pushteti, një opozitë që operonte pa media, përballë ushtrisë mediatike antiopozitare, një opozitë që operonte pa figura përballë figurave të pushtetit, një opozitë që operonte pa projekte politike përballë sforcimit të pushtetit për të kuptuar projektin e saj. Ishte një test i pafund që seleksiononte figura, karaktere dhe projekte politike.
Shumë herë kam menduar se cilët mund të ishin ata që mund të zëvendësonin Sali Berishën pas vitit 1997 dhe asnjëherë nuk kam gjetur një emër. Por fakti që ai arriti t`i mbijetojë modelit të opozitës që prodhoi është padyshim një lojë e fituar në fushë të tij, siç do të shprehej ai vetë në rrëfimin e tij për vitin 1997: “Të jesh në pushtet, vërtet është një privilegj, të jesh në opozitë, është nder, ndërsa të qëndrosh si opozitar në kushtet e një terrori të vërtetë që ish-komunistët ushtrojnë sot, është një nder i veçantë.
Unë, më shumë se çdo gjë, besoj Zotin dhe votën e lirë. Të ardhmen time politike do ta përcaktojë Zoti dhe vota e lirë e shqiptarëve.”
Duke e lënë të vetëm menjëherë sapo humbi pushtetin, duke iu bashkuar korit të pushtetit kundër tij, duke lënë një PD pa struktura dhe organizim të brendshëm, duke zhdukur milionat e krijuara përmes bizneseve që kjo parti kishte mundësuar, kur ishte në pushtet, garnitura rreth Berishës dhe Meksit, nuk mund të ishte më oponenca e tij. Për fatin e tij, në vitin 1997 atij iu gjendën në krah një numër figurash të reja politike, të ofruara prej tij dy vitet e fundit dhe ai nisi një opozitë normale me emra dhe figura të reja të paimplikuar më parë. Ritvan Bode, Jozefina Topalli, Genc Pollo, Albina Karamitro, Ferdinand Xhaferri, Albert Brojka, Leonard Demi etj., ishin emra, te të cilët nuk ishte grumbulluar ndonjë aversion popullor. Problemi ishte se ata ishin të përshtatshëm për një përdorim. Pas sprovës së parë të opozitës radikale ata u dorëzuan dhe iu bashkuan modeleve të mëparshme të kundërshtarëve të Berishës. Aftësia e tij për t`i personalizuar konfliktet ishte në njëfarë mënyre talenti që e mbajti aq gjatë, aq gjallë dhe aq të padiskutueshëm në opozitë. Ai ishte akuzuesi i pushtetit dhe denoncuesi i tij. Ai merrte përsipër të artikulonte të vërteta të frikshme që trembnin njerëzit e thjeshtë dhe tkurrnin kriminelët. Natyrisht, në këtë marsh denoncimi ai kishte pasaktësitë e tij të mëdha, që askush nuk ia vërente më. Kjo i shtoi dozën e frikës pushtetit prej tij dhe ai u bë një institucion më vete shprese për gjithkënd që nuk gjente dot drejtësi dhe shpresë te pushteti. Konferencat e tij të përditshme, mitingjet tradicionale dhe fjalori i shthurur ndaj kundërshtarëve vizatuan portretin e një lideri me hije të rëndë, por ngjallnin dhe një mister për energjitë e një misionari.
Por, kryefenomeni, me të cilin u ndesh kjo opozitë, ishte antiopozitarizmi. I prodhuar prej shtetit si një mënyrë për të delegjitimuar opozitën, ai u institucionalizua në vitin 1999, kur nën një investim të pashembullt shtetëror u mbështet një grupim politikanësh të rinj të shkëputur nga PD për ta zëvendësuar atë gati dhe legalisht. Partia Demokratike e Re e Genc Pollos arriti të paraqitet në zgjedhjet e vitit 2001 me siglën PD, duke regjistruar një rekord ndoshta ndërkombëtar të falsifikimit të dhunshëm të votave në një vend. Përveç partive opozitare të modelit “Pollo”, u prodhuan gazeta antiopozitare, OJQ antiopozitare, intelektualë antiopozitarë dhe natyrisht, shpeshherë për ilustrim dhe diplomatë antiopozitarë. Kjo ka qenë një betejë e pamoralshme dhe e fituar vetëm nga mbijetesa. Ka qenë i paprecedent rrethimi mediatik i opozitës dhe izolimi i çdo individi që ishte afër opozitës. Ka qenë i paprecedent investimi i përbashkët mediatiko-shtetëror për të diabolizuar liderin e opozitës dhe për të injoruar problemet reale që shkaktonte qeverisja. Ka qenë i pazakontë qëndrimi konstant i gjithë organizatave proqeveritare në krah të qeverisë socialiste. Mbijetesa e opozitës përballë këtij fenomeni ka qenë një ngjarje e madhe dhe vlerë e prodhuar në shoqërinë shqiptare. Kjo i dha shans Sali Berishës në fund të mandatit të vet opozitar të kishte të drejtën të bënte makiazhin e ndryshimit. Ai thirri sërish në parti ish-themelues të larguar që e morën shpejt veten, antiopozitarë të sfilitur nga beteja me të dhe të dorëzuar në gjunjë para tij për disa mandate deputetësh, si dhe të ftonte për t`u futur në politikë emigrantë të ikur kryesisht në Kosovë dhe Perëndim për shkollim dhe punë. Ishte në të drejtën e fitimtarit dhe të të mbijetuarit të vendoste. Me lehtësi të madhe bëri bashkë një aliazh të tyre dhe e ofroi si finale të opozitës së tij.
Kjo është një histori opozite që nuk përsëritet më dhe sikur të rikthehet sot në opozitë sërish Sali Berisha. Nuk përsëritet, se kanë ndryshuar të gjithë, kanë ndryshuar personazhet, rrethanat dhe kultura politike. Ajo i përket tashmë historisë. Kushdo që do t`i lexojë këto faqe libri, do t`i vlejnë vetëm për të kuptuar çfarë ka ndodhur, por do të jenë të padobishme për një të ardhme të ngjashme në këtë vend. Kjo opozitë nuk i ka bërë keq shoqërisë, as vendit. Kjo opozitë ka provuar se dhe mbijetesa prodhon vlera morale në shoqëri. I vetmi dëm që ka prodhuar kjo lloj opozite është që vonoi formimin e një modeli të ri opozitar në Shqipëri, një standard që të konsolidohet më tej si traditë në këtë vend.
Kapitulli 1
Çmontimi i pushtetit
Më 30 qershor, në mëngjes, Sali Berisha ishte i qetë në rezidencën e tij afër Pallatit të Brigadave. Nata e 29 qershorit duhet të ishte një natë e gjatë reflektimi për të, pas disa muajsh dramatikë. Shqipëria i kishte shpëtuar më në fund triumfit të një revolucioni dhe ishte formalizuar një proces i ndërrimit të pushtetit me votime, një stad parademokratik i zgjedhjeve të lira. Në zyrën e tij, rreth orës 9 të mëngjesit, gjeta Besnik Mustafajn, ende ambasador i Shqipërisë në Francë. Përveç lidhjeve politike, një raport më personal i hershëm mes tyre, i bënte ata të ishin më shumë se aleatë politikë. Në zyrën e rrëmujshme të ditës që ai kishte improvizuar në rezidencën e tij, në atë që quhej Vila 4 në krah të Pallatit të Brigadave, ambasadori po dridhte cigaren e radhës dhe po vërtitej t’i hapte një temë bisede që dukej se e vinte në siklet.
Berisha po fliste ndërkohë për të papriturat e natës dhe sidomos lajmin që media italiane kishte dhënë për fitoren e monarkisë në Shqipëri. Ishin biseda parazitare pa ndonjë këmbëngulje për t’u marrë si zhvillime reale. Besniku më në fund u përpoq të shpjegonte shqetësimin e tij.
- Duhet të bëjmë një deklaratë që njohim zgjdhjet!
- Natyrisht, - tha Berisha. - Ne do ta dorëzojmë pushtetin. Zgjedhjet nuk mund të them që janë të lira, por pushtetin do ta dorëzojmë.
Besniku lëvizi pak më lirshëm në kolltukun ku ishte zhytur dhe e shtyu ndezjen e cigares që sapo kishte dredhur.
- Kjo është shumë e rëndësishme, - tha. - Më kanë kapur disa ambasadorë këtu dhe këta të OSBE. Janë të shqetësuar dhe duan një artikulim të qartë për këtë.
Berisha tha diçka si pëshpërimë, pa ndonjë rëndësi dhe ndërroi bisedën. Besniku u ngrit dhe ndezi cigaren në korridor.
Në fakt, po më dukej interesant shqetësimi i tij për një gjë që s’më kishte shkuar në mendje. Po përpiqesha të hamendësoja se çfarë i kishte shtyrë disa diplomatë në Tiranë të mendonin se Berisha nuk do ta dorëzonte pushtetin. Dhe sa herët në mëngjes ishin kujtuar për këtë, se ora ishte ende 9 e mëngjesit dhe Besniku duhet të kishte arritur në rezidencën e tij para meje.
Pasi tymosi cigaren, hyri sërish brenda dhe biseda vazhdoi me gjëra të zakonshme. Berisha tha se do të bënte një deklaratë, ku do të përsëriste vendimin e tij për dorëheqje, në rast se PD do të humbiste zgjedhjet dhe do të shkonte në parti.
- Natyrisht që dhe Tritani do të bëjë një deklaratë, - tha ai.
Gjërat po bëheshin më të qarta për të. Do të shkonte të drejtonte partinë më të madhe, tashmë në opozitë.
Zgjedhjet e 29 qershorit i dhanë fund një krize të gjatë politike dhe më shumë sesa nga rezultati kishin rëndësi historike për sa i përket certifikimit të kalimit të pushtetit përmes zgjedhjesh formale. Të paraprira nga një fushatë e dhunshme, e cila kulmoi me disa episode të përgjakshme, zgjedhjet patën rëndësi, pasi shmangën largimin nga pushteti të një partie politike përmes kryengritjes dhe ndërprerjen e jetës institucionale në vend. Realisht, rezultati i zgjedhjeve ishte rezultat i dhunës dhe jo i votimit, por ai nuk deformonte prirjen që Partia Socialiste duhet të ishte fituese. Fakti që balotazhi ishte një rënie e lirë e ish-partisë në pushtet nën forcën e armëve, në fakt, u bë një bazë për revansh kundrejt institucioneve dhe konsolidim të së majtës në institucionet kryesore shtetërore, si gjykatat, prokuroria, Shërbimi Informativ, policia, ushtria etj., pasojat e së cilës do të ndjeheshin më vonë. Zgjedhjet e zhvilluara në kushtet e mungesës së autoritetit ligjor e shtetëror u cilësuan si “zgjedhje të pranueshme për momentin”, por, në të vërtetë, ato shërbyen si zgjidhje afatgjatë.
Ideja e Pajtimit Kombëtar që vërtitej si strategji kryesisht e imponuar nga jashtë, por që pati një ngjarje të madhe brenda vendit, më 9 mars 1997, në të vërtetë nuk po funksiononte.
Megjithëse disa ditë para zgjedhjeve të qeshorit të dyja palët kishin nënshkruar në Romë një dokument bashkëpunimi që paracaktonte se postet kryesore në komisionet parlamentare dhe drejtimin e Kontrollit të Shtetit do t'i merrte partia opozitare, nuk pati ndonjë bilanc real. Partia Socialiste nuk pranoi dhënien e komisioneve kryesore parlamentare opozitës demokrate dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit formalisht ia dha një personi, i cili mori vërtetim se i përkiste një partie opozitare pa asnjë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve.
Opozita fillimisht i njohu zgjedhjet, por dënoi klimën, në të cilën ato u zhvilluan. Ajo nuk pranoi të ishte prezente për një kohë të gjatë në Kuvend dhe disa muaj më pas i cilësoi si një zgjidhje e padobishme politike dhe radikalizoi betejën për zgjedhje të reja.
Drejtësia, viktima e parë
Pas disa acarimeve të lehta brenda së majtës, Fatos Nano kishte arritur të linte në hije gjithkënd që kërkonte të ndjehej si i pari i pushtetit të ri. Pasi ofroi Rexhep Meidanin për president, ai formoi një kabinet që i jepte shumë peshë emrave të koalicionit thuajse formal që kishte krijuar gjatë fushatës së vitit 1997. Socialdemokratët e Gjinushit dhe Aleanca Demokratike morën pika kyçe në pushtet, siç ishin parlamenti, Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme. Paralajmërimet e Uashingtonit dhe BE ishin si zakonisht kundër revanshit dhe sidomos kundër kthimit të njerëzve të vjetër të policisë sekrete në pushtet. Fatos Nanos kjo duket se iu tha në mënyrë të qartë edhe në Uashington, duke i kërkuar si rrugëdalje përdorimin e njerëzve që kanë punuar me qeverinë e mëparshme.
Kryeministri i ri filloi të bëjë zhurmë rreth kësaj. Ngriti një teori të tërë mbi gjithëpërfshirjen dhe ndërtimin e administratës së re në bazë të aftësive që ai e quajti fushata e “meritokracisë”. Por, në rrëmujën e parë të dyndjes drejt pushtetit u panë dhe shenjat e qarta të çmontimit të pushtetit të vjetër. U përvijua njëfarë strategjie. Në qendër të goditjes u vu gjyqësori, një detaj befasues ky për një parti që po vinte në pushtet prej anarkisë.
Nën një breshëri akuzash, si e përdorur politikisht prej Berishës dhe me një armatë të tërë juristësh të kohës së komunizmit, militantë të Partisë Socialiste, ky, në të vërtetë ishte dhe instrumenti i parë që mund të vihej më lehtë nën kontroll prej pushtetit të ri. Në qendër të goditjes u vu Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për të cilin u propozua një formulë gati popullore që mundësonte mbizotërimin e tij me militantë socialistë. Formula e re e la Këshillin e Lartë të Drejtësië vetëm me 5 gjyqtarë, ndërsa pjesën tjetër e mbushi me juristë të administratës së re.
Për shkak të shumicës absolute që e majta kishte në Kuvend, ligji “Mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë” u ndryshua me një amendament. U ndryshua mekanizmi i zgjedhjes së anëtarëve të KLD, të cilët më parë zgjidheshin 70 për qind nga Kolegji i Avokatëve dhe Prokurorëve me votim të fshehtë. Ndryshimi ulte numrin e të zgjedhurve nga Kolegji në 38 për qind. Ky amendament i krijoi mundësi parlamentit të dominuar nga socialistët të zgjidhte 62 për qind të anëtarëve.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Avni Shehu, në atë kohë e kundërshtoi fort ligjin dhe tentoi të bëjë një betejë publike për të, por ishte shumë i pafuqishëm dhe i pambështetur.
Njeriu që ekzekutonte ndryshimet ishte ish-avokati i kryeministrit Fatos Nanos, Përparim Sanxhaku dhe Dashamir Kore, një ish-ministër Drejtësie i qeverisë së fundit komuniste, të cilët u bënë dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Situata u bë paradoksale, pasi shumë prej ish-avokatëve që kanë mbrojtur njerëz për vepra penale përballë gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe atyre të Apelit tashmë u bënë zyrtarë të lartë të drejtësisë dhe filluan të hakmerren ndaj gjyqtarëve. Dualiteti mes ish-avokatëve që po bëheshin titullarë të drejtësisë dhe gjyqtarëve të emëruar në punë pas vitit 1992 u bë strumbullari i betejës.
Sulmi filloi, pasi u improvizua një pushim i detyrueshëm për gjykatat në të gjitha rrethet dhe ata që e kundërshtuan, e pësuan. U shkarkuan në valën e parë rreth 30 prokurorë dhe shumë drejtues kyç në hierarkinë e drejtësisë u ftuan të jepnin dorëheqjen për të mos pasur probleme.
Pasi shtiu në dorë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, revanshi në drejtësi u bë i qartë. Gjyqtarët e emëruar në kohën që ishte në pushtet Partia Demokratike po rralloheshin me shpejtësi, ndërsa drejtësia filloi të përdorej së pari për të zhbërë dënimet e dhëna kundër krerëve të regjimit komunist gjatë viteve 1992-1996.
Kështu, më 30 shtator, me procedurë të përshpejtuar, Gjykata e Kasacionit shqyrtoi dosjet e 38 të akuzuarve për genocid. Arben Rakipi, prokurori i ri i sapozgjedhur, kërkoi heqjen e dënimit për genocid për ish-presidentin Ramiz Alia, disa anëtarë të Byrosë Politike dhe Manush Myftiun, kryetari i Komisionit të Dëbim-Internimeve. Ata u shpallën të pafajshëm. Dhënia e pafajësisë për krerët më të lartë të regjimit komunist ishte një gjëmë për opinionin publik. E djathta e traumatizuar dhe e majta e moderuar në të vërtetë po e përtypnin në heshtje lajmin. Por, shenja se pushtetin e ri po e shijonin të parët ata që që kishin bërë diktaturën në këtë vend, ishte e frikshme. Ata ishin përgjegjës për së paku vrasjen, persekutimin arrestimin dhe dëbimin për arsye politike të 400 mijë shqiptarëve. Gjyqtarët që kishin dënuar krerët e regjimit komnunist u pushuan nga puna si të deklasuar. Opinioni publik heshti. Të gjithë i kishte kapur një ndjenjë faji për atë që po ndodhte, por askush nuk fliste. Një mekanizëm i tmerrshëm frike kishte filluar të ngjizej në mendjen e shqiptarëve me idenë se ata janë rikthyer sërish. Krekosjet e pleqve të Byrosë në sallat e gjyqit me djemtë e tyre duke marrë pafajësinë ishin të trishtueshme dhe primitive. Një shoqëri e traumatizuar prej tyre, pasi kishte provuar zhgënjimin nga funksionimi i lirisë, shihte sërish në ekran fytyrat e atyre që ishin fajtorë për historinë e këtij vendi. Pushteti i ri kishte filluar punë me lirinë e tyre. Madje, drejtësia iu bëri nder atyre, para se t’i bënte një shërbim të dytë Fatos Nanos duke e shpallur të pafajshëm dhe duke i kthyer 7 milionë lekë si dëmshpërblim për burgun. Ish-byroistët, po ashtu, morën dëmshpërblime për ato pak vite izolim dhe burg që bënë në demokraci. Viktimat e tyre të regjimit komunist ende nuk kanë marrë asnjë lek nga ajo që iu takon prej persekutimit dhe padrejtësive që iu bënë të njëjtët njerëz. Një erë stalinizmi po frynte në atë fund vjeshte. Rehabilitimi i byroistëve po komentohej dita-ditës si një korrigjim i historisë. Ishte një fatalitet.
Pas rehabilitimit të ish-nomeklaturës dhe vënies nën kontroll të gjithë piramidës së gjyqësorit, akuzës dhe hetimit në Shqipëri, vëmendja u kthye nga opozita. U tentua që drejtësia, paralelisht me rehabilitimin e komunizmit në Shqipëri të përdorej edhe kundër opozitës.
Ndërsa Partia Demokratike ishte duke bërë Kuvendin e saj të parë pas ikjes nga pushteti në tetor të vitit 1997, Ministria e Drejtësisë u angazhua në një proces të hapjes së dosjes për drejtuesit e lartë të opozitës, me shpresë se kështu do të përçanin ekipin drejtues. Filluan të hidhen akuza në shtypin e kontrolluar prej qeverisë, sidomos në adresë të Pjetër Arbnorit dhe Sali Berishës, dy kandidatët për kreun e PD. Akuzat shkonin që nga bashkëpunimi me shërbimet e huaja deri te bashkëpunimi me Sigurimin e Shtetit. Në këtë fushatë u angazhua dhe vetë ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Thimio Kondi. Ishte një ogur i keq. Pasi nuk ndikuan dot mbi vendimet e Kuvendit të PD, u vendos ngritja e një komisioni për hetimin e ngjarjeve të vitit 1997. Aty ishte shpresa e madhe. Kompetencat e komisionit ishin të paqarta, por, së pari, ai duhet të shërbente si një komision special për hetimin e ngjarjeve dhe të paraqiste një raport në Kuvend mbi përgjegësinë e palëve në krizën e vitit 1997.
Komisioni, në të vërtetë, ishte një ankth i dyanshëm dhe socialistët vendosën aty figurat e tyre më fanatike, tri deputetë thuajse enveristë, dy prej të cilëve përfaqësonin fraksionet komuniste në Kuvend. Në emër të opozitës u caktua Spartak Ngjela, deputeti i vetëm që merrte pjesë në Kuvend në atë kohë në emër të Partisë së Legalitetit, për të cilën socialistët ushqenin shpresa se e kishin nën kontroll.
I pranueshëm për socialistët si një emër i distancuar nga Berisha, ata shpresonin në një alibi të mirë për të mbyllur një operacion parlamentar kundër opozitës. Opozita nuk e pranoi komisionin dhe nuk ia njohu përfaqësinë e saj Spartak Ngjelës. Por, ai vendosi të fillonte punë. Projekti i tij ishte më larg. Një vit më pas ai arriti ta përdorë këtë komision për t`u integruar në politikën e Partisë Demokratike dhe të avanconte në lidershipin e saj.
Operacioni i tretë që synonte çmontimin e pushtetit të vjetër, ishte paranoja që pushteti i ri kishte për firmat piramidale. Një sërë ndryshimesh ligjore goditën kushtetutshmërinë e pronës private dhe i hapën rrugë plaçkitjes së pasurive të firmave piramidale që kishin mbetur në formën e pasurisë së patundshme në Shqipëri.
Më 13 nëntor, Gjykata Kushtetuese vendosi anulimin e nenit 7 të ligjit 8227. Ky ligj, i cili përcaktonte rrugët që duheshin ndjekur për transparencën e firmave piramidale, u zhvlerësua dhe neni i ri barazonte fuqitë vendimmarrëse të administratorëve shtetërorë me pronarët e vërtetë të kompanive private. Me një procedurë triorëshe, Kuvendi miratoi dy amendamente kushtetuese.
Megjithëse operacioni dukej ligjor, në fakt, udhëhiqej nga paranoja politike se PD kishte nën kontroll pasuritë e firmave piramidale dhe se ato i duheshin marrë nga duart. Kjo, për të justifikuar brutalitetin antiligjor, me të cilin u ndërhy. Në të vërtetë, në kupolën e lartë të Partisë Socialiste kishte ankth për një sërë emrash të zyrtarëve socialistë të përzier në këto firma, të cilët duhet të mos shfaqeshin gjatë rrugës. Shumica e njerëzve të punësuar në këto firma ishin ish-socialistë tashmë në detyra zyrtare, që e dinin fare mirë se ç‘kishte mbetur pa u plaçkitur nga ato firma.
Pati protesta të kreditorëve dhe disa shoqata të tyre filluan të ngrenë zërin. Por askush nuk i dëgjoi. As opinioni publik nuk reagoi. Të traumatizuar nga ajo që ndodhi, të gjithë shikonin me indiferentizëm sesi filloi procesi real i plaçkitjes së këtyre firmave. Zyrat e “VEFA” te hotel “Drini” në Tiranë, ku ishte dhe një stacion televiziv, u plaçkitën brenda disa orësh nga njerëz të pushtetit, thuajse pa asnjë inventar, vetëm pse aty ishin futur në grevë urie disa kreditorë që kërkonin të ndalej plaçkitja zyrtare mbi pasuritë e firmave.
Një tjetër përplasje e fortë ndodhi me Gjykatën Kushtetuese, pasi asaj iu kërkua që brenda 30 ditëve të bënte rotacionin e tre anëtarëve. Gjykata e quajti të padrejtë kërkesën dhe e hodhi poshtë. Filloi një betejë e pashembullt politike kundër saj, duke akuzuar kryetarin dhe disa anëtarë si spiunë të agjenturave të huaja, bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe në fund, u kërcënuan me shkrirje të Gjykatës. Manol Konomi, një figurë legjendare e drejtësisë shqiptare, i cili kishte dhënë dorëheqjen në vitin 1951 nga kabineti i Enver Hoxhës, dha përsëri dorëheqjen, i fyer nga sulmet mbi Gjykatën. U krijua një klimë mbytëse dhe gjithë piramida e drejtësisë filloi të politizohej dhe të merrte pozicion politik për të qenë luajale me qeverinë.
Goditja e sistemit të drejtësisë dhe vënia e tij nën kontroll të plotë politik trimëroi dukshëm zyrtarët e rinj të administratës, të cilët injoruan paralajmërimet për të shmangur korrupsionin dhe për të vepruar në kundërshtim me ligjin. Pushteti i plotë mbi drejtësinë rriti arrogancën e tyre dhe fuqizoi veprat kriminale me prapavijë politike.
Pas kësaj radhën e kishte administrata. Ligji “Mbi organizimin e drejtësisë” iu mohoi të drejtën profesionale të gjithë juristëve, gjykatësve e prokurorëve që ishin diplomuar në vitet e postkomunizmit, 1992-1996, pasi cilësoheshin kolektivisht si fajtorë dhe të pakualifikuar në profesion. Ata e kundërshtuan këtë ligj, duke dëshmuar se shumë prej tyre ishin diplomuar edhe jashtë Shqipërisë, në Francë apo SHBA.
Juristët, të cilët prekeshin nga ‘Ligji për organizimin e drejtësisë’ nisën një grevë urie në fillim të janarit. Ata kërkonin anulimin e ligjit për rishikimin e vendimeve të KLD dhe për dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Thimio Kondi. Forcat e policisë i nxorën ata forcërisht nga Gjykata e Tiranës dhe shumë prej tyre u keqtrajtuan nga ndërhyrja e policisë.
Në fillim të janarit, një përfaqësi e tyre u prit formalisht nga Presidenti i Republikës, por asgjë nuk u zgjidh. Po kështu, spastrimi në prokurori u bë dhe më i plotë, për shkak të lehtësisë që ishte organ i centralizuar.
Goditja në bllok e administratës
Pas drejtësisë, administrata e lartë dhe e mesme ishte në shënjestër. Me një shumicë absolute në Kuvend dhe me lehtësinë për të ndryshuar çdo kuadër ligjor që iu jepte mundësi për të prishur dhe rindërtuar institucione, shumica e majtë filloi në fund të vjeshtës së vitit 1997 një fushatë të fortë spastrimesh, duke filluar nga universiteti, Ministria e Jashtme, Shërbimi Informativ, policia dhe sistemi i tatimeve dhe doganave.
Në shumë nga këto aksione u angazhuan figurat më të larta të Partisë Socialiste, të cilat duket se kishin ndarë detyrat për të marrë përsipër ndryshimet. Kështu, për ndryshimet në universitet, u angazhua Pandeli Majko, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i PS, i cili vuri në qendër të goditjes rektorin e asaj kohe, Prof. Dr. Nestor Tereskën, pasi ky i fundit kishte qenë kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lokale në tetor të vitit 1996. Pas shkarkimit të rektorit të Universitetit të Tiranës dhe shtatë rektorëve të tjerë, u vazhdua me ndryshimin e gjithë piramidës arsimore, me dekanët dhe më tej me drejtorët e shkollave në gjithë Shqipërinë.
Vetë kryeministri Fatos Nano urdhëroi shkarkimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, Shaban Demiraj, një nga emblemat e gjalla të gjuhësisë shqiptare dhe vendosi në vend të tij Luan Omarin, nipin e diktatorit Enver Hoxha dhe hartuesin e Kushtetutës staliniste të vitit 1976.
Në këtë fushatë spastrimesh kishte dhe elemente të racizmit, siç ishte për shembull urdhri i një zyrtari të arsimit në Tiranë me origjinë nga Skrapari, i cili urdhëroi heqjen e gjithë mësuesëve të shkollave me origjinë nga veriu.
Spastrimet prekën dhe institucione të tilla si Kontrolli i Lartë i Shtetit, bankat, Arkiva e Shtetit, Gjykata e Lartë etj. Arsyetimet ishin nga më banalet dhe nuk bëhej shumë kujdes që të motivoheshin ligjërisht. Një arsyetim terrorizues p.sh., ishte etiketimi se mund të kishe marrë pjesë në një miting të opozitës, që në atë kohë organizoi në Tiranë disa tubime, sidomos, pas plagosjes në Kuvend të Azem Hajdarit.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme u bënë shkarkime masive të nëpunësve të kualifikuar nën arsyetimin se ata duhet të ritestoheshin nga një komision, i cili shikonte vetëm biografinë e tyre politike. Kulmi arriti në shtator, kur me urdhër të ministrit të Jashtëm u shkarkuan brenda një dite të gjithë ambasadorët e Shqipërisë në botë. Një shkarkim i tillë ishte i pashembullt dhe ishte shenjë e qartë e një revanshi të plotë mbi diplomacinë. Dhe çfarë është më e e rëndësishme në këtë pikë, ka të bëjë dhe me vetë kompetencat që mund të ketë një ministër i Jashtëm për të urdhëruar shkarkimin e gjithë ambasadorëve. Kjo është një kompetencë që e ka Presidenti i Republikës dhe jo ministri i Jashtëm. Shkarkimin e ambasadorëve e pasoi largimi i thuajse gjithë personelit të ambasadave, të cilët klasifikoheshin si njerëz të administratës së Berishës.
Po kështu, Ministria e Jashtme bllokoi gjithë pasaportat e shërbimit dhe ato diplomatike, për të vendosur nën kontroll gjithë kategoritë që e kishin pasur këtë privilegj dhe në shumicë, për t’iua anuluar përfundimisht atyre.
Në fushatën e spastrimeve u përdor dhe institucioni i Presidentit. Ai shkarkoi në shtator 11 ushtarakë të lartë, të cilët ishin kualifikuar edhe në akademitë perëndimore, ndërkohë që riktheu në krye të Shtabit të Përgjithshëm një ish-oficer të lartë të regjimit komunist, Aleks Andonin. Ky i fundit ishte bërë i njohur për një përplasje mes opozitës së re të Partisë Demokratike dhe oficerëve të Shkollës së Bashkuar, më 21 shkurt 1991. Ngjarja, e cila u përkufizua më pas si një përpjekje për grusht shteti prej ushtrisë në mbrojtje të diktatorit Enver Hoxha, ishte po ashtu një sinjal i keq për rehabilitimin e kastës së vjetër të komunizmit. Oficerët e lartë të spastruar nga ushtria dhe të trajnuar nga NATO u përpoqën të reagojnë përmes disa organizmave të tyre, por pa shumë rezultat. NATO dhe përfaqësues të Perëndimit mbanin shënim largimet e tyre nga puna dhe e përcillnin shqetësimin pranë autoriteteve zyrtare, por asgjë më tej. Kushtëzimi i vazhdimit të bashkëpunimit me Shqipërinë në lidhje me reformën administrative ishte një dilemë e madhe për ta. Edhe pse paralajmërimet ishin të ashpra, mbeteshin paralajmërime. Në këtë proces rehabilitimi po shkeleshin ndërkohë dhe kritere të tjera, siç ishte legjislacioni për largimet e mëparshme të ushtarakëve nga puna dhe koha e qëndrimit të tyre jashtë Shqipërisë. Të gjithë ata që po ktheheshin në Shërbimin Informativ apo polici, në shumicë kishin punuar gjatë këtyre viteve në Greqi si emigrantë dhe tashmë po riangazhoheshin në detyra të rëndësishme shtetërore. Mungesa e kualifikimit dhe nevoja për të mbijetuar kishte bërë që ata shpesh të përdornin njohuritë e tyre mbi sekretet shtetërore. Nuk është se Shqipëria kishte sekrete të mëdha dhe ata ishin shumë të vlefshëm, por, në princip, thyhej një ligj që i humbiste deri diku seriozitetin shtetit shqiptar. Po ashtu, shumë persona të inkriminuar gjatë regjimit komunist, mes të cilëve krerë të Sigurimit të Shtetit, që nuk i lejonte ligji të riktheheshin në detyra zyrtare, u rikthyen.
Strukturat e policisë thuajse u spastruan tërësisht dhe në drejtoritë kryesore u emëruan ish-oficerë të inkriminuar të periudhës komuniste, të cilët dhe nga ana ligjore nuk kishin asnjë mundësi për t’u rikthyer në polici.
Një shembull tipik ishte Fadil Cani, i cili u emërua drejtor policie për Tiranën. Ai kishte qenë një nga figurat kryesore të policisë komuniste, i akuzuar për vrasje dhe genocid, përfshi largimin e shqiptarëve në ambasada më 2 korrik 1990, si dhe ngjarjen e 2 prillit 1991 në Shkodër, ku u vranë katër aktivistë të Partisë Demokratike. Ai ishte larguar jashtë Shqipërisë për t’i shpëtuar hetimit dhe ndjekjes gjyqësore dhe ndërkohë u emërua në një detyrë të lartë zyrtare në polici.
Kryetari i Komisionit të Verifikimit të Pastërtisë së Figurave zyrtare, Nafiz Bezhani, edhe pse i prirur që të justifikonte shumicën e këtyre emërimeve, reagoi disa herë, derisa paralajmëroi dhe dorëheqjen e tij, pasi emërimet po bëheshin në kundërshtim me ligjin për “Pastërtinë e figurës zyrtare”. Por, kulmi arriti, kur në janar 1998, parlamenti e ligjëroi të drejtën për rikthim të ish-kuadrove të inkriminuar të diktaturës në administratën shtetërore dhe pas kësaj, gjithçka ishte ligjore. Restaurimi i zemrës së regjimit të vjetër kishte përfunduar. Shtetin e kishin sërish në dorë po ata.
Në ndryshim nga pushteti qendror, pushteti lokal ishte në shumicë në duart e opozitës falë zgjedhjeve të tetorit të vitit 1996. Disa kryetarë bashkish në Shijak, Kavajë dhe Vlorë kishin dhënë dorëheqjen pas presioneve deri fizike për largimin e tyre, ndërsa disa kryetarë komunash në zona jashtë kontrollit, kishin braktisur detyrën nga nevoja për të mbijetuar. Bashkia e Gjirokastrës dhe Sarandës po ashtu u vu nën shënjestër, por falë integritetit të kryebashkiakëve, ato mbetën në duart e opozitës. Kryebashkiaku i Sarandës u detyrua me forcën e armëve të linte zyrën, por ai arriti ta mbajë kontrollin mbi bashkinë dhe të funksiononte më pas si i zgjedhur nga populli. Po kështu, dhe kryebashkiaku i Gjirokastrës. Kryebashkiaku i Vlorës ishte detyruar të ikte qysh në muajin qershor nga zyra e tij, po ashtu nën presionin e armëve dhe në vend të tij ishte emëruar nga Komiteti i Shpëtimit të Qytetit një institucion jolegjitim, i krijuar nga grupet e armatosura, një kryebashkiak tjetër, të cilin e sigloi qeveria.
Pati fillimisht zëra për zgjedhje të parakohshme lokale, por ndërkombëtarët i dekurajuan shpejt. Atëherë, filloi presioni financiar mbi ta dhe heqja e kompetencave. Në kundërshtim të plotë me Kartën e Autonomisë së Pushtetit Lokal, shumë nga kompetencat e bashkive dhe komunave u përqendruan në duar të qeverisë. Përqendrimi ndodhi sidomos në fushën e financave, lejeve të ndërtimit dhe shpërndarjes së fondeve sipas gjeografisë politike. Pati dhe presione fizike mbi kryebashkiakun e Tiranës, Durrësit, Lushnjës, Gramshit etj., por, më e rëndësishme ishte heqja e kompetencave të tyre.
Kështu, sulmi u përqendrua në Tiranë. Qeveria filloi t`i bëjë vetë tenderat për prokurimin e fondeve publike për rrugët e Tiranës, sikur bashkia të mos ekzistonte. Po ashtu, kryetari i Kuvendit, Skënder Gjjinushi, u vu në qendër të lëvizjes për marrjen nën kontroll të KKRTSH së Tiranës, pasi vetë ishte i përfshirë në interesa private me një investim pa leje ndërtimi në një zonë të shtrenjtë të Tiranës, ngjitur me pallatin e tij.
Spastrimi në pushtetin lokal arriti kulmin, kur kryeministri Fatos Nano urdhëroi në fund të tetorit 1997 shkarkimin e 420 sekretarëve të bashkisë, këshillave të rretheve dhe komunave. Për emërimin e sekretarëve të rinj u përdorën procedura të propozimeve partiake vetëm nga shumica në pushtet. Përplasjet me qeverinë nga bashkitë e opozitës shkonin shpeshherë në ekstrem dhe për gjëra të rëndomta. Fjala vjen, kryebashkiaku i Tiranës u përfshi në një konflikt me ministrin e Pushtetit Lokal, Bashkim Fino, sepse në fillim të janarit 1998 shpalli ditë zie për tre qytetarë të Tiranës, të cilët ishin vrarë në një pritë, duke udhëtuar për Tropojë, nga grupet e armatosura atje. Ministri i referohej një vendimi të KQ të PPSH i vitit 1964 që kufizonte të drejtën e autoriteteve lokale për të nderuar personalitete të qytetit dhe ia kalonte këtë kompetencë Kuvendit Popullor të asaj kohe.
Incidentet pasuan dhe në një takim që kryeministri Fatos Nano organizoi në Tiranë me disa autoritete lokale të disa rretheve. Truproja e kryeministrit goditi dhe fyeu publikisht dy të zgjedhur të opozitës në veri, vetëm pse ata kundërshtuan gjatë takimit idetë e kryeministrit.
Qeveria bllokoi procedurat e nisura për nënshkrimin e Kartës së Autonomisë Lokale dhe nuk pranonte që në hartimin e buxhetit për bashkitë dhe komunat të merrnin pjesë dhe vetë autoritetet lokale. Ajo që mbisundonte, ishte një përpjekje për të mos lënë asnjë qendër pushteti për opozitën, asnjë vend ku ajo mund të ndjehej e integruar në problemet e qeverisjes. Ata pak kryebashkiakë të PD, me të cilët qeveria ishte e detyruar të punonte, duhet të bënin shpesh kompromise të vogla ose të konfliktoheshin me partinë. E gjitha i ngjante një revanshi të qartë për ta përdorur prezencën e pushtetarëve lokalë të PD ose si diversion kundër saj, ose si aksion kundër saj, por kurrë si një situatë normale.
Opozita radikale si mjet mbijetese
Në fund të muajit gusht, Sali Berisha u rikthye në selinë e Partisë Demokratike. Ish-partia në pushtet ishte më e braktisur se kurrë dhe me një gjendje financiare të pabesueshme. Në numrin e saj të llogarisë kishin mbetur thjesht 80 dollarë të nevojshëm për të mbajtur hapur llogarinë bankare, ndërsa zyra e kryetarit ishte me qira te një ish-pronar i ndërtesës, i cili, natyrisht, nuk kishte marrë pagesë për një kohë të gjatë. Komandimet e bëra nga Këshilli Kombëtar për drejtuesit e rinj të PD kishin krijuar një sërë polemikash mes atyre që e ndjenin se kishin pak mundësi të riintegroheshin në ato struktura. I ashtuquajturi “Grupi i 27”, një lloj përfaqësie e ngarkuar për të hartuar procedurat për përzgjedhjen e delegatëve në Kuvend dhe hartimin e dokumenteve që do të miratonte Kuvendi, po përpiqej të vendoste disa rregulla, të cilat nuk mbetën pa u kritikuar. Ish-kryetari formal i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, dha dorëheqjen dhe Sali Berisha ishte kthyer në zyrën e tij si kryetar informal i Partisë Demokratike. Pas një periudhe qetësie u dëgjuan dhe pëshpërimat e para nga Tritan Shehu. Në disa intervista dhënë “Gazetës Shqiptare” ai filloi të flasë për mungesë rregullash loje dhe mosreflektim të PD për periudhën që ka qenë në pushtet. Ishte pak e tepërt të nisje polemika me të, por, sidoqoftë, ai pati një akses të fortë te gazetat më të flakta pro qeverisë për t`u paraqitur si kryetar i fundit i PD dhe disidenti i saj i parë në opozitë. E rrethuar nga një shtyp armiqësor dhe nga një radiotelevizion publik shumë agresiv ndaj saj, Partia Demokratike ngjante realisht e dënuar me vdekje për opinionin publik. Agresiviteti i RTVSH u rrit aq shumë dhe u bë aq antiopozitar, sa dy të tretat e edicioneve të lajmeve ishin vetëm me fyerje dhe sulme kundër opozitës. Në këto kushte, në një vendim tërësisht të pavarur Pjetër Arbnori, një legjendë e burgjeve komuniste në Shqipëri, vendosi të hyjë i vetëm në grevë urie në zyrën e tij për të detyruar shtetin të ndalte këtë fushatë monstruoze propagande kundër opozitës. Në fillim, i izoluar nga media, por pak nga pak simpatik në protestën e tij sublime, ai arriti të kthehet në një problem real për qeverinë, e cila ende nuk ndjehej e ngopur nga revanshi mbi gjithçka që kishte lidhje me Partinë Demokratike. Greva e tij ishte e vërtetë dhe protesta e tij ishte reale. Këto dy elemente i dhanë atij kurajë të vazhdonte me modesti grevën e vet dhe të tërhiqte vëmendjen e opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar. Megjithëse në një kohë të keqe, në fund të muajit gusht, kur shumica e zyrave janë të mbyllura për shkak të pushimeve, Arbnori arriti të marrë mbështetje nga politikanë të huaj, kryesisht francezë dhe italianë, si dhe të detyrojë politikën shqiptare të ulet në bisedime.
Vëmendja ndaj tij u rrit ndjeshëm pas 3 shtatorit, kur ai u zgjua në gjendje shumë të rëndë për jetën. Arbnori u dërgua në reanimacion, ndërkohë që parlamenti kishte debatuar një natë më parë lidhur me çështjet e ngritura prej tij, por nuk miratoi amendamentin e propozuar prej tij. Në këto kushte, Arbnori nuk pranoi ta ndërpriste grevën e tij. Partia Demokratike tha, se me gjithë insistimin e saj që zoti Arbnori ta ndërpriste grevën për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore, ai nuk kishte pranuar, duke theksuar se “nuk ka hyrë në grevë me mandatin e Partisë Demokratike”, por për të protestuar si deputet kundër pasqyrimit në median shtetërore të aktivitetit të opozitës. Mjekët thanë se jeta e tij ishte në rrezik, pasi kishte kaluar tri herë në gjendje kome. Opozita i ka bërë thirrje presidentit Meidani të mos e dekretojë ndryshimin e ligjit për shtypin, që ishte miratuar nga socialistët. Po ashtu, ish-kancelari austriak, Franc Vranicki, i cili ka shkëmbyer mesazhe me presidentin Meidani, i kishte kërkuar atij, sipas disa burimeve të brendshme, që të mos e dekretojë atë.
Ndërkohë, sipas agjencisë “Reuters”, e cila citonte zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme franceze, Zhak Rumelhardt, “Autoritetet më të larta franceze, Presidenti i Republikës, kryetari i Senatit, kryetari i Asamblesë Kombëtare dhe ministri i Jashtëm, janë duke ndjekur me shqetësim gjendjen e z. Arbnori”. Rumelhardt tha se ambasada franceze në Tiranë iu ka kërkuar autoriteteve shqiptare që të bëjnë lëshime politike në favor të ripajtimit kombëtar, me qëllim që vendi të fillojë ripërtëritjen ekonomike.
Vëmendja ndërkombëtare dhe serioziteti, me të cilin Pjetër Arbnori po shkonte drejt flijimit, tronditën jo pak dhe politikën shqiptare. Filluan së fundi negociatat mes grupeve parlamentare për të rënë dakord në miratimin e amendamentit ‘Arbnori’. Një ditë pas një marrëveshjeje të nënshkruar nga Genc Pollo dhe Pandeli Majko, më 7 shtator, të cilët u shprehën dakord me sugjerimet e presidentit Rexhep Meidani, Pjetër Arbnori njoftoi ndërprerjen e grevës. “Mendoj se parlamenti, duke marrë parasysh këto sugjerime, do të japë mesazhin se rruga e kompromisit është e vetmja rrugë e suksesshme për ndërtimin e demokracisë, gjë për të cilën sot u arrit një fitore e madhe. Nisur nga kjo, unë mund ta quaj grevën 20-ditore të urisë, të ndërprerë”, - theksoi Arbnori, në një mesazh të publikuar në Tiranë.
Presidenti Meidani kishte vendosur që parlamenti të rishqyrtojë “Ligjin për statusin e Radiotelevizionit shqiptar”, “me sugjerime për saktësinë që të garantojnë më mirë paraqitjen e opozitës në media dhe mosdiferencimin e institucioneve të shoqërisë”. Sipas Presidentit të Republikës, amendamenti duhet të saktësonte më mirë ndarjen kohore në edicionet e lajmeve të RTSH midis pozitës dhe opozitës. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste i tha medias zyrtare se marrëveshja ishte “shprehje e frymës së re të politikës që ne kemi shprehur”, ndërkohë që lideri i opozitës demokratike, Sali Berisha, theksoi se kjo ishte një “fitore e madhe”.
Po të hënën, Presidenca tha se zoti Meidani mori një letër nga presidenti austriak, Thomas Klestil, në të cilën ai i kërkon që të përdorë gjithë influencën e tij që të merren masat e nevojshme për të siguruar shëndetin e deputetit Pjetër Arbnori. “Kjo do të ndihmonte për eliminimin e çdo përshtypjeje në komunitetin ndërkombëtar se procesi i pajtimit kombëtar në Shqipëri, mund të rrezikohet”, - tha Klestil.
Fundi i grevës ‘Arbnori’ ishte një ogur i mirë për opozitën. Ajo kishte arritur një fitore të vogël në dukje, por të fortë në përmbajtje. Ajo kishte diktuar prezencën e saj në opinionin publik dhe i kishte vënë në njëfarë mënyre fre revanshit verbal ndaj saj përmes medias shtetërore. Nuk është se amendamenti ‘Arbnori’ e zhduku këtë klimë penalizuese ndaj saj, por ajo arkivoi një fitore të dobishme për biografinë e saj ende me shumë njolla në mënyrën e keqpërdorimit të medias shtetërore.
Dy ditë pas përfundimit të grevës së urisë së Pjetër Arbnorit, një delegacion zyrtar nga Shqipëria do të nisej për Kalkutë në varrimin e Nënë Terezës. Sali Berisha do të nisej vetë privatisht për të nderuar kujtimin e gruas së madhe shqiptare, me të cilën ai kishte një histori bashkëpunimi dhe miqësie. Problemet e para banale ishin financiare, pasi në arkën e PD nuk kishte asnjë lek dhe nëpunësve të asaj partie iu është dashur të dalin të kërkojnë pará borxh nga disa biznesmenë. Pastaj filloi sikleti i udhëtimit të tij, i vetëm, pa shoqërues dhe ngatërresa në avionin Romë-Dehli, ku i ishte dashur të zbriste për shkak të protokollit të gabuar që kishte përzgjedhur. Në Kalkuta, ku dhe bëheshin homazhet për Nënë Terezën, ai u ndihmua nga delegacioni i shqiptarëve të Amerikës që ishte aty. Delegacioni zyrtar thuajse nuk pati komunikuar fare me të. Përveç një takimi të rastësishëm në aeroportin indian në rrugën e kthimit, të cilin e përshkroi më pas Nikollë Lesi në gazetë, asnjë shenjë tjetër komunikimi nuk pati mes palëve. Ky ishte një tregues i fortë i ndarjes që ekzistonte.
Paqja e prodhuar nga zgjidhja e krizës ‘Arbnori’ duket se ishte thjesht një shkëndijë e vetmuar. Pushteti i ri bëri kujdes të demonstronte armiqësi dhe poshtërim në shumë akte të tij, të atyre kohëve. Përveç lirimit brenda ditës të 17 ambasadorëve më të rëndësishëm prej presidentit Meidani, shumë prej të cilëve u dekoruan nga vendet ku shërbyen, si Besnik Mustafaj në Francë apo Albert Aliçka në Austri, filloi të formohej dhe një front militantësh politikë në diplomaci që të shërbenin më shumë për denigrimin e opozitës dhe izolimin e saj sesa për punë të qeverisë shqiptare. Po ashtu, atentati ndaj Azem Hajdarit në Kuvend ngriti aq shumë tensionin në vend, sa shpresat për uljen e gjakrave u shuan.
Një detaj simbolik i përpjekjes për poshtërim të ish-lidershipit politik ishte detyrimi i shtetit për t`iu dhënë tre titullarëve të lartë, ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Kuvendit nga një makinë dhe shoqërues nga Garda e Republikës. Ministria e Brendshme i ofroi Sali Berishës, Pjetër Arbnorit dhe Aleksandër Meksit tri vetura “Renault 4” në dispozicion, prodhim i viteve `80, që zor se mund të gjenden në ndonjë park automobilistik në botë. Për ata që i njohin sadopak makinat, duhet të kujtoj se vetura të tilla përdoren nga gra trupvogla në Perëndim për të bërë pazarin, pasi brenda tyre nuk mund të futet asnjë trup burri normal. Sali Berisha me fizikun e tij as gjysmën e shpatullave nuk mund të fuste dot brenda veturës. Aleksandër Meksi po ashtu. I vetmi që bënte një përpjekje njerëzore për t`u futur përmes shumë manovrimeve fizike brenda asaj veture ishte Pjetër Arbnori. Ai filloi ta përdorte atë, duke ekspozuar çdo ditë para qytetarëve që e njihnin cinizmin e atyre që kishin ardhur në pushtet. Me stilin e tij popullor dhe të qetë, ai nuk ankohej për “dhuratën” që i kishin bërë “specialistët”, siç i quante ai me humor socialistët e rikthyer në pushtet. I vendosur të forcojë profilin e tij politik, ai vendosi vetë të ishte kandidat përballë Sali Berishës në Kuvendin e radhës që po përgatitej. Shpjegimet e tij ishin reale dhe të sinqerta. Pretendonte se ishte një figurë politike e ndryshme në temperament nga Berisha, më i afërt në konsensus me kundërshtarët dhe kritikët, më i besueshëm në antikomunizmin e vet dhe natyrisht, i vendosur të bashkonte çdo të pakënaqur brenda PD. Duke mos e konsideruar veten burim konfliktesh brenda Partisë Demokratike, Arbnori u përpoq të formonte profilin e “burrit të urtë” të PD që do të qetësonte gjakrat dhe do ta përgatiste partinë për trugën e gjatë të opozitës. Por, përballë tij ishte Sali Berisha. Ende shumë energjik dhe i qartë për stilin, me të cilin mund të mbijetohej politikisht, ai ishte partizan i radikalizimit të situatës dhe krijimit të një bërthame militante që do t`i dilte zot PD në këto vite. Realisht, ai nuk ishte shumë i interesuar të negocionte me të pakënaqurit brenda PD, por donte t`i detyronte ata të zgjidhnin ose atë, ose pushtetin. Radikalizimi ishte mjeti, me të cilin kjo bëhej me lehtë. Për këtë shkak, ai nuk linte rast pa përdorur për ta bërë këtë, përfshi dhe grevën stoike të zotit Arbnori. Me këto dy profile krejt të ndryshme dhe me një parti, e cila po ndiente goditjet e forta të revanshit politik, kongresi i tetorit ishte një formalitet sa i përket fituesit. PD në përgjithësi ose së paku të zgjedhurit e saj e përjetonin vitin 1997 si një padrejtësi historike dhe konspirative kundër tyre. Ata nuk mund të pranonin ikjen nga pushteti me armë dhe kjo gjeneronte një frymë radikale dhe mospranimi shumë të thellë. Fati i asaj partie në njëfarë mënyre ishte se, ndërsa ishte duke ikur nga pushteti, iu krijua një alibi historike që mbulonte gabimet e qeverisjes. Kjo i jepte shumë krah frymës radikale në parti dhe mospranimit të kundërshtarit.
Nga ana tjetër, kjo frymë forcohej shumë dhe nga gjestet e revanshit që bënin socialistët kundër opozitës. Tri ditë para Kuvendit të Partisë Demokratike, prokuroria në Tiranë kërkoi pushimin e çështjes penale ndaj ish-presidentit komunist, Ramiz Alia dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë të lartë, Hekuran Isai, Simon Stefani dhe Qemal Lame. Të katër ishin akuzuar për krime kundër njerëzimit, veçanërisht për vrasjet në kufi, në vitet 1990-1991. Pak javë më parë, ishin liruan nga të njëjtat akuza edhe 32 ish-funksionarë të lartë komunistë. Ky revansh provokativ natyrisht i jepte shumë pak shanse profilit të një opozite të butë dhe të moderuar.
Partia Demokratike po shkonte drejt Kuvendit të saj e qartë për t`u mbështetur rreth Sali Berishës, si një lider i fortë vendimmarrës dhe me fuqinë e supozuar se mund të përballonte revanshin e së majtës. Përpjekja e fundit ndërkombëtare për ta ftuar Berishën së bashku me Fatos Nanon në konferencën e donatorëve në Romë ishte po ashtu një dështim.
Sali Berisha kërkoi që qeveria shqiptare të binte dakord që raporti i saj në konferencën e Romës të ishte një raport që të përmbante pikëpamjet dhe vlerësimet e pozitës dhe opozitës. “Në rast se kjo nuk i përshtatet qeverisë, në konferencë të krijohet mundësia për të paraqitur vlerësimin dhe analizën e Partisë Demokratike për zhvillimet në Shqipëri”, - theksoi Berisha. Kjo gjë natyrisht nuk mund të realizohej prej qeverisë shqiptare, ndaj Berisha e refuzoi ftesën. “E konsideroj këtë një evenimet në jetën e politikës shqiptare, por asnjë anëtar i opozitës në Shqipëri dhe asnjë përfaqësues i vendeve pjesëmarrëse në Konferencën e Romës dhe institucioneve ndërkombëtare nuk do të ishte i interesuar për praninë time fasadë në delegacionin qeveritar, por për të njohur mendimin e hapur dhe vlerësimin e opozitës për gjendjen dhe zhvillimet në Shqipëri, problemet e mëdha, me të cilat përballet vendi pas 29 qershorit e ndoshta edhe alternativën tonë për zgjidhjen e tyre”
Përveç ftesës për në Romë pati dhe disa detaje të tjera të ftesave ndërkombëtare për bashkëpunim, por ato nuk u dëgjuan kurrë në Tiranë. Ministri i Jashtëm danez, Nils Helveg Petersen, theksoi në mes të tetorit se “ne e mendojmë të nevojshme pjesëmarrjen e Berishës dhe të demokratëve në zbatimin e procesit të reformave”.
Po ashtu, Kongresi evropian për pushtetet lokale dhe rajonale premtoi se do të dërgojë në Shqipëri dy misione pas informacioneve dhe një sërë ankesash nga bashkitë që drejtoheshin nga opozita, viktima të dhunës dhe të kërcënimeve fizike. Këshilli i Evropës premtoi se do të dërgojë një delegacion në Tiranë, më 28 deri më 30 tetor dhe një të dytë në disa qytete shqiptare, nga 15 deri më 20 nëntor.
Gjithë këto detaje të kërkesave për të mos thelluar revanshin dhe për të ecur drejt Pajtimit Kombëtar në të vërtetë ishin më shumë një periudhë hetimi për shoqërinë shqiptare nga Perëndimi sesa sinjale të forta dhe të vendosura.
Konferenca e Romës, në të cilën unë shkova si gazetar, filloi dhe mbaroi me kërkesën e ndërkombëtarëve që Shqipëria të bindë komunitetin ndërkombëtar se po bën përpjekje të vazhdueshme për të forcuar frymën e Pajtimit Kombëtar dhe për të forcuar besimin në vazhdimësinë e reformave demokratike në vend. Konferenca forcoi shumë tendencën për të kushtëzuar ndihmat financiare ndaj Shqipërisë me kushte politike që synonin një frymë bashkëpunimi mes palëve në vend. Mungesa e opozitës më të madhe në vend në konferencë dhe sidomos mungesa e dëshirës nga qeveria shqiptare për t`i dhënë asaj hapësirën e nevojshme të shprehjes së pikëpamjeve forcuan dyshimet për të ardhmen e bashkëpunimit. Si për t`i hedhur benzinë zjarrit, ditën që në Romë filloi Konferenca e Donatorëve, në Tiranë, Sali Berisha bëri publike tezën kryesore që do të kishte në Kuvendin e PD pas disa ditësh dhe që kishte të bënte me rishikimin e qëndrimit të PD ndaj rezultatit të zgjedhjeve të 29 qershorit. Berisha tha se partia e tij do të rishikonte qëndrimin ndaj zgjedhjeve të 29 qershorit, duke mos i konsideruar ato më si një zgjidhje politike. Në këtë situatë dukej se kishte pak shanse që ndonjë ndihmë e madhe ndërkombëtare të vërshonte drejt Shqipërisë.
Kryesuesi i radhës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, Zhan Pust, paraqiti në konferencën e Romës gjithë elementet kryesore që Bashkimi Evropian i vlerëson si të patjetërsueshme për të vazhduar strategjinë e tij të ndihmës për Shqipërinë.
“Kushti i parë është ndjenja e përgjegjësisë se janë shqiptarët që e kanë në dorë të ardhmen e tyre, që duhet të përpiqen të arrijnë objektivat e Pajtimit Kombëtar, normalizimit demokratik, sigurisë së brendshme e të jashtme dhe reformën ekonomike. Ndihma ndërkombëtare vetëm do të plotësojë këtë përpjekje. Kushti i dytë është kushtëzimi; ndihma ndërkombëtare do të kushtëzohet politikisht, kjo do të thotë se komuniteti ndërkombëtar dëshiron të shohë të konfirmuar në mënyrë të pakthyeshme pajtimin kombëtar. Komuniteti ndërkombëtar dëshiron vendosjen e një bashkëjetese midis autoriteteve qeveritare dhe partive të opozitës që të përputhen me parimet demokratike. Le të kujtohemi se pakti për të ardhmen e Shqipërisë u nënshkrua më 23 qershor 1997 nga drejtuesit e të gjitha partive politike në Romë. Ai pakt duhet ta ruajë të plotë vlerën e tij”, - theksoi Pust.
Ndërsa ministri i Jashtëm italian, Lamberto Dini, theksoi se stabilizimi ekonomik dhe normalizimi politik duhet të ecin me të njëjtin hap.
Ish-kancelari Vranicki, i cili drejtoi përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për tejkalimin e krizës shqiptare, tha nga ana e tij se “asistenca ndërkombëtare për Shqipërinë mbështetet në tri shtylla kryesore: qeverisja e mirë e vendit, demokratizimi dhe respektimi i të drejtave njerëzore dhe ndërtimi i institucioneve demokratike, rindërtimi dhe ripërtëritja e ekonomisë dhe sigurimi i rendit të brendshëm publik. Roli koordinues i OSBE është që të aplikojë metoda më fleksibël. Eksperienca e krijuar deri tani ka treguar se OSBE ka nevojë për një forum të përhershëm për të ndjekur më mirë dhe më nga afër zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri dhe për të shkëmbyer mendime me përfaqësuesit e vendeve dhuruese”, - tha Vranicki, duke pasqyruar materialin e grupit të punës.
Por zërat për Pajtim Kombëtar që vinin nga Roma dhe planet që bëheshin në Tiranë ishin krejt të ndryshme. Qeveria kishte shenja të forta revanshi ndaj opozitës dhe kjo e fundit, duke përdorur kushtëzimet ndërkombëtare për bashkëpunim ndaj qeverisë, radikalizoi qëndrimin e saj. “Ne i pranuam ato si zgjidhje e vetme për vendin, - tha Berisha, - por tashmë kjo zgjidhje nuk po funksionon. Partia Demokratike po shkon drejt kërkesës për një zgjidhje të re politike, dinamikën e së cilës do ta vendosë Kuvendi i saj”. Bomba e lëshuar prej Berishës në Konferencën e PD së Tiranës, u shoqërua dhe nga një vizatim pesimist i situatës në rajon, ku Berisha theksoi se “injorimi i faktorit shqiptar është një rrezik për paqen në rajon dhe se tolerimi i nacionalizmave fqinje forcon faktorët negativë në klimën politike në Ballkan.”
Në këtë klimë politike të mbushur me ngjarje të forta kundër opozitës dhe fitore të vogla të saj, si dhe me faktin që të dy palët përdornin kundër njëra-tjetrës thirrjen ndërkombëtare për pajtim, Kuvendi i PD që nisi më 17 tetor ishte thjesht një demonstrim mbijetese.
Kuvendi nisi më 20 tetor dhe ashtu siç pritej, Sali Berisha ngriti sallën në këmbë, kur deklaroi se nuk e njihnin më zgjidhjen politike të 29 qershorit. Me një retorikë të fortë sulmoi të gjitha linjat politike të pushtetit sidomos parlamentin, qeverinë, reformën fiskale, spastrimet në administratë, reformat në ligjet kushtetuese, si dhe atë që Berisha e quajti revansh mbi opozitën në përgjithësi dhe linjë të likuidimit fizik të kundërshtarit. U pa qartë ndërkohë, se grupi parlamentar nuk do të shkonte për një kohë të gjatë në parlament.
Berisha i kushtoi një rëndësi të posaçme analizës së humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 29 qershorit, duke rreshtuar si themelor konceptin e ish-opozitës për të marrë pushtetin me dhunë, duke shfrytëzuar të gjitha gabimet e Partisë Demokratike, ndër të cilat skemat piramidale ishin më kryesoret. Ky ishte ushqimi më i mirë për ta mbajtur të gjallë dhe të karikuar elektoratin e opozitës. Ky ishte fillimi i një modeli të pashembullt opozitar, i cili bazohej më shumë tek indoktrinimi dhe radikalizimi sesa te prekja me dorë e problemeve dhe konkurrenca normale. Por, ishte një zgjidhje e detyruar. Çdo version tjetër e kthente opozitën në organizatë joqeveritare.
Dy pika të tjera që tërhiqnin vëmendjen në Kuvend ishin raportet e Sali Berishës me Uashingtonin dhe qëndrimi i tij ndaj krizës së Kosovës. Në të dyja qëndrimet Berisha ishte i kujdesshëm, por dhe provokativ.
Berisha vlerësoi si jetike për Shqipërinë marrëdhëniet me SHBA dhe tha se në të ardhmen të dy palët duhet të jenë të hapura për vazhdimin e dialogut. Berisha iu referua disa “pikave të nxehta” që kanë ekzistuar në historinë e këtyre marrëdhënieve dhe “disa fërkimeve” që sipas Berishës kanë ndodhur për çështje interpretimesh, konceptesh, por dhe të problemeve të një demokracie në zhvillim. Tonet më miqësore të udhëheqësit të Partisë Demokratike ndaj SHBA duket se çliruan emocione në sallën e Kongresit, ku mbështetja e SHBA për ish-opozitën tani në pushtet shikohej ende me dyshim.
Kohët e fundit kishte pasur një ritensionim të marrëdhënieve të Berishës me administratën amerikane dhe sidomos me ambasadoren amerikane në Tiranë, Mariza Lino. Berisha e kishte akuzuar atë në takimin e tyre të fundit se kishte nxitur segmentet shtetërore për dhunë kundër shtypit të opozitës dhe se kishte qenë tërësisht e njëanshme në informacionin që i kishte përcjellë Departamentit të Shtetit për situatën në Shqipëri. E gjithë kjo kishte ndodhur, ndërsa ambasadorja ishte pritur me fërshëllima nga disa militantë par