E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, 5 mijë emigrantë bllokohen për 12 orë

Radha e gjatë e automjeteve dhe autobusëve i ka kaluar 7 kilometrat duke arritur deri në fshatin e parë shqiptar
Dyndja e emigrantëve që synojnë të kthehen për ditën e parë të punës në Greqi ka shkaktuar probleme
KAPSHTICË- Mbi pesë mijë udhëtarë prej më shumë se 12 orësh pritje janë vendosur në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Radha e gjatë e automjeteve dhe autobusëve i ka kaluar të shtatë kilometrat duke arritur deri në fshatin e parë shqiptar, Kapshticë. Situata e pazakontë e krijuar ka vënë në alarm policinë shqiptare e cila ka kaluar në gjendje gatishmërie, ndërkohë që menjëherë një autoambulancë dhe një personel mjekësor prej pesë personash gjendet në Kapshticë për të evituar dhe ndonjë rast emergjent shëndetësor mes mijëra udhëtarëve që janë duke provuar durimin e tyre për të marrë vulën hyrëse në shtetin grek.
Radha e gjatë është krijuar nga orët e para të mëngjesit të së dielës, meqenëse emigrantët kanë preferuar të udhëtojnë gjatë fundjavës pasi të hënën nis dhe mësimi në Greqi pas pushimeve të fundvitit. Në këtë mënyrë është krijuar dhe një dyndje e pazakontë, ku për herë të parë në historinë e saj në anën shqiptare në Kapshticë radha ka arritur në shtatë kilometra e gjatë. Sipas komandantit shqiptar të pikës së kalimit, Qamil Shkaba, në një prononcim për gazetën, situata gjatë të dielës ka qenë mjaft e rënduar, ndërsa vonesa sipas tij vjen nga pala greke e cila punon vetëm me dy sportele, pasi punon njëherësh dhe me personel të reduktuar. Festa e ujit të bekuar që ka përkuar me të dielën duket se është shkaku i reduktimit të numrit të efektivave grekë në pikën fqinjë të kalimit, ndërsa dyndja e udhëtarëve shqiptarë emigrantë në Greqi ka sjellë dje probleme në përpunimin e të dhënave të tyre, si dhe vonesa për të gjithë atë që kanë zgjedhur të dielën si ditën e tyre për të dalë nga Shqipëria drejt shtetit fqinj. Pavarësisht nga kjo, pala shqiptare duke dashur të evitojë këtë pritje që ka kaluar të 12 orët ku mes mijëra udhëtarëve në automjete dhe autobusët e linjave të përditshme me Greqinë ka dhe shumë fëmijë e të moshuar, ka marrë tre takime të njëpasnjëshme nga ora 08.00 e mëngjesit e në vazhdim me palën greke, ndërkohë që ka kërkuar prej tyre shtim të sporteleve.
Ndonëse pala greke ka pasur mirëkuptimin për të mos shkaktuar vonesa, sipas komandantit Shkaba gjithçka është e paevitueshme pasi dhe dyndja në të njëjtën kohë e udhëtarëve ka krijuar probleme serioze në kalimin ndërkufitar të tyre. Ndërkaq nga orët e para të mëngjesit të së dielës dhe konkretisht nga ora 01.00 deri pasditen e të dielës në orën 16.00, kanë lënë Shqipërinë dhe kanë hyrë në territorin grek mbi pesë mijë udhëtarë shqiptarë me rreth dy mijë automjete. Problemi i palës shqiptare ka qenë dhe ai i autobusëve të shumtë, ku kanë qenë mbi 20 të tillë të cilët janë "ngujuar" në territorin shqiptar, ose në kufirin e gjelbër në pritje për të dalë. Sipas komandantit shqiptar të pikës së kalimit, Qamil Shkaba iu është kërkuar autoriteteve policore greke kalimin e autobusëve për ti dhënë prioritet meqenëse në bord të tyre gjenden mbi 40 udhëtarë dhe çka e bën shumë më të vështirë pritjen për ta. Megjithëse autobusët kanë pasur lehtësira në çdo kohë në kalimin ndërkufitar të tyre, kjo nuk ka munguar as të dielën, porse numri i madh i tyre dhe autoveturave ka vështirësuar dhe kalimin e tyre duke lënë udhëtarët e tyre për më shumë se 12 orë në radhë. Pas kësaj situate që ka shpërthyer në mënyrë të befasishme nga mëngjesi i të dielës rreth orës 8.00 pala shqiptare ka shtuar elementët e saj të sigurisë në kufi, duke ushtruar dhe kontrolle të shumta, ndërkohë që është përpjekur të mbahet dhe rregull për të mos krijuar dhe abuzime me detyrën të policëve të shërbimit përkundrejt lejimit para kohe të atyre që tentojnë të kalojnë më shpejt. Sipas komandantit Shkaba, një pjesë e mirë e këtyre emigrantëve pritet të kalojnë natën jashtë në temperatura tejet të ulëta, megjithëse masat e mara prej tyre janë të shumta.
Kakavijë, 14 mijë emigrantë për 36 orë
GJIROKASTËR- Fluksi i emigrantëve shqiptarë që largohet përmes stacionit kufitar të Kakavijës, është rritur ndjeshëm gjatë ditës së djeshme, gjë që ka shkaktuar natyrshëm radhë të gjata. Vasil Valera, drejtori rajonal i kufirit dhe migracionit për qarkun e Gjirokastrës, tha dje se gjatë 36 orëve të fundit kanë dalë nga territori shqiptar mbi 14 mijë emigrantë, shifër kjo tepër e lartë gjatë fillimit të vitit 2008. Numri i emigrantëve që largohen çdo ditë përmes këtij stacioni kufitar është rritur dhe paralel me të është shtuar dhe numri isporteleve, gjë që ka ndikuar në lehtësimin e radhëve të gjata, tha nga stacioni kufitar i Kakavijës, nënkomisar Vasil Valera. Në kufirin Shqipëri - Greqi, në qarkun e Gjirokastrës funksionojnë dy pika kufitare, ajo e Kakavijës dhe e Tre-Urave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›