E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri në Universitet, alarmohen studentët

ELBASAN- Ka mjaftuar një pakujdesi nga një cigare e ndezur që për pak minuta në universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit të përhapet alarmi i një zjarri. Ngjarja është regjistruar rreth orës 14.00 në korpusin qendror. Fatmirësisht vatra e zjarrit ka qenë një ndarje midis dy godinave në universitetin e Elbasanit ku ishin grumbulluar disa letra. Në vendin ku është regjistruar zjarri kanë mbërritur zjarrfikësit duke evituar përhapjen e flakëve në godinat e universitetit. Tymi ka përfshirë godinën dhe për pak minuta është krijuar panik tek studentët. Situata është normalizuar nga zjarrfikësit të cilët kanë përdorur ujin për të izoluar zjarrin në katin e parë në ndarjen mes dy godinave. Mësohet paraprakisht se zjarri është shkaktuar nga një cigare e hedhur në këtë ndarje ku edhe gjendeshin disa mbeturina dhe nuk ka pasur dëme të tjera. B. N
Lezhë, 27- vjeçarja tenton vetëhelmimin
LEZHË- Një 27- vjeçare nga qyteti i Lezhës është dërguar me urgjencë në gjendje të rëndë në spitalin rajonal, ku menjëherë i është nënshtruar kujdesit të mjekëve të këtij spitali. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Lezhës thanë se 27- vjeçarja me iniciale V. M., nisur nga disa probleme stresuese që e kanë shoqëruar është konstatuar të ketë pirë në banesën e saj një ilaç helmues që përdoret për misrin i quajtur "Aragol". Kështu që doza helmuese e pirë nga 27- vjeçarja i ka shkaktuar asaj një gjendje të rëndë shëndetësore, por që me ndërhyrjen profesionale të mjekëve të spitalit shpresohet që gjendja kritike e saj të kalojë pa probleme shqetësuese që kanë të bëjnë me jetën.
Pakujdesia, adoleshenti plagoset me çifte
LEZHË- Një 15- vjeçar, banues në fshatin Tale të rrethit të Lezhës është vetë plagosur paraditen e djeshme me armë gjahu, (çifte). Burime zyrtare pranë komisariatit të policisë së Lezhës thanë se plagosja e adoleshentit 15- vjeçar, K. Dodaj, është bërë në momentin kur ai ka qenë duke dalë nga banesa e tij në fshatin Tale, ku si rezultat i pakujdesisë së armës së gjahut, (çifte), ajo është shkrehur aksidentalisht duke e dëmtuar atë në këmbën e majtë. Djali 15- vjeçar është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës, ku është duke iu dhënë ndihma e shpejtë. Forcat e policisë të mbërritur në vendngjarje, janë duke hetuar për rrethanat e ngjarjes në fjalë, e cila është konsideruar si vetëplagosje nga pakujdesia. Ndërkohë, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e gjahut, e cila sipas dokumentacionit i përkiste shtetasit Luigj Dodaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›