Përballja me frikën
Sonte në Korçë Konkursi Ndërkombëtar i Fotografëve të rinj kuruar nga Paula Muhr
"Sotiri Prize", konkursi ndërkombëtar për fotografë të rinj hapet sonte, ora 19.00 në Galerinë "Guri Madhi" të qytetit të Korçës. Është viti i tretë që Qendra Kulturore "Lindart", në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës organizojnë konkursin që mban emrin e fotografit korçar, një nga majat e fotografisë shqiptare të shekullit të njëzetë, Kristaq Sotiri.
"Përballja me frikën" quhet edicioni i këtij viti dhe për ta kuruar "Lindart" ka ftuar artisten serbe Paula Muhr. Titulli i përket një teme diskutimi mbi "marrëdhënien midis ndjenjave subjektive dhe rregullave shoqërore".
Mbi këtë temë, të gjithë fotografët nga bota të zgjedhur pas një faze të parë konkurrimi, do të japin rezultatin e tyre. duke e parë frikën, ndër të tjera, edhe si një nga shprehjet kulturore më dominuese ne shoqërinë bashkëkohore, konkurrentët janë ftuar nga Muhr "të flasin" për frikën si një fenomen shoqëror.
"Diskutimet mbi frikën kanë rëndësi në marrëdhëniet shoqërore, pasi bëhen ndërmjetës midis subjektivitetit të individit dhe rregullave shoqërore. Ato janë të rëndësishme sepse pasqyrojnë shpërndarjen e pushtetit në një strukturë shoqërore....
Po frika mund të jetë edhe e dobishme, pasi i shtyn njerëzit të jenë më të kujdesshëm në sjelljen e tyre, apo i nxit ata të ndryshojnë", shkruan Muhr në konceptin e saj kuratorial. Po sonte bëhet ndarja e "Sotiri Prize".