Mbytet në lumë në Berat 11-vjeçari, gjendet në Fier
FATKEQËSIA/ Gjergji Kalemasi ka qenë duke luajtur buzë lumit në fshatin Poshnjë. Trupi i tij u gjet të nesërmen në fshatin Kallm të rrethit të Fierit
Mbytet në ujërat e lumit Seman një fëmijë 11-vjeçar nga Berati, ndërkohë që trupi i tij u gjet një ditë më pas pranë fshatit Kallm të komunës Mbrostar të rrethit të Fierit.
Ka qenë ora rreth 13:00 kur disa fëmijë të këtij fshati që po laheshin në lumë kanë parë në mes të tij praninë e një kufome.
Të frikësuar ata kanë dalë në breg. Dikush prej tyre ka shkuar në një shtëpi ku banonte familja e Dashnor Çepeles.
Largësia e banesës së tij prej vetëm 100 metrash nga lumi, ka bërë që ai të dëgjonte britmat e fëmijëve dhe të dilte. Më pas ai ka thirrur policinë, e cila, e mbërritur në vendngjarje ka marrë trupin e fëmijës dhe e ka dërguar në morg. Atje, babai i të miturit ka bërë edhe identifikimin e djalit të tij.
Ndërkohë, eksperti mjeko-ligjor është shprehur se vdekja e fëmijës ka ardhur si rrjedhojë e mbytjes në lumë. 11-vjeçari ishte fëmijë i vetëm. Rreth orës 17:00 arkivoli i fëmijës doli nga morgu për t'u drejtuar për në familjen e tij dhe për t'i bërë nderet e fundit vogëlushit.
11-vjeçari nga fshati Poshnje u zhduk që prej pasdites së të enjtes dhe që në fillim u dyshua mbytja e tij në ujërat e lumit Seman. Rreth orës 18:00 të ditës së enjte, Gjergji Kalemasi ka dalë për të luajtur me shokët në anë të lumit, por nuk është kthyer më në banesën e tij.
Familjarët e djalit kanë kërkuar në të gjithë zonën dhe më pas kanë pyetur edhe shokët e tij, të cilët kanë treguar se kur janë larguar për në shtëpi, Gjergji ka mbetur në anë të lumit.
Burimet zyrtare të policisë kanë pohuar se pas kërkimeve të bëra natën duke gdhirë e premtja, kanë gjetur në anë të lumit rrobat e djalit dhe menjëherë kanë filluar kërkimet në lumin Seman.
Më pas janë ndalur kërkimet në lumë për shkak të errësirës dhe kanë rifilluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur edhe kanë ardhur në ndihmë të tyre polombarët dhe banorët e fshatit.
Xhaxhai i djalit, Xhezair Kalemasi, ka pohuar se fëmija ka qenë në shtëpinë e tij kur ka dalë për të luajtur me shokët e nuk është kthyer më. Xhezairi ka pohuar se, pasi ka filluar të erret e djali nuk po kthehej e pasi nuk e kanë gjetur në asnjë nga shokët, ata kanë njoftuar menjëherë policinë.
Edhe xhaxhai tjetër i djalit, Nazif Kalemasi ka pohuar se "për shkak të problemeve mendore nga të cilat fëmija vuante që prej lindjes, ai nuk largohej asnjëherë shumë larg nga shtëpia dhe në këto kushte jemi të bindur që Gjergji është mbytur në lumë".
Polumbarët dhe forcat e policisë i përqendruan kërkimet e tyre në rrjedhën e lumit Seman dhe pikërisht në zonën e Urës së Kuçit, ku edhe u mendua se mund të ishte trupi i pajetë i 11-vjeçarit.
Për shkak të gropave të thella që ekzistojnë në këtë zone, ku bashkohen dy lumenjtë Osum e Devoll, kërkimi ishte i vështirë. Trupi i tij i pajetë u zbulua në fshatin Kallm të Fierit mesditën e së premtes.
Tregon Dashnor Çepele: U trondita kur pashë fëmijën e mbytur
Ishte ora rreth 13:00 kur u ktheva në shtëpi nga punët e bujqësisë. Dëgjova që po më thërrisnin dhe kur dola jashtë pashë një fëmijë. Më tha se në lumë ndodhej një person i mbytur.
Në filim mendova se mos ishte mbytur dikush nga fshati. U trondita pasi një nip imi u mbyt në vitin 1991 po në të njëjtin vend ku ndodhej viktima. Vrapova bashkë me fëmijën që erdhi më thirri.
Kur tërhoqa kufomën pashë që ishte një fëmijë i vogël. Pasi e nxorëm, e mbështollëm me një çarçaf dhe më pas thirra policinë dhe u tregova ç'kishte ndodhur. Për ta verifikuar fëmijën erdhi babai i tij.