E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pinari me vulën e MEICO-s në xhep

Ish- sekretarja e drejtorit të akuzuar dëshmoi dje se shefi i saj kishte mbajtur vulën dhe dokumentet i vuloste vetë

TIRANË- Tre ish- punonjës të ndërmarrjes MEICO, dëshmuan dje në seancën e radhës së procesit "Gërdeci", duke rrëfyer detajet e hartimit të kontratës mes kësaj ndërmarrjeje dhe kompanisë SAC, si dhe procedurat e protokollimit të shkresave.


Sekretarja e kompanisë shtetërore MEICO, Anastasia Dhimitri, e cila e mban këtë funksion që prej vitit 1992, tha dje në seancë se vula e madhe për tetë muaj është mbajtur nga ish- drejtori i saj Ylli Pinari.


Sipas Dhimitrit, gjatë kësaj periudhe shkresat i kanë vajtur në zyrë të vulosura dhe të firmosura nga ish-drejtori i MEICO-s, Pinari."Dosjet protokolloheshin në mënyrë të rregullt. Vula e madhe e që duhej ta mbaja unë, është mbajtur nga vetë drejtori Ylli Pinari nga korriku i vitit 2007, deri ditën e ngjarjes së Gërdecit.


Drejtori mi sillte shkresat e vulosura dhe të firmosura dhe unë vetëm bëja protokollimin e tyre,- dëshmoi, sekretarja e kompanisë së Ministrisë së Mbrojtjes. Dhimitri deklaroi dje, nën cilësinë e dëshmitares, se ka bërë kërkesë që vula t'i rikthehet asaj, si një procedurë normale në punën që kishte.


Ajo pohoi se një ditë pas tragjedisë së Gërdecit, dëshmitarja ka bërë kërkesë për vulën, duke e rimarrë në dorëzim atë. Sa i përket kontratës mes MEICO-s dhe kompanisë SAC, e nënshkruar më 28 dhjetor 2007, Dhimitri u shpreh se pas protokollimit, kjo kontratë nuk i është vënë në dispozicion nga drejtuesit e kompanisë.


Ndërkohë, dëshmitari tjetër, Jusuf Deliu, specialisti i financës, në MEICO, tha se fatura e shitjes së municioneve bëhej në bazë tabelave të çmimeve të miratuara nga një komision i Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas dëshmitarit, nuk ka pasur tabela fikse çmimesh, për ambalazhimin e fishekëve.


Dëshmitari i fundit në seancën e djeshme të procesit "Gërdeci", ishte Spiro Zaka, i cili nga vitet 2002- 2008, bënte detyrën e shefit të marketingut të ndërmarrjes.


Sipas tij, nuk mund të hartohej dhe firmosej kontratë pa urdhrin e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që MEICO në këtë proces ishte vetëm si palë me komisioner.


Gjatë dëshmisë së tij, Zaka u shpreh se nuk ka pasur një rregullore të brendshme për demontimet, ndërkohë që për këtë proces ka pasur edhe kontrata të tjera përveç asaj me kompaninë amerikane SAC, me nënkontraktore shoqërinë Alba -Demil.


Për sa i përket kompetencave të MEICO-s, nuk ka pasur raste që të detyrohej MEICO, që për licensimin, pagesën e transportit dhe mbikëqyrjen e procesit të demontimit.


Nga të pandehurit që mbahen në arrest me burg, në seancën e djeshme ishin të pranishëm vetëm Ylli Pinari, ish- drejtori i MEICO-s dhe Sokol Ngjeçi, ish-specialist i kësaj kompanie.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›