Përballja me krimin e organizuar në Bosnjë
Agjencia shtetërore për hetim dhe mbrojtje e Bosnjës dhe Hercegovinës (SIPA) nisi një operacion të mërkurën (12 shtator) që ata thanë është ndërmarrja më e madhe kundër krimit të organizuar në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) dhe në rajon. Qindra policë morën pjesë në arrestimin e 25 personave të dyshuar si të përfshirë në së paku gjashtë vrasjeve të pazgjidhura dhe vrasje në tentativë, grabitje me armë të bankave, trafik droge dhe vepra të tjera. "Ne nuk do të ndalemi këtu, sepse ne besojmë se ka shumë më tepër njerëz të lidhur me këto grupe të krimit të organizuar të cilat janë të dyshuara për një seri vrasjesh të planifikuara dhe plaçkitje në vlerë prej mbi 5 milionë euro vetëm në BiH", tha Sadik Ahmetoviç, ministër i sigurisë. Midis të arrestuarve janë zyrtarë të rangut të lartë të agjencisë shtetërore të hetimit dhe mbrojtjes, si dhe zyrtarë të policisë kufitare. Serbia dhe Mali i Zi po marrin gjithashtu pjesë në operacion për shkak se shumica e të arrestuarve dhe të dyshuarve të cilët mbeten të lirë janë qytetarë të këtyre dy vendeve. Për të nënvizuar rëndësinë e veprimit të policisë dhe të bashkëpunimit rajonal, kryeministri serb Ivica Daçiç dhe Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi Ivan Brajoviç u bashkua me Ahmetoviç në një konferencë shtypi për të njoftuar rezultatet e operacionit. "Kjo është vetëm faza e parë e operacionit", tha Goran Zubaç, drejtor i agjencisë. Agjencia ka përgatitur padi penale për 43 të dyshuar të tjerë, shtoi Zubaç. Një nga qëllimet kryesore të operacionit është kapja e Naser Kelmendit, një shqiptar i Kosovës i dyshuar si koka e krimit të organizuar në BiH dhe rajon. SHBA e vendosi Kelmendin në listën e saj të zezë në qershor për përfshirjen e tij në organizimin e trafikimit të heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik në Ballkan dhe në pjesën tjetër të Evropës. Projekti për Krimin e Organizuar dhe Raportimin për Veprim, një OJQ rajonale, kanë raportuar se Kelmendi ka qenë prej kohësh i dyshuar nga ana e SHBA-së dhe autoriteteve rajonale si udhëheqës i një prej tre familjeve më të forta kriminale shqiptare në Ballkan. Thuhet se Kelmendi punon ngushtë me Muhamed Gashin, kapoja i dyshuar i mafias shqiptare në BiH. Policia e BiH tha se Kelmendi është arratisur në Mal të Zi ose Serbi, dhe riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal të policisë në mënyrë që operacioni të ketë rezultat. Zyrtarët shprehën shpresën se shkatërrimi i sindikatës më të madhe të krimit në BiH do të dëmtojë krimin e organizuar në vend dhe do të shkundë seriozisht botën kriminale në Ballkan. "Operacioni mund të zgjasë me vite ... sepse ne kemi shumë pyetje të hapura në BiH dhe në rajon në lidhje me luftën ndaj krimit [të organizuar]", tha Ahmetoviç. Qytetarët dhe partitë politike lavdëruar veprimet e policisë, edhe pse disa vajtuan faktin se policisë iu desh kohë shumë e gjatë që të vepronte. "Ne vazhdimisht dëgjojmë tregime se policia është e pafuqishme që të përballet me krimin. Ky operacion dëshmon se nuk është dhe duhet të kishte vepruar vite më parë", tha Erna Dzafro, studente nga Sarajeva. Por operacioni gjithashtu zbuloi prova shqetësuese se të dyshuarit planifikonin të vrisnin hetuesit e policisë që punojnë me çështjet e tyre në mënyrë që të trembnin policinë dhe publikun për të mos vepruar. Vrasja e shumëpërfolur e Jozo Leutar, zëvendës ministri i punëve të brendshme të FBiH, i cili vdiq në një shpërthim me bombë në makinë në vitin 1999 nuk u zgjidh kurrë, por publiku tashmë sheh një mundësi për një zbulim të madh. "Më në fund, ka shpresë për familjen e Leutar", thotë Hasib Tobudiç, banor i Sarajevës, i cili jeton në ndërtesën ngjitur me të cilën ndodhi vrasja.