E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballje shqiptarësh

Përballja ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë mund të konsiderohet e tëra shqiptare. Do të jenë rreth 15 futbollistë shqiptarë të shpërndarë në dy ekipe, që do të jenë akterët kryesorë në fushën e blertë në stadiumin ‘Swissporarena’ të Luzernit. Disa prej tyre do ta kërkojnë fitoren kuq e zi, e disa të tjerë atë helvetike. Gjakrat janë nxehur, pritjes po i vjen fundi. Një betejë e tillë ka kohë që s’ishte parë.

Përballja ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë ka zgjuar kërshëri të madhe në të dyja vendet dhe jo vetëm. Arsye kryesore e kësaj vëmendjeje të shtuar është fakti se në përfaqësuesen zvicerane paraqiten pesë futbollistë shqiptarë: Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.

Selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi, është duke e përgatitur një strategji se si t’u kundërvihet Helvetikëve. “Objektiv për Kombëtaren shqiptare është të mos dorëzohet kurrë dhe të besojë në një ëndërr. Do të luajmë për rezultat pozitiv. Dua ta bëj të pamundurën për Shqipërinë”, ka thënë trajneri italian në një intervistë për mediat zvicerane.

Edhe futbollisti kosovar Mërgim Mavraj, që mbron ngjyrat kuq e zi, pret që Shqipëria të dalë mirë nga kjo përballje. “Jemi super të gatshëm për ndeshjen e nesërme. Ne do të luajmë me 12 lojtarë, pasi që kemi tifozët përkrah. Shpresojmë t’u japim një kënaqësi të madhe të gjithëve. Mision yni është vetëm fitorja”, është shprehur mbrojtësi i Greuther Furthit.

Zvicra kërkon fitore ndaj Shqipërisë

Përfaqësuesja e Zvicrës e kërkon me ngulm fitoren ndaj Shqipërisë për ta vazhduar nismën e mbarë të kualifikimeve për botërorin ‘Brazili 2014’. Helvetikët e nisën mirë fazën e eliminatoreve për botërorin ‘Brazili 2014’ duke e mposhtur Slloveninë në Lubjanë.

Prandaj, ata synojnë ta vazhdojnë këtë ecuri edhe në duel me shqiptarët për ta rrëmbyer kreun e tabelës me dy fitore. Xherdan Shaqiri beson se skuadra e Ottmar Hitzfeldit ka kapacitet për ta mposhtur atë të Gianni de Biasit.

“Mezi pres të luaj dhe e dua fitoren me çdo kusht”, ka thënë për ueb faqen 20min.ch mesfushori kosovar, që e përfaqëson Zvicrën. Natyrisht, nëse shënon, ai nuk do të festojë. Për këtë zviceranët mund ta arsyetojnë, pasi që ka prejardhje shqiptare.

Edhe futbollisti tjetër kosovar që e përfaqëson Zvicrën, Valon Behrami beson se ai me shokë mund të dalin fitues përballë Kuqezinjve. “Kur të fillojë ndeshja, do të jetë një lojë normale për mua. Kjo do të thotë se kam me të vërtetë dëshirë të fitoj”, deklaroi mesfushori i Napolit.

Presin provokime dhe fyerje nga shqiptarët

Futbollistët shqiptarë të Zvicrës, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka janë të vetëdijshëm se para, gjatë dhe pas ndeshjes së shumëpërfolur që zhvillohet në Luzern, mund të provokohen nga lojtarët kundërshtarë dhe të fyhen nga shikuesit. Por, ata mundohen t’i mbajnë gjakrat e ftohtë.

“Kjo është një lojë e veçantë. Ndodh që mund të provokohemi, jo vetëm nga publiku, por edhe nga lojtarët kundërshtarë. Mirëpo, nuk e kemi ndërmend ta dëgjojmë atë që thotë publiku apo kundërshtari, por duam ta demonstrojmë atë që mundemi. Nëse fitojmë, atëherë kemi bërë fitore të dyfishtë”, ka thënë mesfushori i Borussia Monchengladbachut, Granit Xhaka. “Për fat të mirë do të luajmë në Luzern e jo në Basel. Sepse jam i bindur se në stadium do të vinin 30 mijë shqiptarë”, shtoi 19 vjeçari.

Ndërkaq, mesfushori shqiptar nga Maqedonia, Blerim Xhemajli thotë se ai me shokë duhet të përqendrohen vetëm në lojë. “Për ne kjo do të jetë një ndeshje shtëpie. E rëndësishme është që të harrojmë gjithçka në fushë”

Shaqiri: Do t’i këndoj të dy himnet

Xherdan Shaqiri është vënë në siklet kur është pyetur nga gazetarët zviceranë se cilin himn do ta këndojë, kur të intonohen ata para ndeshjes Zvicër – Shqipëri. “Do t’i këndoj që të dy. Ata më rrëqethin mua”, ka thënë 20 vjeçari.

6 mijë shqiptarë në stadium

Stadiumi ‘Swissporarena’ i Luzernit pritet të jetë i stërmbushur për ballafaqimin e sotëm ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë. Ky stadium, i vënë në funksion vitin e kaluar, ka kapacitet prej 16,800 spektatorësh. Ndërkaq, sipas medieve zvicerane, këtë sfidë tensionuese pritet ta ndjekin në stadium plot 6 mijë shqiptarë, që i bie se afro 40 për qind e stadiumit do të flasë shqip.

Natyrisht, atmosfera pritet të jetë e elektrizuar, pasi që në përfaqësuesen helvetike luajnë plot 5 futbollistë shqiptarë, të cilët nuk do të priten aspak mirë nga tifozët shqiptarë. Ndërkohë, selektori Ottmar Hitzfeld thotë se vërshëllimat do t’i motivojnë lojtarët e tij që të tregojnë lojë të mirë dhe t’i kundërvihen kundërshtarit, në këtë rast Shqipërisë.

Bastoret: Shqipëria, pak gjasa për fitore

Sipas kompanive më të mëdha të basteve në Evropë, Zvicra është favorite absolute ndaj Shqipërisë sonte. Ato e llogarisin triumfin e Helvetikëve me koeficientin 1.35. Ndërkohë, barazimi ka koeficientin e lartë 4.69. Një fitore e Kuqezinjve ka koeficientin 8.83.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›