E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova një vit pa Rugovën...

21 Janari i vitit 2006 për Kosovën nuk ishte një ditë e thjeshtë dimri, me bardhësinë e saj të zakonshme, dhe me motin zemërak. Ajo ditë në tokën Dardane bashkë me të ftohtin do sillte dhe largimin nga jeta e njeriut i cili lindi në një familje të thjeshtë në fshtatin Cerrce të Istogut, por që më vonë do bëhej udheheqës i rrugës së lirisë të kombit të tij.

Historia na ka treguar se ne fatet e një populli, në udhëkryqet për gjetjen e rrugës së duhur, gjithmone dalin burra, krijohen heronjt per ti dalur zot asaj qe quajm liri.
Për 17 vite Ibrahim Rugova mbajti mbi supe me gjithe fuqinë e tij luftën politike ndaj armikut më të madh të gadishullit Ballkanik, të kasapeve serb. Tek studionte për "Albanologji", kishte parë mirë siç duket se cfarë kërkonte prej kohësh populli i Kosovës, të cilit i kishte vajtur thika gjer në kockë, dhe durimi sa vinte dhe shuhej.

Gjatë jetës së tij akademike kishte mësuar më shumë mbi rrënjët kombëtare,mbi lashtësine, mbi bujarinë, krenarinë, trimërine, që kishin pasur shqiptarët ndër shekuj.
Dhe çdo ditë tek mësonte me shumë mbi popullin e tij, në vetvehte rritej një burrë shteti, brumosej nje ideal lirie, vlonte një dëshirë e kah hershme e burrave që kishin dhënë jetën për tokën e tij si Isa Boletini, Bajram Curri e të tjerë.

Koha e mesoi të ishte i butë, i qeshur me të gjithë, të dinte ta ruante gjakftohtesinë në situatat me të këqija. Të shtrëngonte dorën me mikun dhe armikun, sepse ndryshe mendonte ai nuk mund të arrihet qëllimi.

Rugova për vite me rradhë nuk pushoi se punuari me kosovarët brenda vendit dhe ne diaspore per rizgjimin e krenarisë kombëtare, e dashurisë për vendin dhe e dëshirës për një shtet të pavarur. Ai dhe ne çastet më të rënda të jetës së tij personale, tek vuante nga kanceri, bënte thirrje për paqe midis njerëzve. U drejtohej kolegëve të tij që e kishin shoqëruar për shumë kohë në jetën politike, që të kishin harmoni midis vetes, sepse Kosova kështu fiton me shumë. U drejtohej bashkombasve te vet me një dëshirë vëllazërore, dhe me një besim që e shoqëroi gjerë në shuarje, me fjalët; Të gjithë së bashku do e kalojmë këtë vështirësi, dhe se jam i bindur se Kosova se shpejti do gëzojë statusin e saj të plotë...

Një vit më parë Kosova përcolli birin e saj me nderime, se dhe ai e pati nderuar Kosoven për vite e vite me rradhë.

Një vit më parë shokët e tij të udhës për lirinë e popullit të Kosovës ishin të gjithë se bashku, dhe percillnin atë që kishin quajtur president, dhe që e kishin nderuar gjate jetës.
Një vit me pas Kosova kujton turbullt, dhe si në mjegull djalin e saj, për të cilin kishte derdhur lot dëshpërimi.

Një vit me pas shokët e udhës së Rugovës shkojnë dhe nderojnë grupe grupe të ndarë. Nderojnë atë që i kishte porositur sa e sa herë që të mos ndahen, se kështu Kosova do humb më shumë.
Kole Berisha kishte lënë me një anë fjalimin me nota vajtuese të mbajtur gjatë funeralit të ish kryetarit të tij, siç duket posti i kryetarit të parlamentit është më i ngrohtë, dhe më me privilegje se ai i nënkryetarit dikur si në hije.

Nexhat Daci kishte harruar lotët e tij në fjalët plot ngashërim gjatë lamtumirës së presidentit Rugova. Tashmë i zemëruar me shumë ish kolegë të tij që nuk i dolën në krah për të ruajtur postin. Ai nderonte Rugovën si kryetari i partisë më të re në Kosovë, por njëkohësisht si një nga ndarjet me të pa pershtateshme për momentin.

Një president nderonte një ish president, një koleg nderonte një ish koleg, një kryetar nderonte një ish kryetar. Presidenti aktual i Kosovës, Fatmir Sejdiu megjithëse dikur thoshte se askush nuk mund të ketë dinamikën dhe sigurinë e lëvizjes politike si Dr. Rugova, në lëvizjet e tanishme ai gëzon po të njëjtat poste si paraardhësi.

Hashim Thaci nderonte si një detyrim, dhe jo si një respekt, i vendosur të mos ulë në gjysëm shtizë flamurin e krenarisë, si një vit më parë flamurin në selinë e partisë së tij.

Veton Surroi, pasaniku me politikan në Kosovë, ashtu rëndë e rëndë në ecjen e tij burokrate, nderonte sa per tu thënë të tjerëve se "Ora " e tij sido që të jetë do dijë të përshtatet.

Dhe më rrallë të gjithë të shpërndarë si korbat vinin e shkonin në një respekt hipokrizie në varrin ku prehej ai që dikur u pati thënë; Të gjithë së bashku do fitojmë..
Dr. Rugova, nuk e hoqi kurrë nga qafa simbolin e tij, një shall të lidhur, ku thoshte se ishte amblema e vuajtjeve të Kosovës e cila për vite me rradhë kishte lakun në fyt.
Vallë politikanët e sotëm kosovar a do dinë t'ia heqin lakun një herë e mirë Kosovës që të marrë frymë lirisht??

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›