Përcaktohet përbërja dhe kompetencat e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë
Qeveria ka përcaktuar ditën e djeshme përbërjen, funksionimin, kompetencat dhe mënyrën e shpërblimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë mblidhet sa herë paraqiten kërkesa për miratim projektesh në fushën e arkeologjisë, por jo më pak se një herë në dy muaj. Njoftimi bëhet nga sekretari i KKA-së, pas miratimit të kryetarit. Anëtarët njoftohen së paku 3 ditë përpara datës së mbledhjes. Mbledhja zhvillohet sipas rendit të ditës, të miratuar nga kryetari, pas propozimit të sekretarit të KKA-së, dhe u shpërndahet anëtarëve, së bashku me dokumentacionin përkatës, të nënshkruar nga përgjegjësi i sekretarisë teknike dhe sekretari i KKA-së, së paku 3 ditë përpara mbledhjes. Mbledhjet e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë zhvillohen në prani të 50 për qind plus 1 të anëtarëve dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë të votave të të pranishmëve. Vendimet e KKA-së hartohen nga sekretaria teknike, nënshkruhen nga kryetari dhe kundërnënshkruhen nga sekretari. Anëtarët e KKA-së përfitojnë për pjesëmarrje, në çdo mbledhje një shpërblim, prej 5 pesë mijë lekësh.
22 Maj 2008