Përçarja e plevicës socialiste të Beratit - Braçe, Felaj, Veliaj dhe Fidel Ylli, trakte kundër njëri-tjetrit
Fushata elektorale e PS-së në Berat rrezikon të shndërrohet në “luftë civile” mes “partizanëve” më të zjarrtë të politikës nevrastenike të Edi Ramës. Prej disa javësh, me afrimin e afatit ligjor për dorëzimin e listave të deputetëve në KQZ, në Qarkun e Beratit ka nisur një përplasje e ashpër mes Erjon Braçes, Erjon Veliajt, Ermonela Felajt dhe Fidel Yllit, kush e kush të nxjerrë të palarat e njëri-tjetrit, pazaret e 2009-ës dhe 2011-ës, si dhe para-marrëveshjet, pjesë e pazareve për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Në tërësi dominojnë interesat e ngushta dhe sjellja e pisët, e trashëguar nga nomenklatura komuniste, për denigrimin moral të kundërshtarit, përmes biografisë. Në qendër të anatemimit është Erjon Braçe, kjo dhe për faktin se ai, ka një histori të hidhur që nga 2009-a, në përplasjet me klanin e 99-shit që sot është katapultuar në PS. Ky i fundit, i mbështetur nga Rama kërkonte disproporcionin e votës së majtë, duke paralizuar elektoratin e LSI-së. Gjithçka i referohej sulmeve të atëhershme të PS për t’i mohuar çdo votë Lëvizjes Socialiste për Integrim, kjo dhe si masë operacionale në çdo qark të vendit. Dhe më i humburi nga kjo “betejë” rezultoi Erjon Veliaj, 99-shat e të cilit jo vetëm që s’iu afruan kapërcimit të pragut elektoral, por njëherazi nuk arritën sa të “groposin” votat e LSI-së. Braçe u akuzua dhe vazhdon ende të akuzohet se duke luftuar 99-shat, i hoqi mandatin PS-së. I njëjti ritëm agresiviteti në PS po përshkon të gjithë Beratin edhe sot, kur jemi 55 ditë larg zgjedhjeve parlamentare. Sërish në qendër të atakimit është Erjon Braçe, këtë herë edhe më dhunshëm se në 2009-ën. Kjo sepse, Edi Rama po planifikon që njërin Erjon ta zëvendësojë me një Erjon tjetër. Dhe përçarja merr përmasat e kërcënimeve verbale, që (dy) Erjonët shkëmbejnë me njëri-tjetrin. Por, pjesë e betejës së interesave personale në plevicën socialiste në Berat nuk janë vetëm “Erjonët”.
Një përplasje e ngjashme vihet re edhe mes Ermonela Felajt dhe Fidel Yllit. Njëra largpamëse në karrierën politike, ndërsa tjetri s’di të thotë gjë tjetër veç disa fjalëve për sportin dhe për suksesin e biznesit të tij te Kullat Binjake.
Gjithçka merr përmasat e një “lufte” traktesh, kush e kush të denigrojë tjetrin kjo dhe si pamundësi për të mbuluar hendekun elektoral të PS në qarkun e Beratit, pasi ky rajon nuk shihet më si bastion i PS-së. Nga ana tjetër, Edi Rama mbetet në pozitat e sehirxhiut, i pafuqishëm për të ndalur “luftën civile” mes (dy) Erjonëve dhe po aq i pafuqishëm për të unifikuar votën socialiste. Siç duket, historia do përsëritet...humbja e PS në 23 qershor nis nga Berati.