E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfshirja e disa aleatëve në listat e PD, mënyra më e mirë për të maksimalizuar votat -koalicioni i PS me “vagonë” bosh

28-04-2013 / Gazeta 55

Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka pritet të jenë në listat e kandidatëve të PD për zgjedhjet e 23 qershorit. Kreu i PDK, Nard Ndoka: “Do të jetë një garanci më e madhe edhe për partitë konkurruese brenda mazhorancës”

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi dhe kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka do të kandidojnë për deputetë në listat e Partisë Demokratike. Lajmi është konfirmuar nga vet Shehu dhe Ndoka në një prononcim për mediat. Sipas tyre kjo është mënyra më e mirë për të maksimizuar votat e djathtës. “Është një respekt në një farë mënyrë, që krijohet brenda koalicionit, por edhe një organizim që është më efikas. Do të jetë një garanci më e madhe edhe për partitë konkurruese brenda mazhorancës, por edhe për mazhorancën në tërësi. Do të jetë padyshim një rezultat konkret, çka do të bëjë të mundur përmbysjen e rezultatit në disa qarqe” - u shpreh Ndoka. Kjo praktikë sipas Ndokës i jep një avantazh të dukshëm koalicionit të djathtë, kundrejt aleancës së krijuar nga Partia Socialiste. “Edhe praktika e përdorur është disi krejt ndryshe nga ajo e kampit opozitar, ku PS është përpjekur të ketë disa parti fantazma thjesht si numër, ndërsa PD dhe kryeministri Berisha kanë menduar një skemë tjetër, që të kenë disa lokomotiva, nëse do të shpreheshim kështu, ndërsa PS disa vagonë bosh” - theksoi Ndoka.
Marrëveshja për futjen e kryetarëve të partive të koalicionit në listat e PD, pritet të formalizohet në ditët në vijim, pasi të ketë marrë dakordësinë e forumeve përkatëse. “PDK i ka përpunuar listat e veta dhe ne kemi kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë, ndërsa lista përfundimtare i takon PD-së, lidershipit të saj, për të vendosur për mënyrën, për formën dhe për pozicionin që duhet të ketë çdo parti e koalicionit në këtë marrëveshje të re” - tha më tej, kreu i PDK, Nard Ndoka.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›