E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçarje, përçarje, përçarje

Share

Nga Bledi Mane- Public Enemy

facebook.com/bledi.mane

Mbaj mend kur jetova rreth një vit në Dublin dhe Cork të Irlandës, media vendase dhe veçanërisht politika e atjeshme tregonte një kujdes dhe rigorozitet mbresëlënës.

Historia e asaj republike të gjymtuar u kishte mësuar që falë pragmatizmit dhe tolerancës së burrështetasve të tyre, Anglinë, ish kolonizatorin e vjetër “të ri” që e kanë te pragu i derës ta respektonin edhe sforcërisht.

Qysh prej shekullit të XVIII kur legjendari Charles Stewart Parnell përgatiste atdheun dhe bashkëkombasit e tij në lindjen e identitetit irlandez të pavarur e deri në fillimet e shekullit XXI kur katolikët dhe protestantët e Veriut duket se kanë gjetur pajtimin, Irlandat(?) shohin drejt sidave të së nesërmes pa ekuivoke.

E përsëris, media dhe politika tregohen jo vetëm të kujdesshme por edhe ligjërisht kanë gjetur anekse për të luftuar urrejtjen dhe shpagimin e racizmit të ndërsjellë.

Përçarja mes gjindjes me dallime fetare, politike dhe etnie janë zëvendësuar me ura komunikimi përgjatë trekëndëshit Londër-Belfast-Dublin. Pak rëndësi ka pse Irlanda e Veriut si aneks i Perandorisë Britanike dhe Republika e Irlandës takohen çdo ditë në Bruksel dhe Strasburg. Shtrëngimin e duarve dhe kooperimin e ndërsjellë e kanë përgatitur dekada më parë e pavarësisht luftërave e bombave të IRA-s gjithmonë u munduan të sheshonin urrejtjen, patetizmin.

2354 km larg varrezave Glasnevin të Dublinit ku prehet i qetë politikani irlandez Stewart Parnell, 2354 km më në juglindje të kontinentit, në Tiranë të Shqipërisë punon vrazhdë një kryeministër i gjallë krahinist. Pavarësisht se republika ku punon i ka minimale ndasitë fetare e etnitë, 22 vjet rresht ka punuar këmbëngulshëm për të mbjellë mes nesh urrejtje.

Unë nuk mbaj mend kurrë gjatë fëmijërisë time në komunizëm që të shikonim me përbuzje apo urrejtje një djalë a vajzë prej veriu. Nuk njoha kurrë epitetet malok a çeçen, e të dëgjonim kur fliste një shkodran, mirditor a tropojan ishte ngazëllim i pastër.

Nuk më harrohet kollaj 1997-a kur renegatë e vullnetarë Veriu iu vërsulën Jugut për ta djegur e për ta vrarë e përveç incidenteve të Vlorës askund nuk u hakmor askush.

Të paktën në Përmetin tim u hapën dyert e pavarësisht se “vullnetarët e doktorit” vranë 7 qytetarë të pafajshëm më 9 mars 1997, askund edhe sot nuk duket shenjë urrejtjeje.

Jo se kanë frikë por përmetarët ashtu si kuksianët, pukianët, shkodranët fisnikë tolerojnë për hatër të dhimbjeve të Atdheut.

Sot në këtë 100 vjetor të pavarësisë Shqipëria ndjehet më e përçarë mes krahinizmit a kaheve politike. Askund nuk duket fara e dashurisë dhe urrejtja apo përçarja e mbjellë këto dy dekada po i jep frytet. Gjithkush i druhet punës, krushqisë, të bërit biznes me veriorët e ky lloj paragjykimi mund të bazohet spontanisht diku por aspak justifikues nuk mund të jetë.

Për hatër të kokëshkretësisë, defiçencave të së shkuarës, shkurtpamësisë apo mllefit rural të një individi Shqipëria ka thyer rekorde historike në zbatimin e marrëveshjes së urrejtjes krahiniste.

Atë që nuk bëri dot Perandoria Osmane, pushtimet serbo-malazeze, bullgare, austro-hungareze,greke, italiane, gjermane, bolshevizmi…e ktheu në realitet qeverisja 12 vjeçare e një individi.

Përçarjen tashmë e ka rafinuar e pasi ka ndarë me shpatë Jug/Veri tashmë punon me kujdes edhe me detajet.

Minoritetin grek e bëri çorap, të majtës i mori Lilin (oh sa mirë me qen shqiptar),Kosovën dhe faktorin shqiptar në Maqedoni e ka kthyer si mbledhjet e grupit të tij parlamentar, gjyqësorin e ka tashmë nën vete si zagar të bindur, arsimin publik e privat e ysht me modele dhorkulse, biznesit ia ka bërë gropën ndërsa median e Tiranës e ka bërë të flasë me vete.

Para dy javësh pa cipë e pa turp u fut pa trokitur në shtëpitë e Kreshnik Spahiut e Enkeljed Alibeajt (jalla habibi). U hodhi sirën grave të tyre kushërira. I futi në sherr burrat e tyre juristë me komisione halabake hetimore dhe tani rri i kundron i qetë.

Mbrapsht, çdo gjë mbrapsht e nis ky përçarësi ynë i madh. Startoi me përçarjet jug-veri e po përfundon me përçarjet mes fiseve dhe familjeve.

Langoi po e ndjen se plakjen fizike dhe politike e ka të pashmangshme e para se të shkojë në xhehnem kërkon të na lerë të molepsur me urrejtje.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›