Përcillet për në banesën e fundit “Dëshmori i Atdheut”, Kapiten Feti Vogli

Në prani të personaliteteve më të larta shtetërore, u nderua “Dëshmori i Atdheut”, Kapiten Vogli i cili ra në krye të detyrës pas një sulmi terrorist në Kandahar të Afganistanit, ku mbeti i plagosur dhe Nëntetar Aleksandër Peci
UPDATE- Në orën 03:05 minuta të mëngjesit të sotëm, mbërriti në atdhe trupi i pajetë i Kapiten Feti Voglit, i rënë në krye të detyrës 4 ditë më parë në misionin ushtarak në Kandahar të Afganistanit. Avioni ushtarak i NATO-s bëri uljen në pistë, teksa në aeroport mbërrijnë edhe familjarët e të ndjerit Feti Vogli. Pas 5 minutave, trumpetat sinjalizuan daljen e arkivolit nga avioni. Ushtarakët mbajtën arkivolin deri tek makina e funeralit. Në orën 04 e 30 minuta kortezhi është nisur në drejtim të fshatit Baldushk, ku u zhvilluar ceremonia mortore familjare ndërsa më pas trupi i të ndjerit u transportua drejt Pallatit të Kongreseve ku janë zhvilluar edhe homazhet për nder të tij. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit si Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Presidenti, Bamir Topi ai dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Xhemal Gjunkshi. I pari që ka zhvilluar homazhe në hollin e Pallatit të Kongreseve ka qënë ministri i mbrojtjes Arben Imami dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Xhemal Gjunkshi të cilët kanë vendosur edhe kurora me lule pranë arkivolit të Kapitenit Feti Vogli. Më pas, homazhe kanë zhvilluar kryeministri Berisha, presidenti Topi, kryeparlamentarja Topalli, të cilët pasi vendosën kurora me lule pranë arkivolit të Kapitenit Vogli, ngushëlluan familjarët dhe më pas kanë lënë edhe shënimet e tyre në librin e ngushëllimeve. Gjithashtu homazhe kanë zhvilluar zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kreu i LSI-së, Ilir Meta si dhe ish kryeministri socialist, Fatos Nano. Nderime për nder të Kapitenit kanë zhvilluar edhe ambasadorë të akredituar në Tiranë si ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së Ettore Sequi, ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth, ambasadorja britanike, ambasadori italian, ambasadori holandez dhe ambasadorë të tjerë. Gjithashtu homazhe kanë zhvilluar edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, deputetë socialistë, drejtues të mediave, të afërm, miq, kolegë dhe ushtarakë të lartë. Ndërsa në orën 13:00 arkivoli me trupin e pajetë të kapitenit Feti Vogli u vendos përpara Pallatit të Kongreseve dhe nën tingujt e himnit kombëtar u mbajt edhe ceremonia e lamtumirës së fundit. Fjalën e lamtumirës përpara të pranishmëve e ka mbajtuar shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi i cili i ka shprehur ngushëllimet më të thella familjarëve të Kapitenit të vrarë. “Kapiteni Feti Vogli ra heroikisht në krye të detyrës. Ne shprehim ngushëllimet dhe dhimbjen tonë më të thellë për Kapitetnin. Familja Vogli do të ketë respektin dhe mbështetjen e të gjithve. Me dhimbjen tonë janë bashkuar sot edhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s. I shprehim mirënjohjen Kapiten Feti Voglit për sakrificat e tij. Akti i tij heroik i bën Forcat e Armatosura të ndihen krenare”- u shpreh Gjunkshi. Më pas arkivoli me trupin e Kapitenit Feti Vogli është nisur drejt Varrezave të Dëshmorëve ku i është dhënë edhe lamtumira e fundit. Kapiteni Feti Vogli u vra gjatë një sulmi në Kandahar të Afganistanit ku si pasojë e këtij sulmi u plagos edhe nëntetari Aleksandër Peci.
Apeli Ushtarak: “Feti Vogli vdiq duke mbrojtur jetën e shokëve”
“Kapiten Feti Vogli, Kapiten Feti Vogli, Kapiten Feti Vogli!” Tri herë në radhë komandanti i batalionit të forcave speciale thirri emrin e ushtarakut të vrarë në Afganistan i cili mungoi në apelin ushtarak. Kolegët e tij u përgjigjën duke thënë se “kapiten Feti Vogli vdiq në Afganistan duke mbrojtur jetën e shokëve”. Me ceremonial nderi në Varrezat e Dëshmorëve u përcoll në banesën e fundit Kapiten Vogli, i vrarë në sulmin terrorist në Afganistan, pak ditë më parë. Ai ra në detyrë në misionin e tij të tretë jashtë vendit pasi më parë kishte shërbyer dy herë në Irak.
Kryeministri Berisha, bisedë telefonike me Nëntetar Aleksander Pecin, i uron shërim të shpejtë dhe kthimin shëndoshë e mirë në Atdhe dhe pranë familjes
Kryeministri Berisha ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Nëntetar Aleksander Peci, i cili ndodhet për një trajtim më të specializuar në spitalin ushtarak amerikan në Landstuhl, në Gjermani. Kryeministri Berisha i shprehu Aleksandrit urimin e tij më të përzemërt, të qeverisë shqiptare dhe mbarë shqiptarëve, për shërim të shpejtë e të plotë dhe kthimin shëndosh e mirë në familje dhe në atdhe. Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë dhe krenarinë e tij, të qeverisë dhe mbarë qytetarëve shqiptarë për misionin fisnik të paqeruajtjes që Aleksandri dhe të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e tjerë kryejnë në Afganistan, në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, me burrëri, profesionalizëm dhe dinjitet të veçantë. Nëntetari Aleksandër Peci u plagos 4 ditë më parë gjatë një sulmi në Kandahar të Afganistanit ku mbeti i vrarë edhe Kapiteni Feti Vogli.
Wollfarth i shpreh ngushëllime familjes Vogli
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth ka vizituar sot familjen e Kapitenit Feti Vogli i cili u vra 4 ditë më parë në një mision në Kandahar të Afganistanit. Në një prononcim për mediat, ambasadori i OSBE-së është shprehur se momente të tilla tregojnë se sa afër është lufta. “Është një moment shumë i trishtueshëm. Unë uroj që të shërohet sa më shpejt edhe i plagosuri Aleksandër Peci. Raste të tilla na sjellin në vëmendje se sa afër është lufta dhe sa shumë duhet bërë për të arritur paqen. I shpreh ngushëllimet familjarëve dhe i uroj që të arrijnë të gjejnë forcën për kaluar këtë dhimbje të madhe”- u shpreh ambasadori Wollfarth. Familjarë, miq, të afërm, banorë të zonës i kanë shprehur ngushëllimet familjes Vogli e cila prej 4 ditësh ka hapur dyert e mortit.
...