E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina dhe Beogradi arrijnë marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në Forumet Rajonale

24-02-2012 / Gazeta 55

+ + Reagon Brukseli: Marrëveshja dëshmon përkushtimin e të dyja palëve për të ardhmen e tyre evropiane


- Kryeministri Berisha: Kosova përfaqësohet si shtet dhe vend i pavarur


+ + Marrëveshja do t’i mundësojë Kosovës që të përfaqësohet dhe të nënshkruajë marrëveshje ne emrin e saj dhe të flasë për vetveten në të gjitha takimet rajonale. Deri më tani, marrëveshjet janë nënshkruar nga UNMIK-u në emër të Kosovës


Bruksel - Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale. Zyra e ndërmjetësuesit të bisedimeve Robert Cooper bëri të ditur se sipas marrëveshjes, Kosova do të përfaqësohet me një shënim në të cilin thuhet se “Ky emër nuk paragjykon statusin dhe është në pajtim me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi deklaratën e pavarësisë së Kosovës”. Në njoftim thuhet se “të dyja palët kanë konfirmuar përkushtimin e tyre ndaj vlerave themelore të Bashkimit Evropian për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal. Marrëveshja do t’i mundësojë Kosovës që të përfaqësohet dhe të nënshkruajë marrëveshje ne emrin e saj dhe të flasë për vetveten në të gjitha takimet rajonale. Deri më tani, marrëveshjet janë nënshkruar nga UNMIK-u në emër të Kosovës. Palët kanë përmbyllur edhe protokollin teknik për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit që ishte arritur më 2 dhjetor të vitit 2011. Marrëveshja është përshëndetur menjëherë nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton dhe Comisionari Stefan Fule, të cilët nëpërmjet një komunikate, thanë se kjo është një hap i madh përpara dhe me shumë rëndësi jo vetëm për Serbinë e Kosovën por edhe për qëndrueshmërinë në rajon dhe në Bashkimin Evropian. Zonja Ashton citohet të ketë thënë se veprimet e fundit janë hapa të mëtejmë në rrugën evropiane të të dyja palëve. Sa i përket Serbisë, marrëveshjet janë me rëndësi në prag të shqyrtimit të mundësisë që asaj t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian javën e ardhshme. Ndërsa, sa i përket Kosovës, kjo është me rëndësi meqë i mundëson asaj përfaqësimin e plotë dhe të drejtë në takimet rajonale dhe i mundëson përparim të mëtejmë në marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian propozon fillimin e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e stabilizim asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet në deklaratën e zonjës Ashton. Komisionari për zgjerim Stefan Füle, ka nënvizuar se marrëveshja dëshmon përkushtimin e të dyja palëve për të ardhmen e tyre evropiane. Marrëveshja e sotme pasoi gati tri ditë bisedime në Bruksel, gjatë të cilave, delegacioni i Prishtinës ngulte këmbë që në shënimin pranë emrit të Kosovës të vihej përveç Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, të vihej edhe deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Beogradi ndërkaq ngulte këmbë që deklarata e pavarësisë të mos përfshihej në shënim. Pajtimi i Prishtinës me mënyrën që paraqitjes së Kosovës në forumet rajonale është përcjellë me reagime të shumta të opozitës e cila këtë e sheh si kompromis në dëm të shtetësisë së Kosovës. Ndërsa qeveria e Kosovës dhe diplomatët perëndimore thanë se ky pajtim ishte zgjidhja më e mirë e mundshme e cila i siguron Kosovës përfaqësim të barabartë dhe përshpejtim të rrugës evropiane.


Berisha: Kosova përfaqësohet si shtet dhe vend i pavarur

Kryeministri Sali Berisha vlerëson marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një akt të një rëndësie të veçantë, që bën të mundur përfaqësimin e Kosovës në procesin e integrimit rajonal dhe Europian si shtet dhe vend i pavarur.
Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë – Serbi, por edhe për bashkëpunimin, paqen dhe stabilitetin rajonal.
Vërtet marrëveshja parashikon përdorimin e një fusnote si një kompromis ndërmjet palëve, por pranimi i saj nga pala serbe është pranimi de facto dhe de juro i Kosovës si shtet dhe vend i pavarur.
E vërteta e pakundërshtueshme është se pas 17 shkurtit të vitit 2008, domethënë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga SHBA, Franca, Britania, Gjermania, Italia, Japonia dhe mbi 90% e vendeve të lira të botës dhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Rezoluta 1244 e OKB-së është thjesht një replikë në arkivën e një kohe që nuk kthehet kurrë më, një letër e vdekur që nuk i besojnë as ata që e citojnë.


Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet konkluzionet e bisedimeve Prishtine-Beograd në Bruksel


Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet arritjen e marrëveshjes së sotme në bisedimet teknike Kosovë-Serbi, për bashkëpunimin dhe përfaqësimin e  Kosovës në forumet rajonale, të bazuar në parimet e reciprocitetit mes dy shteteve të pavarura e sovrane dhe vullnetit të mirë për të bashkëpunuar në zgjidhjen e çështjeve praktike mes tyre. MPJ vlerëson se kjo marrëveshje forcon sovranitetin e Kosovës, mundëson pjesëmarrjen e saj në takimet rajonale me të drejta të plota dhe i hap rrugën e proceseve të integrimit evropian dhe anëtarësimit të saj në organizmat ndërkombëtare. MPJ përshëndetet arritjen e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit për protokollin teknik për zbatimin e marrëveshjes së Menaxhimit të Integruar të Kufijve të përfunduar në muajin dhjetor të vitit 2011. Marrëveshjet e arritura sot janë një hap shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për stabilitetin e rajonit dhe të perspektivës evropiane të tij. Vlerësojmë se është e domosdoshme që marrëveshjet e arritura do të fillojnë të zbatohen sa më shpejt. MPJ përshëndet dhe vlerëson angazhimin e përbashkët të BE-së dhe SHBA-së, që mundësuan arritjen e marrëveshjeve të dobishme për Kosovën dhe Serbinë, si dhe për qytetarët e tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›