E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdorimi i drogave, kërkohet ndryshimi i ligjit

Gjatë analizës së zhvilluar, drejtuesit e Prokurorive të Apelit raportuan për punën e kryer nga prokurorët e apelit duke evidentuar njëkohësisht dhe problemet të cilat hasen në kryerjen e detyrës. Në bazë të tabelave të paraqitura vërehet se Prokuroritë e Apelit kanë zhvilluar një volum të konsiderueshëm pune duke shënuar arritje në rezultatet e tyre krahasuar dhe me shifrat e një viti më parë.

Gjatë vitit 2011 janë gjykuar nga Gjykatat e Apeleve  Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër dhe Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda,  rreth 5260 çështje. Këto çështje janë gjykuar mbi bazën e ankimimit të palëve, të Prokurorëve të Shkallës  së Parë apo të të pandehurve.

Nga këto gjykime vërehet  se Gjykata ka përkrahur rreth 25% të çështjeve të gjykuara në Apel mbi bazën e ankimeve të prokurorëve. Ndërsa ka lënë në fuqi rreth 78% të vendimeve gjyqësore që ka patur ankim nga të pandehurit, duke përkrahur qëndrimin e prokurorit.

Gjatë analizës së punës së prokurorive të Apelit u ngrit si problem shqetësues për një sërë çështjesh,  prishja dhe kthimi për rigjykim në shkallë të Parë për shkelje procedurale të kryera nga gjykatat e shkallëve të para, sidomos në rastet e gjykimit të shkurtuar të kryer në Gjykatat e shkallës së parë. Një problem tjetër i ngritur ishte shqetësimi për  lirimet nga gjykata para kohe të të pandehurve duke i vënë të pandehurit në provë. Gjithashtu u vu në dukje se numri i rekurseve të bëra nga Prokuroritë e Apeleve të pranuara nga Gjykata e Lartë ka qenë i vogël.

Ndër problematikat që u analizuan gjatë analizës së punës, ishte evidentimi se me gjithë numrin e madh të çështjeve për lëndët narkotike, shumica e të pandehurve rezultojnë përdorues dhe me doza të vogla. Mbi këtë bazë, u propozua si emergjente  ndryshimi i Kodit Penal për sa i përket dispozitave që lidhen me mbajtjen, shpërndarjen dhe tregtimin e lëndëve narkotike.

Në përfundim të analizës, Prokurorja e Përgjithshme, Znj. Ina Rama, theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë me prokuroritë e rretheve gjyqësore çfarë do të sillte rezultate më të mira profesionale. Gjithashtu kryeprokurorja, vuri theksin në rritjen e cilësisë së rekurseve që prokuroritë e Apelit bëjnë për në Gjykatën e Lartë. Për rritjen e cilësisë së punës dhe të përgjegjësisë së prokurorëve të të gjitha shkallëve, u vendos që të ringrihet grupi i punës për të bërë ndryshimet përkatëse në Udhëzimin Nr.1, dt.14.11.2008, për Ushtrimin me Eficencë të së Drejtës së Ankimit. /start/

                                                                                             2012-02-16 17:09
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›