Përdorimi zyrtar i shqipes, sfida e radhës për shtetin e Maqedonisë
Një nga çështjet kyçe që do të jetë në fokus gjatë periudhës së ardhshme të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit është përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, tha zëvendëskryeministri Musa Xhaferi. Pjesëmarrësit në debat vërejtën se edhe 10 vite pas nënshkrimit të MO-së, ende ka institucione hermetikisht të mbyllura për shqiptarët
Edhe përkundër disa ngecjeve në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në aspektin gjithëpërfshirës, ajo e arriti qëllimin, e ktheu paqen, hapi mundësi të gjithë të marrin pjesë në krijimin e jetës politike dhe shoqërore, ndërsa në Kushtetutë ka amendamente me të cilat nuk lejohet të diskriminohen bashkësitë etnike. Kështu është shprehur zëvendëskryeministri Musa Xhaferi në debatin mbi analizën kuantitative për statusin e realizmit të politikave të Marrëveshjes së Ohrit, që u mbajt të hënën në Shkup nën organizim të SMO-së. Një nga çështjet kyçe që do të jetë në fokus gjatë periudhës së ardhshme të zbatimit të MO-së është përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. “Debati i mëtejshëm duhet të jep edhe përgjigjen se sa gjuha shqipe është në përdorim zyrtar përkrah maqedonishtes. Vlerësojë se në të ardhme kjo do të jetën një çështje shumë e ndjeshme e cila mund të sjellë keqkuptime për një arsye shumë të thjeshtë, e ajo është se të gjithë qytetarët e Maqedonisë kanë të drejtë të jenë të barabartë, të shijon standarde të njëjta jetësore dhe shërbime të njëjta”, tha Xhaferi.
Rizvan Sulejmani nga Instituti për studime ndërkombëtare dhe politike, nga ana tjetër, potencoi se çështje e cila është e hapur akoma është edhe ri-integrimi, në kontekst të aspiratave euroatlantike të vendit. "A ia dolëm ne të pajtohemi në tërësi dhe a i përmban pajtimi të gjitha komponentat e nevojshme të integrimit, kompensimit të dëmeve, dëmshpërblimit të njerëzve, të cilët janë pjesë e Marrëveshjes së Ohrit", tha Sulejmani duke nënvizuar se me tribunat e këtilla duhet të përcaktohen aktivitetet në dekadën e dytë të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Ish ambasadori i Maqedonisë në BE, Blerim Reka, vlerëson se nuk është çështja se a është implementuar MO-ja apo ka ngecje në dekadën e parë pas nënshkrimit, por se edhe 10 vite pas nënshkrimit ende ka institucione etnikisht të pastra. “Vallë edhe në dekadën e dytë do të vazhdojmë të debatojmë se ka ngecje në disa institucione rreth përfaqësimit të drejtë si dhe çështjen e gjuhës. Edhe sot pas 10 viteve në Maqedoni janë disa institucionet të larta shtetërore të cilat mbeten etnikisht të pastra, e që nuk po udhëhiqen nga shqiptarët tash e disa vjet. Është presidenca, kryeministria, MPB-ja, MPJ-ja, Ministria e Financave tjera”, tha Reka.
Ish kryeministri, prof. Vllado Buçkovski nënvizoi ndër të tjerash se ngecja në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit i referohet karakterit të koalicionit në pushtet, e cila qeverisë me Maqedoninë në tetë vitet e kaluara, ndërsa thotë e shfrytëzon Marrëveshjen që ta përmirësojë pozitën ndërkombëtare të vendit ose për qëllime politike për rritjen e rejtingut. Sipas tij, është legjitime kërkesa që të flitet për përdorimin e gjuhës dhe mënyrën e projektimit të buxhetit, por, thotë, nga ana tjetër është evidente se kolegët shqiptarë, para së gjithash edhe nënkryetari i Qeverisë si përgjegjës për zbatimin bënë gabime serioze me të cilat kontribuuan në opinion që të ketë komente negative, rreth mënyrës në të cilën u zbatua marrëveshja për punësimin e shqiptarëve në administratën publike, të cilët thotë kanë ndenjur në shtëpi dhe kanë marrë paga. “Prezenca vetëm e tre-katër përfaqësuesve maqedonas tregon se sa është arritur në implementimin e saj, duke mos qenë i pranishëm madje asnjë nga zyrtarët e lartë të qeverisë. Në kohën kur unë isha kryeministër, pikërisht implementimi i MO-së luajti rol të rëndësishëm dhe kjo u dëshmua me faktin se Maqedonia në vitin 2005 fitoi statusin e anëtarit të mundshëm të BE-së, ndërsa sot edhe pas 10 viteve Qeveria e tanishme me ngecjen e implementimit të MO-së po e pengon marrjen e datës për negociata me BE-në. Pohoj se nuk është bërë mjaft nga pala maqedonase për MO-në. Supozoj se këto të arritura më të mëdha kanë qenë gjatë qeverisjes tonë 2002-2006”, tha Buçkovski.
Për profesorin Adbylmenaf Bexheti, një nga çështjet të cilat duhet të adresohen në periudhën e ardhshme është projektimi i drejtë i resurseve financiare dhe i buxhetit të shtetit. Për këtë qëllim ai propozon formimin e këshillit fiskalo-ekonomik si trup në kuadër të Qeverisë i cili do të funksiononte sipas parimit të konsensusit. Në debat kanë marr pjesë edhe profesori Vllado Popovski, aktivisti Shpëtim Pollozhani dhe personalitete tjera, ndërsa është promovuar edhe një përmbledhje me qëndrime rreth zbatimit të MO-së.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”