E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdundon drama në Tuluz, vritet Merah

Është vrarë atentatori i ushtarëve francezë dhe fëmijëve hebrej në Tuluzë të Francës, pasi forcat speciale franceze kanë bastisur apartamentin e tij. Lajmin e ka konfirmuar ministri i Brendshëm francez Claude Gueant, i cili ka dhënë edhe detajet e operacionit.

Ministri ka saktësuar se nga brenda apartamentit nuk ka pasur reagime kur komandot shpërthyen derën dhe hynë brenda nga dritaret.

Sipas ministrit, në fillim nuk kishte asnjë shenjë të vrasësit, por kur komandot filluan të inspektonin banesën, ai doli nga tualeti dhe filloi të qëllonte në drejtim të tyre me një egërsi të paparë më parë.

Më tej, duke përshkruar momentet e fundit të përballjes, zoti Gueant tha se policët u përpoqën të mbroheshin nga Merah, i cili u hodh nga dritarja me armë në dorë, duke qëlluar, dhe më pas u gjet i shtrirë në tokë i vdekur.

Ministri ka shtuar se dy agjentë u plagosën gjatë operacionit dhe se një i tretë ndodhet në gjendje shoku.

Ndërkohë, korrespondenti i BBC në Paris, Hugh Schofield ka thënë se mes politikanëve francezë do të ketë një lehtësim për përfundimin e operacionit të gjatë.

Sipas tij, do të ketë frustrime për faktin se ai nuk u kap i gjallë, por do të vlerësohet se ishte jetike të mos rrezikohej më dhe të veprohej me forcë.

Më herët ishte agjencia e lajmeve “AFP”, e cila duke cituar burime policore pranë operacionit, njoftoi vdekjen e francezit me origjinë algjeriane. Sipas burimit, operacioni blic i komandove të RAID u krye në orën 09:30 me orën lokale.

Pak çaste më parë tre shpërthime të reja u dëgjuan pranë shtëpisë së Mohamed Merah. Gazeta “Le Monde” njoftoi në edicionin e saj online se shpërthimet ishin të ngjashme me ato të granatave të përdorura gjatë natës.

Ministri i Brendshëm francez ka thënë se vrasësi kishte njoftuar se donte të vdiste "me armë në dorë" dhe ka saktësuar se gjatë natës nuk kishte pasur negociata me të.

Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi ka përgëzuar policinë në aksionin e suksesshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›