Veteranët e Bosnjës vazhdojnë grevën

Qindra veteranë ushtarakë të Bosnjës kanë hyrë në ditën e dytë të grevës së urisë, para ndërtesës së qeverisë në Sarajevë. Greva vjen për shkak të mosmarrëveshjeve me ekzekutivin në lidhje me pagesën e pensioneve.
Mbi 1,500 ushtarë serbë, myslimanë dhe kroatë janë detyruar të pensionohen në vitin 2010, pasi Qeveria e Bosnjës ka riorganizuar forcat e saj të armatosura pas luftës së viteve 1992-95.
Veteranëve u janë premtuar pensione më 2010, por ato kurrë nuk u janë paguar.
Përfaqësuesi i ushtarëve veteranë, Senad Hubijer, ka thënë se greva do të vazhdojë “derisa problemi të zgjidhet, ose derisa veteranët të vdesin nga uria”.