E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut “mund të kërcënojë paqen”

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ka thënë se planet e Koresë Veriore për të lëshuar raketën, mund të jenë kërcënim për paqen në rajon.

Ban u ka thënë gazetarëve se ky akt do të ishte “shkelje e qartë” e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila ndalon Korenë e Veriut të lëshojë raketa balistike.

“Unë sinqerisht shpresoj dhe përsëri u bëj thirrje autoriteteve koreano-veriore të përmbahen nga çfarëdo akti i tillë, që do të destabilizonte situatën dhe stabilitetin në Gadishullin Korean”, ka thënë Ban Ki Moon.

Regjimi komunist i Koresë Veriore ka bërë publike planet për të lëshuar raketën, që do të vinte satelitin në orbitën e Tokës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë shprehur frikën se ky akt, i planifikuar për muajin e ardhshëm, mund të jetë pretekst për një provë raketash me rreze të gjatë veprimi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›