E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Pavarësisë duhet t`i bashkëngjitet edhe sovraniteti

Me veprimet e saj, Serbia po dikton axhendën e brendshme politike të Kosovës, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Ne kemi nevojë që pavarësisë t`i bashkëngjisim sovranitetin. Ne kemi nevojë që shoqërisë t`i sjellim zhvillimin ekonomik. Dhe, ne nuk kemi nevojë që Kosovës t`i ndryshojmë emrin e t`i vëmë në dyshim shtetësinë. Kjo ishte nevojë e Serbisë të cilën e plotësoi kryeministri aktual i Kosovës, ka thënë Albin Kurti pas prezantimit të raportit tremujor të punës së lëvizjes “Vetëvendosje”.
 

Sipas Kurtit, as Kosova dhe as Serbia nuk janë shtete normale. “Kosova nuk është shtet normal sepse është shtet i dobët, me protektorat ndërkombëtar e pa ushtri të saj, me Mitrovicën e ndarë dhe varfërinë më të madhe në Evropë. Por, as Serbia nuk është shtet normal. Sepse ajo as nuk distancohet dhe as nuk ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale. Sepse ajo nuk heq dorë nga struktural ilegale në Kosovë dhe nga planet antishqiptare të saj. E tani, dialogu në Bruksel është paraqitur si proces i normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Pas një viti të tërë të bisedimeve në Bruksel, edhe Kosova, edhe Serbia janë veçse më jonormale seç ishin para një viti” ka theksuar Kurti.

Sipas tij në emër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është ndryshuar Kosova për t`iu përshtatur Serbisë. “Me vula të doganave pa fjalën republikë në to, me regjistra civilë e regjistra kadastralë që s`janë dokumentacion origjinal, me ripërtëritje të tabelave të UNMIK-ut për automjete edhe për pesë vjet të tjera, me pikat kufitare të shndërruara në pika kaluese, me kufirin ndërshtetëror të shndërruar në kufi administrativ, me heqjen e fjalës “Republikë” nga emri i shtetit dhe me vendosjen e mbishkrimit që na e konteston shtetësinë, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ka për përmbajtje pikërisht abnormalizimin e Kosovës” ka shtuar më tej Kurti.

Udhëheqësi i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti ka thënë se kjo lëvizje është subjekti më aktiv, parimor dhe transparent në Kosovë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›