Perëndimi dënon pasurimin e uraniumit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Britania kanë dënuar fuqishëm pasurimin e uraniumit, që ka nisur të bëjë Irani në objektin bërthamor Fordo.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka konfirmuar të hënën se Irani po pasuron uraniumin për 20 për qind.
Ministria e Jashtme franceze ka paralajmëruar se Franca dhe aleatët e saj “mund të ndjekin masa edhe më të ashpra” në kundërshtim të makinës bërthamore të Teheranit.
Sekretari i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, tha se ky “është një hap provokues që minon pretendimet e Iranit se programi i tij atomik ka qëllime paqësore”.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nullënd, tha se pasurimi i uraniumit është një “përshkallëzim i mëtejshëm” në kontestin nuklear ndërmjet Teheranit dhe komunitetit ndërkombëtar.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre thonë se Irani përdor programin e tij bërthamor si mbulesë për zhvillimin e bombave atomike. SHBA dhe Bashkimi Evropian së fundmi kanë zgjeruar sanksionet kundër Republikës Islamike.