Perëndimi e quan “mashtrim” referendumin në Siri

Qeveria siriane ka organizuar të dielën referendumin për kushtetutën e re, ndërkohë që dhuna vdekjeprurësve ka vazhduar anembanë vendit.
Opozita i ka bojkotuar votimet, duke i quajtur farsë dhe duke i bërë thirrje presidentit Bashar al-Asad të lërë pushtetin.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka thënë se “ekziston çdo mundësi” që Siria të përfshihet nga lufta civile. Votimet e së dielës, Klinton i ka quajtur “manovrime cinike”.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, ka thënë se referendumi nuk ishte asgjë tjetër pos një “mashtrim”.
Referendumi për kushtetutën e re lejon teorikisht zgjerimin e sistemit politik të vendit. Ai do të krijonte sistemin shumë-partiak në Sirinë e sunduar nga partia Baath, e cila mori pushtetin me grusht-shtet në vitin 1963.
Të dielën, aktivistët e të drejtave të njeriut kanë raportuar për dhunë të re në disa qytete të vendit, çfarë ka rezultuar me të paktën 30 të vrarë.
Protestat anti-qeveritare në Siri kanë nisur që në mars të vitit të kaluar ku kanë humbur jetën disa mijëra njerëz.