E Diel, 1 Nëntor 2026

Peres: Obama mund të drejtojë negociatet mes Izraelit dhe Palestinës

Presidenti amerikan Barack Obama mund të drejtojë një takim ndërmjet liderëve të Izraelit dhe Autoritetit Palestinez në selinë e Kombeve të Bashkuara muajin e ardhshëm për zhvillimin e bisedimeve që mund t'i hapin rrugë rifillimit të procesit të paqes në Lindjen e Mesme, deklaroi së fundmi presidenti izraelit Shimon Peres. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidenti palestinez Mahmoud Abbas mund të takohen gjatë një seance të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të diskutuar lidhur me të ardhmen e procesit të ngrirë të bisedimeve të paqes në Lindjen e Mesme, deklaroi Peres në një intervistë për televizionin "Fox News". "Mendoj se të dy liderët do të takohen në fund të shtatorit. Presidenti Obama do të drejtojë takimin dhe besoj se ekziston një mundësi që ata të vendosin për rihapjen e negociatave", tha Peres, duke shtuar se Hamasi nuk do të jetë pjesë e bisedimeve të paqes. Hamasi, një grup radikal palestinez, kontrollon Gazën dhe ndërkohë është betuar për shkatërrimin e Izraelit. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë nuk pranoi të komentonte deklaratat e presidentit izraelit lidhur me takimin në fjalë. Abbas ka përjashtuar mundësinë e rifillimit të bisedimeve të paqes me shtetin hebre, nëse Netanjahu nuk angazhohet për pezullimin e zgjerimit të kolonive hebreje në territoret palestineze.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›