Perez: Real Madridi, shkollë në Shqipëri

Presidenti madrilèn Florentino Perez: Jemi shumë të lumtur që jemi në Shqipëri në këtë qytet shumë të bukur e të jashtëzakonshëm që është Tirana.
“Zoti President i Republikës së Shqiprisë,
Zoti President i Klubit të futbollit,
Miq,
Real Madridi identifikohet me akte si ky. E kemi thënë shumë herë, siç jua thashë edhe më parë, ne kemi trashëguar një klub historik, i cili dekadë pas dekada pushtoi zemrat e sportdashësve anembanë botës. Është një kënaqësi dhe një nder i jashtëzakonshëm për mua që të jem në krye të këtij Klubi, por njëkohësisht është edhe një përgjegjësi shumë e madhe, sepse duhet të jemi besnikë të historisë sonë. Të historisë së një klubi që ka pushtuar zemrat e sportdashësve të mbarë botës nëpërmjet vlerave. Gjatë dekadave kemi arritur t’i pasurojmë këto vlera: sakrificën, nderin ndaj kundërshtarit, solidaritetin, dhe këto transmetohen për Klubin nga lojtarët tanë dhe kanë qenë shembuj gjatë gjashtëdhjetë viteve të fundit. Real Madridi përfiton gjithmonë nga imazhi dhe prestigji i tij për të transmetuar këto vlera atje ku shkojmë. Sot jemi shumë të lumtur që jemi në Shqipëri në këtë qytet shumë të bukur e të jashtëzakonshëm që është Tirana. Njerëzit janë shumë dashamirë dhe mikpritës dhe na kanë trajtuar në mënyrë të mrekullueshme qysh kur kemi mbërritur. Dëshirojmë t’u përgjigjemi me mirënjohjen tonë, me vlerat tona, me ato që Real Madridi shpërndan në të gjithë botën. Gjithashtu dua t’ju them që ky imazh, ky prestigj për të cilin ju fola pak më parë, përpiqemi ta vemë në shërbim të njerëzve në nevojë, sidomos të fëmijëve.
Dhe për këtë dua t’i them Presidentit të Republikës që do të punojmë me Ambasadën spanjolle në Shqipëri për të krijuar një shkollë futbolli në zonat e prekura nga përmbytjet në Veri të Shqipërisë që nëpërmjet futbollit dhe fanellës së Real Madridit të ndihmojnë për të përmbushur nevojat parësore që mund të kenë këta fëmijë. Në këto shkolla futbolli që krijojmë me Fondacionin ‘Real Madrid’ janë elementë të solidaritetit dhe ky është një detyrim që ne e ndiejmë si Klub.
Së fundi, dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet Presidentit të Republikës për humbjen e këtij lojtari legjendar të Shqipërisë, të cilin do ta përkujtojmë sot pasdite në fushën e lojës dhe padyshim që ai do të jetë gjithmonë gjallë dhe i pranishëm në mendjet e të gjithë sportdashësve shqiptarë. Ju falemnderit shumë për këtë mikpritje të mrekullueshme!”
Burimi: Albania-sport.comE Merkure, 20 Janar 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili