Brunei, gati ta njohë shtetin e Kosovës

Mediat e Tiranës raportojnë se premtimi u bë nga Sulltani Hassan al Bolkiah Mu’izzaddin Waddaulah gjatë pritjes që ai i bëri ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto. Në audiencën me Sulltanin e Bruneit, ministri Haxhinasto vlerësoi se marrëdhëniet midis dy vendeve duhet të forcohen më tej në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit. Ministri Haxhinasto nënvizoi se marrëveshjet e fundit midis Serbisë dhe Kosovës kanë krijuar një situatë favorizuese jo vetëm për përfshirjen e Kosovës në nismat dhe bashkëpunimin rajonal, por edhe për njohje të reja. Në këtë kuadër ai i parashtroi Sulltanit kërkesën që Brunei ta rishikojë qëndrimin e vet me një vështrim për njohjen e Kosovës. Në përgjigje, Sulltani Hassan al Bolkiah Mu’izzaddin Waddaulah tha se Brunei nuk sheh asnjë pengesë, apo problem, që të njohë pavarësinë e Kosovës.
Ministri Haxhinasto pas vizitës në Singapor dhe Brunei, do të vazhdojë turin e tij në Azinë Juglindore, ku nesër do të qëndrojë në Tajlandë.