E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli ekonomik i Shqipërisë vlerësohet për standardet e tij liberale

06-02-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha mbyll takimet dy ditore në Konferencën për Sigurinë në Mynih, ku garanton zhvillimin jeshil të vendit dhe kapërcimin e pasojave të krizës globale, përmes zbatimit të standardeve liberale në ekonomi

“Modeli ekonomik i Shqipërisë do të vazhdojë të bazohet në standarde liberale, të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset”.
Ky ishte mesazhi i përcjellë nga kryeministri, Sali Berisha në mbyllje të vizitës së tij në Mynih, në Gjermani, ku mori pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë.
Konferenca në sesionin e pasdites pati si temë kryesore krizën ekonomike, krizën e borxheve dhe krizën e Euros.
Në këtë seancë, Kryeministri i Italisë, Mario Monti, njohu audiencën me të gjitha vendimet e rëndësishme të qeverisë së tij për të nxjerrë Italinë nga kriza. Duke bërë një rezyme të përgjithshme të asaj që u trajtua në punimet e konferencës, kryeministrin Berisha informoi se, “u debatua gjerësisht dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm ishte mendimi i Presidentit të Bankës Botërore, Robert Zoellick, por edhe i personaliteteve të tjera, se masat e deritanishme, të ashtuquajtura masa të ashpërsisë, me rritje taksash, kanë qenë tërësisht të paefektshme. Robert Zoellick, Mario Monti, George Soros, së bashku me Presidentin e Deutsche Bank, zotin Ackermann, siguruan si një rrugë të re domosdoshmërinë e përqendrimit, para së gjithash dhe mbi të gjitha, te rritja ekonomike, e cila përbën shtyllën kryesore të shanseve të qytetarëve të këtyre vendeve. Natyrisht, parashikimet për daljen e eurozonës nga kriza nuk ishin dhe aq optimiste. Besohet se kjo do të jetë një krizë nga e cila do të duhen jo pak vite për të dalë, por e rëndësishme është se për herë të parë në këtë konferencë ndërkombëtare që u diskutua për krizën, u kërkua që të ndryshohen qëndrimet e deritanishme për daljen prej saj. Masat e ashpërsisë dhe paketa e tyre duhet, detyrimisht, të mos cenojnë rritjen ekonomike. U diskutua për borxhin dhe krizën greke. U shpreh mendimi se sërish vështirësitë e mëdha nuk janë kapërcyer. Dhe nuk mund të thuhet se masat ose vendimet e deritanishme të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian janë të mjaftueshme për të shpëtuar Euron si monedhë e përbashkët e eurozonës. Por disa zhvillime, veçanërisht të dhëna që vijnë nga Irlanda, njëlloj stabiliteti apo moskeqësimi i Spanjës, masat që po merr Italia, janë lajme pozitive të cilat premtojnë për një mundësi kthese gjatë kohërave që vijnë”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, ajo që spikat në këtë axhendë të ngjeshur diskutimesh nga personalitete botërore, është modeli ekonomik i Shqipërisë i bazuar në rritje të punësimit, nxitjen e rritjes ekonomike si dhe rritjen e punësimit.
“Ajo që spikat në këtë sfond, sërish dua të theksoj, është modeli i ekonomisë në Shqipëri, model i cili është bazuar kryekëput, para së gjithash, në nxitjen e rritjes ekonomike, për rrjedhojë nxitjen e punësimit, rritjen e të ardhurave. Faktikisht, Shqipëria në katër vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur një rritje ekonomike prej 18 përqind, rritje në distancë më të lartën në Evropë. Ky model ka nevojë të përsoset më tej. Natyrisht, jo me masa që godasin në palcë rritjen dhe biznesin, jo me masa të cilat nëpërmjet rritjes së taksave shkatërrojnë qindra dhe mijëra vende pune, por me standarde të tjera liberale të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset. Në këtë kontekst, analizohen dy modele: një model i bazuar në një faturë shumë të madhe sociale dhe taksat të larta, i cili përjeton vështirësi serioze, dhe një model tjetër i bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike, i cili i qëndroi krizës dhe nuk njohu recesionin. Vizioni apo mësimi që nxirret është që të bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që kemi në vend për ta nxitur atë, për të zgjeruar hapësirën, për të vazhduar përpjekjet për një zhvillim jeshil të vazhdueshëm të Shqipërisë”, tha Berisha. Kreu i qeverisë Sali Berisha mbylli dje vizitën dy ditore në Mynih, pas takimeve të zhvilluara si me sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton, sekretarin për Mbrojtjen, Leon Paneta, të cilët i ftoi edhe për një vizitë në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, kryeministri Berisha ka pasur rastin të takohet me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Dovutoglu, zëvendësministrin e Jashtëm të Izraelit, Daniel Ayalon si dhe ministrin e Jashtëm të Australisë, Kevin Rudd.
Një takim i veçantë i kryeministrit Berisha ka qenë ai me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Heydar Oglu Aliev, vendi i të cilit shihet si partner strategjik në realizimin e projektit të gazsjellësit “Trans Adratic Pepeline”, i cili mendohet të kalojë përmes Shqipërisë, për të furnizuar Evropën me gaz.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›