E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazsjellësi TAP, projekti më strategjik në Shqipëri

06-02-2012 / Gazeta 55

Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline është një projekt i fuqishëm energjetik, që pritet të jetë një burim i fortë për ekonominë tonë dhe atë të vendeve të rajonit.
Projekti është prezantuar fillimisht në vitin 2003 me anë të disa studimeve që ishin bërë për të parë mundësitë e transmetimit dhe rrugën se nga do të vinte gazi i prodhuar në Azerbajxhan. Gazi parashikohet të merret nga fusha gazmbajtëse Shan Deniz në Azerbajxhan dhe të vijë në tregjet europiane për të plotësuar nevojat e rreth 3 milion familjeve.
Studimi i fizibilitetit përfundoi në 2006 nga kompania EGL dhe rreth një vit më pas nisën studimet në terren. Pas bisedimeve në shtetet ku u vendos që të kalojë gazsjellësi dhe punës në terren, në 2008 kompania EGL kaloi në fazën e projektimit duke paraqitur me detaje të gjithë projektin nga pika e fillimi deri në fund. “Trans Adriatic Pipeline” do të transportojë gaz nga Greqia në Shqipëri, tejpërtej detit Adriatik deri në Jug të Italisë dhe më tej do të bëhet shpërndarja në Europë.
Projekti ka si qëllim kryesor shtimin e sigurisë për furnizimin me gaz të tregjeve europiane dhe kapaciteti do të jetë nga 10 deri në 20 miliard metër kub në vit. TAP parashikon ndërtimin e depozitave të gazit në Shqipëri, në zonën e Dumresë, kjo për të siguruar furnizimin e pandërprerë. Vija e TAP-it do të jetë afërsisht rreth 800 kilometra, nga të cilat në Greqi janë 478, në Shqipëri 204 dhe në det rreth 105 kilometra. Në Itali ku është dhe fundi i këtij gazsjellësi gjatësia do të jetë vetëm 4 kilometra, pasi aty do të ndërtohen depozitat dhe impianti shpërndarës. Pika më e lartë e këtij tubacioni do të jetë rreth 1800 metra mbi nivelin e detit në malet e Shqipërisë.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›