Autostrada Tiranë – Elbasan, Komisioni i ligjeve miraton sot marrëveshjen e huasë me fondin Abu Dhabi
Komisioni i Integrimit, seancë dëgjimore me ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto
Komisioni parlamentar i ligjeve miraton sot marrëveshjen e huas më fondin Abu Dhabi, për ndërtimin e autostradës Tiranë – Elbasan. Pasi ka kaluar më parë në komisionin e ekonomisë, ku ka marrë edhe votat e opozitës, ligjet do shqyrtojnë dhe miratojnë kushtet e marrëveshjes, për projektin strategjik që lidh për 15 minuta kryeqytetin me kryeqendrën e Shqipërisë së Mesme.
Marrëveshja bën fjalë për një kredi prej 50 milionë dollarësh nga Fondi i ABU Dhabit, që do të financojë në vijim rrugën. Rruga Tiranë-Elbasan do të kushtojë 25 për qind më pak ose 80 milionë dollarë më pak, se vlera e parashikuar në fillim të projektit. Aktualisht rruga ka një kosto totale prej 320 milionë dollarë, duke përfshirë edhe kostot shtesë të auditimit, supervizimit dhe hartimit të projekteve. E zhveshur nga këto të fundit ajo kushton 290 milionë dollarë.
Një javë më parë, kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho sqaroi se ulja e kostos së rrugës ka ardhur për dy arsye, që janë publicitetit i bërë si dhe kriza në rajon që çoi firmat të pranonin ofertat me vlera të ulëta. Sipas tij, tuneli do të hapet në ditën që shënon 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, ndërsa punimet në autostradën Tiranë-Elbasan po kryhen nga një kompani e njohur dhe me përvojë botërore. Kredia prej 50 milionë dollarësh nga Fondi i ABU Dhabit, do diskutohet dhe miratohet edhe nga komisioni për Politikën e Jashtme si dhe në komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Ndërkaq, axhenda e komisioneve parlamentare vijon me komisionin e Integrimit Evropian, i cili ka paralajmëruar një seancë me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
Në rendin e ditës të ditës së sotme, është paralajmëruar që në orën 10.00 të zhvillohet “seancë dëgjimore me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto mbi kontributet dhe sfidat e shërbimit diplomatik shqiptar në vendet anëtare të BE-së për procesin e integrimit të Shqipërisë”.