E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfaqësuesit e BE-së vazhdojnë ofensivën diplomatike

Ambasadorët Lohan dhe Montobio takojnë sot Topin për krizën

Bashkimi Europian nuk resht përpjekjet për të normalizuar situatën politike në vend, duke i dhënë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, atributet e nisjes së një procesi të vështirë, por të domosdoshëm për vendin. Dy diplomatët kryesorë të BE-së, të akredituar në Tiranë, përkatësisht Manuel Montobio, ambasador i Spanjës, e cila ka Presidencën e Bashkimit Europian, si dhe Helmut Lohan, kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, do të zhvillojnë sot në mesditë një takim me kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi. Takimi pritet të jetë më i rëndësishmi ndër dy raundet e kaluara që ambasadorët zhvilluan para pak ditësh me Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama.
Bisedimet e sotme në Presidencë, nga burime diplomatike pritet që të dalin me një deklaratë më të fortë në lidhje me nisjen e dialogut politik nga mazhoranca dhe opozita. Në një deklaratë të bërë disa ditë më parë, ambasadori spanjoll Montobio theksoi se “Këshilli i BE-së është shprehur se mënyra për të mbrojtur pozicionet është përmes dialogut politik konstruktiv nga të gjitha palët e interesuara, nga ana e autoriteteve dhe nga partitë. Ndërkaq, dje ka nisur një takim dyditor ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, në lidhje me menaxhimin e decentralizuar të asistencës komunitare. Në takimin e djeshëm, ministrja shqiptare e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se me aplikimin dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, Shqipëria do të përfitojë jo vetëm nga dy komponentët e parë të IPA-s, asistencës financiare të Bashkimit Europian, por edhe nga tre komponentët e tjerë të Instrumentit të Parazgjerimit (IPA): fondet e Zhvillimit Rajonal, Zhvillimit të Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit Rural.
“Në terma financiarë, këta komponentë përfaqësojnë më shume se një dyfishim të fondeve të mbështetjes së BE-së”, tha ministrja, duke bërë të ditur se në këtë takim do të lançohet programi dhe harta e përbashkët Shqipëri-BE për fillimin e përgatitjeve për fondet e Zhvillimit Rajonal, Zhvillimit të Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit Rural, fonde këto që do përfitohen në momentin kur Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë Helmut Lohan, pjesëmarrës në takim, tha se në përfundim të këtij procesi, Shqipëria do të jetë e aftë të menaxhojë nëpërmjet autoriteteve të veta të gjitha fondet e ndihmës së BE, duke u përgatitur për fondet strukturore dhe të kohezionit të periudhës së anëtarësimit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›