Në prag të epidemisë masive, ende asnjë plan përgatitje
Vaksina u ble, qytetarët të painteresuar për ta tërhequr, fluksi i të prekurve do të nisë nga kjo javë
Duke nisur nga kjo javë, të gjithë duhet të bëhemi gati për një valë të dytë gripi. Influenca e stinës bashkë me virusin pandemik do të përhapen gjerësisht në këtë periudhë, duke e shpërndarë infeksionin të paktën deri në muajin mars. Konfirmimi ka ardhur nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë. Masa e parë, e cila u mor nga strukturat shëndetësore, ishte shpërndarja e informacionit, hapat që duhet të ndjekë gjithsecili për të pasur një shëndet të mirë, si edhe higjiena që duhet të mbajmë për të qenë në rregull me mbrojtjen ndaj infeksioneve.
Hapi i dytë, masa e cila u mor nga shteti, ishte nënshkrimi i marrëveshjes për tërheqjen e vaksinës së gripit të zakonshëm dhe asaj specifike për gripin e derrit AH1N1. Deri tani popullata shqiptare nuk ka pasur interes për tërheqjen e kësaj vaksine. Veç qytetarëve e pacientëve kronikë nuk ka pasur interes për të bërë vaksinën as nga stafi mjekësor, personeli shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë asnjë udhëzim për të detyruar kategori të veçanta të bëjnë vaksinën. Megjithatë vaksina specifike e gripit të derrit ka mbetur stok në spitale, qendra shëndetësore e drejtori rajonale të shëndetit publik. Grupi i ngritur për monitorimin e situatës së qarkullimit të gripit në vendin tonë ende nuk ka publikuar asnjë plan lidhur me epideminë, e cila pritet të qarkullojë me ritme të larta në fund të këtij muaji. Deri tani, sipas të dhënave nga laboratori i virologjisë, pranë Institutit të Shëndetit Publik, raportohen më shumë se 470 raste të prekura nga gripi i derrit AH1N1, si edhe dy raste të rënda, të cilat aktualisht po trajtohen në terapi intensive në spitalin universitar të sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Sakaq, muaji nëntor ishte muaji më problematik për qarkullimin e virozave. Veç qytetarëve, infeksioni i virusit pandemik qarkulloi edhe në shkollat 9-vjeçare në vend, kryesisht në Tiranë, Durrës e Mat.
#