Presidencialet: Jushçenko, i ikuri i madh
Ukrainë
Presidenti aktual i Ukrainës, Viktor Jushçenko, dikur heroi i Revolucionit të Portokallinjtë, është eliminuar nga faza e parë e zgjedhjeve presidenciale që janë zhvilluar të dielën në Ukrainë. Raundi i dytë do të zhvillohet më 7 shkurt duke qenë se asnjë kandidat nuk fitoi mbi 50% të votës. Me pjesën më të madhe të votave tashmë të numëruara, Presidenti Jushçenko ka mundur që të fitojë vetëm 5% të votave. Ish-kryeministri Viktor Janukoviç kryeson listën me 35% të votave, ndërkohë që në vendin e dytë ndodhet Kryeministrja aktuale, Julia Timoshenko. Pavarësisht akuzave për manipulime të votës monitorët ndërkombëtarë kanë deklaruar se vota ka qenë e drejtë me përjashtime të vogla të cilat nuk ndikojnë në rezultatin përfundimtar. Sipas zyrtarëve të OSBE-së zgjedhjet ishin organizuar sipas standardeve demokratike. Edhe 5 vjet më parë në zgjedhjet e fundit Janukoviç fitoi, por Revolucioni i Portokallinjtë që u organizua e rrëzoi vendimin dhe shpalli President Viktor Jushçenkon. Ky i fundit dhe Julia Timoshenko kanë qenë aleatë në zgjedhjet e vitit 2005 dhe më pas me fitoren e revolucionit u bënë përkatësisht President dhe Kryeministër i vendit. Por shumë shpejt miqësia e tyre u prish dhe u shndërrua në një rivalitet të ashpër. Megjithatë, këto zgjedhje në Ukrainë nuk kanë pasur ndonjë dyshim në lidhje me fitimtarin. Njerëzit shumë të zhgënjyer nga premtimet e parealizuara të Presidentit elektoral që premtoi ndryshime të mëdha në vend me të ardhur në pushtet, ia kanë dhënë votën kundërshtarit të tij aktual dhe të dikurshëm, Viktor Janukoviç. Ky i fundit pas humbjes 5 vjet më parë u duk se u shkëput plotësisht nga politika, por ndërkohë është rilançuar sërish me shanset e mëdha për të realizuar më në fund atë që nuk mundi ta realizonte 5 vjet të shkuara për shkak të Revolucionit të Portokallinjtë që dështoi dhe zhgënjeu ukrainasit.
#