E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfaqësuesit e bizneseve kundërshtojnë nenin 9 të Ligjit të duhanit

Miratimi i Ligjit për kontrollin e duhanit ka irrituar përfaqësuesit e bizneseve dhe shitësit e këtij produkti. Ata po kundërshtojnë nenin 9 të këtij ligji, sipas të cilit, kufizohet ekspozimi i duhanit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se ndalimi i ekspozimit është masë drastike dhe e pajustifikueshme. “Nuk janë marrë parasysh as kërkesat e Komitetit të biznesit dhe kjo është dëshpëruese. Kundërshtojmë këtë nen dhe ligjin do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Gërxhaliu, transmeton KTV.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së prodhuesve, importuesve dhe distributorëve të duhanit, Haqif Vitia, ka thënë se Qeveria do t’i bëjë ilegalë shitësit e licencuar me këtë ligj.

“Sipas këtij ligji, ne duhet të mos ekspozojmë produktet e duhanit dhe kjo i bie që të shndërrohemi në shitës ilegalë, pavarësisht se atë e importojmë në mënyrë legale. Ekspozimi i duhanit nuk stimulon njerëzit të pinë duhan, përkundrazi, në secilën pako shkruhet se pirja e duhanit vret”, ka thënë Vitia. Shitësit e duhanit kanë kërkuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, që të mos e nënshkruajë këtë ligj. Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për kontrollin e duhanit me 71 vota për, dy abstenime dhe asnjë kundër. Me miratimin e tij ndalohet pirja e duhanit në të gjitha vendet publike./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›