Përfitimi i pensioneve sipas vjetërsisë së punës
27/01/2010 Procedurat që duhet të ndjekin emigrantët në Itali për marrjen e pensionit në vendin tonë
Plotësimi i viteve të munguara nga sigurimet vullnetare për pensionet e pjesshme e të plota
Ligji i “Sigurimeve shoqërore” lejon përfitimin e pensioneve edhe për emigrantët shqiptar, të cilët arrijnë të konfirmojnë vjetërsinë punës të kryer vite më parë në vendin tonë. Për këtë ekspertët e sigurimeve shoqërore kanë lidhur një tjetër marrëveshje me një nga patronatet e fuqishme (institucion që jep ndihmë në shkëmbimin e informacioneve), në Itali ACL-i, e cila do të ndihmojë në sqarimin e periudhave kontributeve për emigrantët. Në një intervistë për gazetën “Metropol”, kreu i Drejtorisë së Përfitimeve në ISSH, Naim Balluku, shpjegon procedurën dhe përfitimet e plota që do të ndiqen në këtë rast.
Çfarë parashikon marrëveshja e re e lidhur me agjencinë e ACL-it, në Itali për njohjen e sigurimeve shoqërore të emigrantëve shqiptar?
Aktualisht, sipas të dhënave të sakta në shtetin italian, janë rreth 470 mijë emigrantë shqiptar që janë me leje qëndrim të rregullt, e që mund të bëhen pjesë e skemës së përfitimeve të sigurimeve shoqërore. Por pjesa dërrmuese e tyre kanë probleme me njohjen dhe grumbullimin e periudhave kontributeve. Me marrëveshjen e re ne synojmë që kjo vjetërsi pune që këta emigrantë kanë në Shqipëri të mos digjet deri në momentin e miratimit të një tjetër marrëveshje të përbashkët për njohjen e kontributeve reciproke ndërmjet dy vendeve. Nëpërmjet bashkëpunimit me këtë institucion do t’u jepet në kohë përgjigje emigrantëve në dy drejtime kryesore: në informacione të ndryshme që kërkojnë për përfitimet që rrjedhin nga ligji i sigurimeve, dhe së dyti, kërkohet konfirmim i vjetërsisë në punë që kanë kryer në Shqipëri. Këta persona duhet të plotësojnë dy formularët pranë zyrave të kësaj agjencie, e cila na i përcjell neve për verifikim. Pas verifikimit në kthejmë përgjigje në lidhje me llojin e përfitimit që duhet të marrë emigranti. Njëkohësisht gjatë një vizite që zhvilluam në Itali, kemi takuar edhe kreun e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në këtë vend, për t’i paraprirë një marrëveshjeje të re që shërben për njohjen e periudhave të sigurimeve ndërmjet dy vendeve. Kështu nëse një person ka dhjetë vite vjetërsi pune në shtetin italian, si dhe dhjetë të tjera në Shqipëri të mund t’i grumbulloj së bashku për të marrë një përfitim përkatës, sipas modaliteteve që do të përcaktohen ndërmjet dy vendeve. Ndërkohë që aktualisht mund të aplikojë për marrjen e përfitimeve të ndara jo vetëm në vendin e origjinës, por edhe në vendin emigrues. Ndërsa me shtetin grek, ende nuk e kemi gjetur një gjuhë të përbashkët për këtë çështje.
Si mund të bëhet sigurimi vullnetar për emigrantet që duan të përfitojnë pension, por pa u dashur të kthehen vetë në Shqipëri?
Emigrantët mund të autorizojnë të afërmit e tyre, për të lidhur marrëveshje me strukturat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në rrethin ku kanë banuar, pasi këtu është arkivuar dhe vjetërsia në punë e tij. Personi i autorizuar, së bashku me një certifikatë personale, paraqitet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, ku do të marrë informacionin e duhur dhe do të lidhe një akt marrëveshje për periudhën që do të paguajë. Për ata emigrantë që disponojnë librezat e punës, do ishte një lehtësim si për ata, ashtu dhe për sigurimet shoqërore, për të konfirmuar saktësisht vjetërsinë në punë dhe do të shërbente si bazë për sigurimin e viteve të tjera të munguara. Për ata emigrantë që nuk disponojnë librezat e punës, të shënojnë periudhat e punuara dhe të siguruara në Shqipëri dhe të llogarisin vitet e munguara për t’u siguruar.
Cilët mund të jenë më të interesuar për sigurimin vullnetar?
Për të përfituar një pension të plotë kushtet kryesore janë një moshë që në vitin 2012 do jetë 65 vjeç dhe vjetërsi në punë 35 vite, ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për burra dhe koha e studimeve universitare për gratë. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm aktualisht kërkohet 15 vite sigurimi. Aktualisht ka shumë shtetas që kanë nën 15 vite sigurimi, p.sh. mund të kenë 12, 13, apo 14 vite. Në këto kushte këto vite sigurimi nuk i vlejnë mbasi nuk përfiton asnjë lloj përfitimi. Në rast se këto periudha i kompenson me sigurim vullnetar atëherë plotësimi i periudhës prej 15 vitesh do të bënte që ky të përfitonte një pension të pjesshëm. Po kështu në të njëjtën mënyrë një shtetas që nuk ka mbushur vjetërsinë për pension të plotë mund të sigurohet për vitet e mbetura për ta marrë totalisht këtë lloj përfitimi.
Plotësimi i vjetërsisë së punës
Që një shtetas shqiptar të sigurohet vullnetarisht duhet të plotësojë këto kushte, të ketë mbushur moshën 18 vjeç, si dhe sigurimi të bëhet para lindjes së drejtës për përfitim nga ligji për sigurimet shoqërore. Aktualisht kontributi mujor për të përfituar nga kjo skemë duke filluar nga 01.05.2009 masa e kontributit për sigurimin vullnetar nga 3 544 lekë, që ishte para kësaj date, u ul në 3 482 lekë. Kjo shumë do të derdhet edhe për sigurimin e periudhave të kaluara, për arsye se pensionet indeksohen çdo vit. Kontributet mund të paguhen tremujore dhe kur këto paguhen paradhënie zbritet 1.5 për qind nga shuma e kontributeve, gjashtëmujore, ku zbritet 3 për qind e kontributeve dhe vjetore ku zbritet 6 për qind e kontributeve.
ǒ mund të përfitojnë emigrantët me vjetërsinë e punës që kanë në Shqipëri
• Pension të pjesshëm kur kanë jo më pak se 15 vite të siguruara
• Pension të plotë kur kanë jo më pak se 35 vite sigurimi
• Pensione invaliditeti, kur janë tërësisht të paaftë për punë. Këto pensione i përfitojnë ata persona që kanë qenë të siguruar në Shqipëri, bazuar në një formulë: moshë, minus 20 pjesëtim për 2, është vjetërsia kontributeve për pension invaliditeti të plotë. Për kontributet më të vogla për vjetërsi, proporcionalisht me periudhën e siguruar, jepet pension invaliditeti i reduktuar. Pra, në këtë kuptim një invalid që mund të jetë në moshën 50 vjeç, me këtë raport, përfiton pension të plotë invaliditeti kur ka 15 vjet vjetërsi pune. Në rastet kur ka më pak merr pension të pjesshëm në raportin: vjetërsia në punë që ka me vjetërsinë që i kërkohet sipas raportit të mësipërm.
• Invalidëve u jepet një shtesë për fëmijët që kanë në ngarkim, prej 5 për qind të pensionit, kur janë nën moshën 18 vjeç, apo 25 vjeç kur vazhdojnë arsimin e lartë.
• Kur humb jetën personi që ka qenë i siguruar në Shqipëri, përfitojnë pension familjar fëmijët nën moshën 18 vjeç ose 25 vjeç, kur vazhdojnë arsimin e lartë, sipas formulës së mësipërme.
• Për invalidët që kanë nevojë për përkujdesje jepet dhe një shtesë në masën 15 për qind të pensionit.
Fushat ku mund të shtrihet sigurimi vullnetar për emigrantet janë :
1. Vazhdim vullnetar të sigurimit kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe nëpërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi, bëjnë sigurim vullnetar.
2. Mbulim vullnetar të periudhave të kaluara kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët paguajnë kontribute vullnetare për periudhat e kaluara dhe jo për vitin korent. Kontributi që do të paguhet do të jetë në masën e kontributit minimal në kohën e pagesës së tyre. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar.
3. Sigurim për një shumë më të madhe të ardhurash, kanë të drejtë të bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, duke paguar kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.