E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfituesit rrezikojnë tërheqjen e pagesës për muajin qershor

28/05/2009  Ministria e Punës urdhër për kushtëzimin e tërheqjes së pagesave sociale nëpërmjet kartës së identitetit

Shpërndarja e pagesave sociale për kategoritë në nevojë kushtëzohet nga paraqitja e kartës së identitetit. Një urdhër i posaçëm i nxjerrë nga kreu i Ministrisë së Punës, Viktor Gumi, u është kërkuar të gjitha njësive vendore që të kërkojnë si dokumente identifikimi për përfituesit e këtyre pagesave fotokopjen e kartës së identitetit në rastet kur këta persona nuk janë të pajisur me pasaporta. Vënia e në fuqi e këtyre masave për kategoritë që nuk aplikojnë në kohë, do të funksionojë që nga muaji qershor, çka do të thotë se përfituesit e pagesave, kur nuk kanë me vete në çastin e tërheqjes së pagesës një nga dokumentet e mësipërme, nuk do të mund ta përfitojnë atë. Tashmë janë përcaktuar edhe kategoritë mbi të cilat do të rëndojë ky urdhër. Konkretisht bëhet fjalë për grupe të tilla si rastet kur kryefamiljari së bashku me anëtarët e familjes mbi moshën 18 vjeç, të cilët aplikojnë për të përfituar ndihmë ekonomike gjatë muajit qershor 2009 dhe nuk posedojnë pasaportë, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashkinë/komunën ku kanë vendbanimin. Gjithashtu personat me aftësi të kufizuara që nuk posedojnë pasaportë, për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar gjatë muajit qershor 2009, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashkinë/komunën ku kanë vendbanimin. Njëkohësisht pjesë e këtij urdhri janë bërë edhe personat që përfitojnë pagesë papunësie dhe që nuk posedojnë pasaportë, për ta përfituar pagesën duhet të depozitojnë pranë zyrave rajonale dhe vendore të punësimit fotokopjen e kartës së identitetit. Aktualisht ky urdhër u është depozituar të gjitha strukturave në nivel qendror dhe rajonal të Shërbimit Social Shtetëror, Shërbimit Kombëtar të Punësimit si dhe çdo njësie vendore, duke kërkuar prej tyre zbatimin korrekt të tij. Inspektorët rajonalë janë udhëzuar të ndjekin zbatimin e urdhrit dhe të raportojnë në mënyrë periodike pranë Kabinetit të Ministrit të Punës mbi numrin e personave që kanë aplikuar për karta identiteti, të cilët janë përfitues nga mbështetja me të ardhura nëpërmjet skemës së ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe pagesës së papunësisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›