Përfshirja e SHBA-së në strategjinë për veriun, e domosdoshme
Janusz Bugajski, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington, ka vlerësuar se për zbatimin e strategjisë për veriun e Kosovës, do të jetë i nevojshëm angazhimi i fuqive botërore dhe i komunitetit ndërkombëtar, në radhë të parë edhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Bugajski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se hartimi i kësaj strategjie është shumë i rëndësishëm.
"Kjo është shumë e rëndësishme. Pas takimeve dhe deklaratave aktuale, nga anëtarët e qeverisë së Kosovës dhe të trupës monitoruese ndërkombëtare, duket se ekziston përkushtim i ripërtërirë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës në institucionet e vendit dhe, njëherësh, të çohet përpara procesi i eliminimit të institucioneve paralele, që e shkatërrojnë autoritetin e qeverisë në Prishtinë", pohoi ai.