Përfundojnë Ditët e Trashëgimisë Europiane
Gjatë shënimit të “Ditëve të Trashëgimisë Evropiane”, është dëshmuar se trashëgimia e Kosovës është pjesë e pandashme e Evropës. Kështu tha Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, në fjalën e tij, në “Ekspozitën Arkeologjike”, të profesorit dhe arkeologut, Shafi Gashi.
Në këtë ekspozitë, që është hapur në Muzeun e Kosovës dhe që ka shënuar mbylljen e aktivitetit “Ditët e Trashëgimisë Evropiane”, janë paraqitur gjetjet arkeologjike nga gërmimet e bëra në shumë lokacione që nga vitet e pasluftës, e sidomos në gërmimet me karakter shpëtimi që janë bërë këtë vit.
Ministri Krasniqi përgëzoi Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe profesorin Gashi për angazhimin e madh që kanë treguar për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë së Kosovës. Ai premtoi se MKRS do të mbështesë vazhdimisht projekte të tilla që kanë edhe këtë synim, pra ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Ministri përgëzoi po ashtu edhe gjithë zyrtarët e MKRS-së, ata të Këshillit të Evropës dhe partnerët tjerë që kanë organizuar mjaftë mirë aktivitetin “Ditët e Trashëgimisë Evropiane”.
Ai përmendi se hapja e këtij aktiviteti u bë në një vend mjaftë të rëndësishëm, në Prizren, ku është hapur edhe Qendra e parë Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, të cilin ministri e ka vlerësuar si një vend afrimi të Ballkanit, por edhe si një qendër ku edukohen brezat e rinj. Ai njoftoi të gjithë të pranishmit se për herë të parë sot Kosova është bërë me Listën e trashëgimisë kulturore të mbrojtjes së përkohshme, vendim ky i cili kontribuon në një ruajtje edhe më të shtuar të monumenteve nga shteti. Lista në fjalë është miratuar të hënën nga ministri Krasniqi.
Gjatë fjalës së tij ministri po ashtu ripërsëriti se trashëgimia kulturore duhet të i shërbejë të gjithëve si një pikë afrimi dhe jo ndarjeje, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Ndërkaq, profesori Shafi Gashi, në fjalën e tij, falënderoi ministrin Krasniqi për mbështetjen e dhënë, pasi siç tha ai, në këtë vit është rritur dukshëm dinamika e punës dhe e projekteve që janë mbështetur nga shteti në fushën e trashëgimisë kulturore. Profesori Gashi shfaqi shpresën se kjo ekspozitë nuk do të hapet vetëm në Muzeun e Kosovës por edhe në muzetë e vendeve të ndryshme të botës.