Mësuesit: Të ushtrojmë pushtetin tonë duke zgjedhur drejtuesit
Komuniteti i mësuesve dhe prindërve ndjehet tërësisht i pafuqishëm për ta ushtruar pushtetin dhe vendimmarrjen e tyre në drejtimin e shkollës. Arsimi parauniversitar vazhdon të ketë një sistem piramidal drejtimi, ku drejtuesit, si ai i arsimit në qytet ashtu dhe ai i shkollës, komandohen nga ministri dhe mësuesit dhe prindërit janë tërësisht të zhveshur nga ndonjë ndikim vendimarrës.
Mësues, drejtues shkollash dhe prindër në qytetin e Elbasanit, kërkuan që në ligjin e ri për arsimin parauniversitar, i cili sapo është aprovuar nga qeveria, të sanksinohet roli i tyre në përzgjedhjen dhe emërimin e drejtuesve të arsimit dhe atyre të shkollës.
Alternativa Civile*, një lëvizje e organizuar nga Forumi i Mendimit të Lirë, zhvilloi në takim me mësues e drejtues shkollash në Elbasan për të tërhequr mendimet e tyre lidhur me idene e hedhur prej saj për të sanksionuar me ligj zgjedhjen përmes votës të drejtuesve të arsimit në qytet dhe drejtuesve të shkollave.
Mësuesit thanë se shpesh përballen me shkarkime dhe emërime jo profesionale, dhe bazuar mbi bindje politike. Ndaj mbështetën fuqimisht idenë e zgjedhjes së këtyre drejtueve me votë. Duke folur në këtë takim mësuesit thanë se janë tërësisht të përjashtuar nga vendimmarrja për zgjedhjen e drejtuesve dhe se u imponohen drejtues që nuk kanë as kualifikimin e duhur dhe as autoritetin e duhur për të drejtuar.
Projektligji i ri për arsimin parauniversitar, në Nenin 66, pika 1, thotë se: Drejtori i institucionit arsimor publik, përzgjidhet me konkurim të hapur dhe ka mandat pesëvjeçar të përsëritshëm. Ai emërohet nga drejtori i njësisë arsimore vendore përkatëse, pas propozimit të dy kandidatëve të përzgjedhur nga një komision i përbërë nga përfaqësues të grupeve të interesit. Kriteret për drejtor, procedura e përzgjedhjes dhe të emërimit si dhe përbërja e komisionit, përcaktohen nga ministri me akte nënligjore, pasi merret paraprakisht mendimi i KKAP (Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar).
Por kush janë grupet e interesit që do të propozojnë kandidaturat? Përse duhet që qeveria të përcaktojë me akt nënligjor edhe procedurën e zgjedhjes së kandidaturave (kriteret po) dhe aq më tepër përbërjen e një komisioni që do të përfshijë prindër e mësues? E aq me tepër për gjithë ata që e dinë si përkthehet ky ligj në terrenin shqiptar, e ka të qartë, se këtu nuk ka asnjë pengesë ligjore, që meqënëse ministri, anëtarët e KKAP, dhe drejtori i njësisë arsimore vendore përkatëse, zgjidhen nga kryeministri dhe ministri, është matematike, që gjithë piramida mësimdhënëse, do jetë ideologjikisht e indoktrinuar, politikisht e seleksionuar, dhe praktikisht e partizuar.
Në këto kushte, propozimi i bërë nga Alternativa Civile është që veçanërisht dy poste, dhe konkretisht ai i Drejtorit të Njësisë Arsimore Vendore, dhe Drejtorit të Institucionit Arsimor, të zgjidhen me votim nga komunitetet që kanë lidhje me aktivitetin e tyre shtetëror. Për të qënë më konkretë propozojmë që:
1- Drejtori i Njësisë Arsimore Vendore, ose ai që i themi drejtori i arsimit të qytetit apo rrethit, të zgjidhet me votim nga komuniteti i mësuesve i kësaj njësie vendore. Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e kërkuara nga ligji dhe trajnimet e nevojshme që kërkon posti. Kandidaturat, nuk duhet të jenë të propozuara nga parti politike apo sindikata, por të jenë individuale. Mandati i drejtorit, të jetë jo më shumë se katër vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë, dhe jo më shumë se dy mandate në gjithë karierën e tij.
2- Drejtori i Institucionit Arsimor, drejtori i shkollës, të zgjidhet me votim nga komuniteti i prindërve të këtij institucioni. Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e kërkuara nga ligji dhe trainimet e nevojshme që kërkon posti. Kandidaturat, nuk duhet të jenë të propozuara nga parti politike apo sindikata, por të jenë individuale. Mandati i drejtorit, të jetë jo më shumë se katër vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë, dhe jo më shumë se dy mandate në gjithë karierën e tij.
Ish-drejtoresha e arsimit të qytetit të Elbasasit Natasha Poroçani, aktualisht drejtuesve në një shkollë jopublike, tha se duhet t’i referohemi mekanizmit që funksion në sektorin jopublik, ku drejtori zgjidhet nga bordi i mësuesve dhe prindërve, një praktikë që është sot e përhapur edhe në shumë vende të tjera të perëndimit. Mësuesit kërkuan që, përveç rritjes së rolit të komunitetit të mësueve dhe prindërve në zgjedhjen e drejtorit të shkollës, të rriten kompetencat e tij, pasi aktualisht ai nuk ka asnjë fuqi administrative.
Drejtues të shkollave theksuan se duke mos patur asnjë kompetence në emërim dhe shkarkim mësuesish, ata janë thjeshtë janë shndërruar në magazinierë të shkollave dhe nuk e ushtrojnë dot pushtetin e tyre.
Gjithashtu ata theksuan se po për mungesë kompetencash dhe funksioni, bordet e prindërve janë thuajse inekzistentë dhe tërësisht formalë. Ato nuk mblidhen dhe nuk funksionojnë. Për këtë arsye është e nevojshme që të riorganizohen, por më parë duhet që në ligj, tu lejohen kompetenca në drejtimin dhe menaxhimin e shkollës, dhe jo të kufizohen më tej siç bën ligji aktual.
Përveç zgjedhjes me votë të drejtëpërdrejtë të drejtuesve të shkollës dhe atij të arsimit, mësuesit propozuan si ide alternative edhe atë të propozimit të kandidaturave për drejtorë nga vetë komuniteti i prindërve dhe mësuesve.
Kjo sipas tyre do të shmangë emërimit politike dhe nepotike në arsim. Madje ata kërkuan që të përcaktohen kriteret edhe për marrjen e mësuesve në punë, si dhe të përfshihen në vendimarrje edhe nxënësit.
Emërimet e mësuesve dhe drejtuesve sot në arsim janë tërësisht në duart e qeverisë, duke e bërë këtë sektor një monopol qeveritar, i cili shpesh është viktima e emërimeve dhe shkarkimeve politike nga puna.
Çfarë është Alternativa Civile
Alternativa Civile, është një lëvizje qytetare, e organizuar nga Forumi i Mendimit të Lirë, një organizatë alumni, që mbledh rreth vehtes pjesmarrës në Programin e Lidershipit të Vizitorit Ndërkombëtar, një program i rëndësishëm shkëmbimi i Departamentit të Shtetit të ShBA-ve. Alternativa Civile ka angazhuar dhe po rrit më tej pjesëmarrjen e të gjithë intelektualëve shqiptarë që kanë qenë pjesëmarrës në të gjithë programet e shkëmbimit të Departamentit të Shtetit, duke perfshirë këtu Programin e Lidershipit të Vizitorit Ndërkombëtar, Programet akademike Fulbright dhe Humphrey, Programi i shkëmbimit dhe studimit të të rinjve (YES), Programi i shkëmbimit të pedagogeve te rinj (JFDP), etj. Alternativa Civile, si një lëvizje qytetare, gjithëpërfshirëse, veç pjesëmarrësve në programet e shkëmbimit të Departamentit të Shtetit, ka angazhuar edhe inteklektualë të tjerë, që nuk kanë qenë në këto programe dhe nuk janë të përfshirë drejtëpërdrejtë në veprimtari politike. Qëllimi i punës së Alternativës Civile është të prodhojë dhe propozojë nisma konkrete alternative, për zgjidhjen e problemeve që konstaton.
Shkrime të tjera me interes:
- Mësuesit mbështesin zgjedhjen e drejtuesve me votë Tiranë- Komuniteti i mësuesve, në shumë qytete të vendit, mbështet...
- Denoncim: Mësuesit janë bërë si gjobëvënës Elbasan – Kurset private që zhvillojnë mësuesit me nxënësit e...