E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rënie e madhe

Viteve të fundit hendbolli kosovar ka pësuar rënie. Dikur klubet e hendbollit investonin pa hezitim, por tash kriza e madhe financiare ka bërë që disa skuadra ta vënë në dyshim vazhdimin e garave, si në konkurrencën e meshkujve ashtu edhe në atë të femrave. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 22 janar 2011 në ora 11:36

Hendbolli kosovar dita-ditës po e merr tatëpjetën. Pas luftës, e posaçërisht pas pranimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF), ky sport pati bërë ‘bum’ në vendin tonë.

Në atë kohë shumë donatorë zgjuan interesim për të investuar nëpër klubet e meshkujve dhe të femrave, të cilat më pas përforcoheshin me lojtarë dhe lojtare e po ashtu me trajnerë të huaj. Në këtë mënyrë, edhe palestrat sportive mbusheshin me shikues.

Por, shpejt situata filloi të ndryshojë për të keq. Viteve të fundit hendbolli kosovar secilën herë po futet në krizë më të thellë. Disa klube tashmë veç janë shuar dhe fati i njëjtë mund t’i përcjellë edhe klube tjera.

Se hendbolli kosovar ka rënë e dëshmon edhe fakti se gjatë afatit kalimtar që u mbyll para pak ditëve, në FHK u regjistruan vetëm gjashtë transferime, derisa viteve të mëparshme ky numër ishte shumë më i madh.

Kastrioti në udhëkryq

Klubi më i famshëm kosovar i konkurrencës së meshkujve, Kastrioti, nga dita e enjte ka mbetur nën mëshirën e fatit, pasi kryesia e këtij klubi ka dhënë dorëheqje shkaku i krizës financiare.

Kështu, kampioni në fuqi aktualisht është pa kryesi, pa trajner dhe pa disa hendbollistë, andaj rrezikon të mos e nisë fare stinorin pranveror, nëse dikush nuk e merr përgjegjësinë për ta mbajtur ekipin bardh e kaltër.

“Kastrioti ka qenë klubi më stabil për dalim prej klubeve tjera dhe ja në ç’farë gjendjeje është sot. Ky është një paralajmërim edhe për klubet tjera. Të gjitha klubet me shpenzime minimale po mundohen të mbijetojnë, por nuk besoj se do të mund ta shtyjnë shumë. Frikësohem se edhe klubet e tjera do t’i prekë ky fat”, deklaroi nënkryetari i deritanishëm i kësaj skuadre, Lulzim Abazi.

Abazi, i cili thotë se nuk e pati të lehtë ta braktisë këtë ekip, kritikoi institucionet shtetërore për faktin se asgjë nuk janë duke bërë në favor të sportit.

“Si donatorë jemi lodhur duke derdhur para, kurse institucionet asgjë nuk po bëjnë për neve. Mund ta paramendoni se shteti ynë akoma nuk ka Ligj për Sport dhe Ligj për Sponsorë. Andaj, sporti ka rënë përtokë. Ky është turp”, tha ai.

Abazi thotë se kanë qenë të pakënaqur edhe me menaxhimin e federatës, e cila nuk ka bërë presion nëpër institucione për të rregulluar infrastrukturën ligjore. Sipas Abazit, FHK është federata e vetme kosovare që nuk ia ka dalë ta gjejë një sponsor gjeneral.

Vite më parë, në këtë konkurrencë garonte edhe ish klubi i njohur Samadrexha nga Vushtrria, i cili njihej si vatër e hendbollit, pasi prej kësaj skuadre patën dalë disa lojtarë të njohur kosovarë. Por, fatkeqësisht ky klub para pak vitesh është shkrirë, sikurse edhe disa klubeve tjera.

Te femrat situatë edhe më e rëndë

Për dallim prej konkurrencës së meshkujve, në atë të femrave numri i skuadrave të shuara deri më tani është dukshëm më i madh. Vjosa, Lumkuqi, Lepnci, Llapi, Dardania, Prishtina II dhe Vicianet janë disa nga skuadrat e shuara në këtë konkurrencë.

Fat i njëjtë mund t’i përcjellë edhe disa klube tjera të kësaj konkurrence, të cilat po përjetojnë krizë të madhe financiare. Ndër to është edhe njëra prej skuadrave më të suksesshme në vendin tonë, Kosova e Vushtrrisë, e cila gjendet në situatë të njëjtë sikurse Kastrioti i konkurrencës së meshkujve.

Në Superligën e femrave aktualisht garojnë shtatë ekipe, kurse në Ligën e Parë të Kosovës garojnë vetëm katër sosh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›