E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediet në Tunizi të lira

Nga Express më 22 janar 2011 në ora 13:12

Media tuniziane ka përjetuar një ndryshim të menjëhershëm të situatës. Pas vitesh censure të ashpër, të gjitha shtrëngimet janë zhdukur befas. Gazetat më në fund kanë raportuar lirshëm për të vërtetën.

“Kështjella në Francë, llogari bankare në Zvicër, prona në Argjentinë”, ky është vetëm një nga titujt me të cilët kanë dalë gazetat e përditshme, në një vend deri pak ditë më parë me media të censuruar, pra në Tunizi.

Një nëntitull tjetër shkruan: “Ka nisur gjuetia për pasuritë e Ben Ali”. E gjithë kjo atmosferë e re titujsh të guximshëm tregon për një agim të ri që ka lindur në këtë vend, pas shporrjes së presidentit dhe klikës së tij.

Gazetat tashmë me tituj të lirë dhe në garë me njëra-tjetrën tentojnë që të tërheqin lexuesit me informacione të ndryshme, të palejuara më parë.

Në njërën prej tyre shfaqet pamja e një njeriu që e kanë përfshirë flakët.

Është historia e një akademiku të papunë që i vuri flakën vetes dhe i dha fillim gjithë protestës, e cila më pas, me vrullin e saj, rrëzoi presidentin, qeverinë dhe përzuri nga vendi klikën e dhunuesve të lirive dhe të drejtave të njerëzve.

Ai u shndërrua në një shembull frymëzimi jo vetëm për vendin e tij, por edhe për vende të tjera arabe që jetojnë me lider diktatorialë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›