E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundojnë pushimet, nis punën Gjykata e Tiranës

 

TIRANE - Gjykata e kryeqytetit nis punë, togat e zeza përfundojnë pushimet verore. Gjatë ditës së djeshme në këtë institucion ishin rikthyer në punë pjesa më e madhe e administratës si dhe disa prej gjyqtarëve, të cilët nisën menjëherë punën për sistemimin e dosjeve, të cilave u përfundojnë afatet ligjore. Po kështu, gjyqtarët e gatshëm kryeqytetas morën dosjet e masave të sigurisë si dhe kërkesat e ndryshme penale dhe civile të depozituara nga qytetarët, për të cilat ligjet kërkojnë gjykimin brenda një afati të shkurtër. Ditën e hënë pritet që togat e zeza të kryeqytetit të nisin punë normalisht, pasi janë caktuar edhe datat e para të gjyqeve. Po kështu paraditen e së hënës do të hidhen në short edhe çështjet e depozituara në gjykatë gjatë muajit gusht. Burime nga Gjykata e Tiranës pohojnë se, megjithëse u kufizua numri dhe lloji i padive që pranoheshin në gjykatë, gjatë kësaj kohe qytetarë të kryeqytetit kanë dorëzuar në kryesekretarinë e institucionit rreth 300 kërkesë-padi civile dhe penale apo me palë të dëmtuar-akuzuese. Këto pritet t'i nënshtrohen procedurave të shortit elektronik për t'iu dorëzuar më pas gjykatësve, që do i përcaktojë kompjuteri për t'i shqyrtuar. Fillimi i muajit shtator pritet të ketë ngarkesë mbi normalen në punën e gjyqësorit për vetë faktin e ndërprerjes së punës se gjyqësorit gjatë muajit gusht.                                         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›